Rasti Ylli Gurra: i marrëzishëm ai apo e marrëzishme media që e fton?!

Ylli Gurra

Një askush në jetën islame që fyen inteligjencën e një komuniteti

Në rastet kur në një media shfaqet Ylli Gurra, ish-Myfti i Tiranës para do vitesh, është e vështirë zgjedhja që irritimin ta kesh me atë apo me median që e fton. Është ndër ato raste për studim në stivën e gomarllëqeve të medias në Shqipëri ftesa e vazhdueshme e tij qyshse u shfaq si zyrtar KMSH-je, pa asnjë njohje publike më herët, duke e emërtuar si imam, por kurrë pa thënë se ku, në cilën xhami e ushtron detyrën e imamit. Dhe pos kësaj, çfarë atribute të tjera gëzon për t’u ftuar në trajtimin e çështjeve me sfond fetar, të atilla që e spikasin mes dhjetra figurave të jetës islame në Shqipëri, zyrtare e jo zyrtare?! Ndaj, ka ardhur atje ku nuk mban më për t’i çuar një mesazh asaj mediaje, ose atyre gazetarëve që e ftojnë: kolegë aspak të nderuar, mu prej aprofasionalzimit ulëritës në këtë rast, në jetën islame, në daç zyrtare e në daç jozyrtare, Ylli Gurra është një askush. Vetëm nëse një dashakeqësi, duke e ditur që lëshon vetëm mufka, ju bën ta ftoni, meqë vjen në studio dhe me veshje fetare. Vetë ai, nëse do kishte ca pak ndërgjegje të qashtër, edhe prej muslimani, nëse do ia njihte caqet vetes, nuk do pranonte vetë që të shkonte studio më studio, aq më tepër me xhybe, ndërkohë që nuk mban asnjë post, pa llogaritur që nuk gëzon asnjë lloj atributi për të qenë aty. Ishte deri diku e përligjur prezenca e tij në studio për sa mbante postin e Myftiut, por tani nuk ekziston asnjë minimum logjike ose arsyetimi që ai të dalë në media e të flasë për aspekte të jetës fetare, duke fyer inteligjencën e qindra besimtarëve, e gati një komuniteti të tërë besimtarësh, me mufkat që nxjerr nga goja.

Me një mungesë dramatike inteligjence, etike, urtësie, mençurie, me një fjalor të varfër e defiçencë arsyetuese, foli së fundi në A2 CNN për rastin e një dysheje ordinere që u rrethua nga Policia në Orosh. Broçkullisi më mirë të thuash, duke e çuar gjuhën, turpshëm në kinse xhami problematike, duke çuar ujë pra, krejt naivisht, në mullirin e atyre që e lidhin atë dyshe super të dyshimtë për atë se kush janë dhe ç’përfaqësojnë, me besimin e tyre të pretenduar si muslimanë. Ishte e rëndë ta dëgjoje, sidomos kur mendon se i është dhënë, qoftë dhe për ca muaj, detyra e një Myftiu, aq më tepër në kryeqytet. Në këtë pikë, edhe pse pa mjekër, pa cigare në gojë e sigurisht pa armë, ka diçka të afërt në marrëzi me dyshen e Oroshit.