Reagimi i ashpër i ministrit turk të Mbrojtjes ndaj parlamentarit grek – VIDEO

Të martën në Stamboll po zhvillohet një takim i përbashkët i Komisionit Politik dhe Grupit Ad Hoc për Mesdheun dhe Lindjen e Mesme të Asamblesë Parlamentare të NATO-s (NATO PA).

Pas diskutimit të raportit të Grupit Ad Hoc për Mesdheun dhe Lindjen e Mesme, ministri Akar iu përgjigj pyetjeve të parlamentarëve.

Hulusi Akar reagoi ashpër kur një deputet grek përdori shprehjen “Okupimi juaj në veri të Qipros vazhdon” gjatë pyetjes së tij:

“Nëse thoni që veriu i Qipros është i pushtuar, kjo do të thotë se ju doni grindje që në fillim. Turqia nuk është pushtuese në veri të Qipros. Deri në vitin 1974 aty u bënë masakra dhe grusht shteti. Jetët e njerëzve, përfshirë grekët, ishin në rrezik”,- u shpreh Akar.

“Në vitin 1974 ne bëmë Operacionin e Paqes. Nga viti 1974 e deri më tani, si jugu (i Qipros), ashtu edhe veriu (i Qipros) jetojnë në paqe. Kjo është një gjë që duhet parë e kuptuar. Nuk duhet të jeni të njëanshëm. Në vitin 2014, me gjithë të metat e tij, turqit e pranuan Planin e Ananit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për të arritur një zgjidhje në ishull. Pala greke nuk e pranoi këtë plan”,- shtoi ministri turk i Mbrojtjes.

Duke theksuar se organizata separatiste terroriste PKK/YPG ka vrarë 40 mijë njerëz dhe FETO ka masakruar 251 njerëz gjatë tentativës së saj për grusht shteti në vitin 2016, Akar tha:

“Ne po bëjmë një përpjekje intensive për ta shpëtuar vendin dhe kombin tonë nga murtaja e terrorizmit. Ne jemi të vendosur në këtë drejtim. Ne nuk kemi qëllim tjetër. Nëse ju i siguroni vend për të ngritur kamp (në Lavrion të Greqisë) organizatës PKK/YPG, me të cilën ne po luftojmë dhe e cila e ka dëmtuar popullin tonë, ka marrë 40 mijë jetë njerëzish, dhe strehoni në vendin tuaj organizatën terroriste FETO, e cila ka masakruar 251 njerëz, atëherë kjo nuk mund të quhet aleancë, kjo bie ndesh me miqësinë. Një situatë e tillë dëmton aleancën dhe është edhe kundër frymës së aleancës”.

Pasi parlamentari grek tha “Nuk ka një gjë të tillë”, ministri Akar e vijoi kështu përgjigjen e tij:

“Mos thoni jo. Nuk ka njeri qe nuk e di kampin Lavrion në Greqi. Po kështu, në Suedi, anëtarët e PKK/YPG-së po bëjnë gjithçka. Kjo nuk ka të bëjë aspak me njerëzimin, demokracinë apo të drejtat e njeriut. Nëse terroristëve u jepen kaq shumë mundësi, atëherë është krejtësisht normale që ne nuk duam të jemi së bashku me këta njerëz.”

Ministri Akar iu përgjigj edhe një deputeti tjetër grek, i cili tha se “Forcat Ajrore Turke po fluturojnë mbi ishujt grekë”:

“Aeroplanët grekë erdhën në vendin tonë më 27 prill dhe shkelën hapësirën tonë ajrore në Datça, Didim dhe Dalaman. E çfarë prisni të bëjmë ne kur ju të vini nga aq kilometra larg, nga Greqia kontinentale në Turqinë kontinentale, dhe shkelni hapësirën tonë ajrore? Ne i kemi imazhet e radarit lidhur me këto shkelje, të cilat i kemi ndarë edhe me vendet aleate. Ne iu kundërpërgjigjëm atyre më 28 prill”,- tha Hulusi Akar. /trt