Regjimi sirian sulmon zonën pranë pikave turke të vëzhgimit në Idlib

Forcat e regjimit sirian sulmuan mbrëmë zonën afër qendrës turke të vëzhgimit në Idlib në veriperëndim të Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Forcat besnike të Bashar al-Assadit kryen sulm artilerik në stacionin e 10-të të vëzhgimit në rajonin Zawiya, njoftoi Ministria turke e Mbrojtjes, duke sqaruar se nuk ka viktima në njerëz, as dëme materiale.

Veprimet usharake kanë përfunduar ndërsa Turqia ndjek nga afër situatën në rajon.

Ky ishte sulmi i shtatë i tillë pranë pikës së vëzhgimit. Ato të mëparshmet u kryen më 29 prill, 4, 12 dhe 31 maj si dhe më 8 dhe 27 qershor.

Megjithëse Turqia dhe Rusia janë dakorduar të ndalojnë aktet e agresionit dhe ta kthejnë Idlibin në një zonë të deeskalimit, forcat e regjimit shkelin vazhdimisht armëpushimin, me sulme të shpeshta në zonën e deeskalimit.

Ushtria turke ka ngritur 12 pika vëzhgimi në zonën e deeskalimit në Idlib pas raundit të 9-të të bisedimeve të paqes në Astana.

Si shtet garantues për Damaskun, Rusia është përgjegjëse për parandalimin e sulmeve nga regjimi i Asadit dhe grupet militante të mbështetura nga Irani, të cilat kanë shkelur në mënyrë të përsëritur marrëveshjen e vitit të kaluar të Turqisë dhe Rusisë të arritur në Soçi.

Siria sapo ka filluar të dalë nga konflikti shkatërrues që filloi në vitin 2011, kur regjimi i Asadit u përpoq të shtypte demonstratat me një dhunë të paparë.