Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar takime të ndara me kryenegociatorët e në dialog, zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të palës serbe, Petar Petkoviq.
Lajçak, përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka thënë se kishte dy takime të ndara me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar mënyrat për të zgjidhur krizën aktuale.
“Ne do të vazhdojmë diskutimet tona gjatë gjithë ditës”, ka shkruar Lajçak.
Takimi në Bruksel i kryenegociatorëve për çështjet teknike në dialogun Kosovë – Serbi, vjen pas tensionimit të raporteve midis dy vendeve si pasojë e bllokimit të rrugëve në veri të Kosovës nga serbët lokalë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e reciprocitetit për target e automjeteve serbe, që hyjnë në Kosovë.