Regjistrohet viktima e parë në SHBA nga koronavirusi

Një person në SHBA ka vdekur si pasojë e koronavirusit. Pacienti ishte i shtrirë në një nga spitalet e Washingtonit.

Ndërkohë, Presidenti amerikan, Donald Trump, më herët e ka siguruar popullin amerikan se SHBA’ja është plotësisht e gatshme që të përballet me përhapjen e mundshme të koronavirusit.

Trumpi reagoi pasi demokratët e kritikuan administratën e tij për trajtimin që po ia bën koronavirusit, që tashmë është përhapur në dhjetëra shtete të botës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se Italia, Irani dhe Koreja Jugore tani janë në fokus të veçantë dhe se ndodhen në “pikën vendimtare” të përpjekjeve për shmangien e shpërthimit të mëtejmë.

Koreja Jugore ka aktualisht numrin më të madh të të infektuarve dhe të vdekurve, pas Kinës.

Vendi ka raportuar rreth 600 raste të reja të infektimit të shtunën për ta çuar shifrën e përgjithshme në mbi 2.500.