Rezoluta që diskriminonte familjen shqiptare

Qerim Lita

Në tetor të vitit 1987, Kuvendi i RS të Maqedonisë, e miratoi “Rezolutën për politikën popullative në RS të Maqedonisë”, e cila parashihte zvogëlimin e natalitetit në viset me shumicë shqiptare, përkatësisht përkufizimin e familjes shqiptare, e cila duhej të numëronte jo më shumë se katër anëtarë (dy bashkëshortët me dy fëmijë), ndërsa në viset me shumicë maqedonase të stimulohej shtimi i natalitetit.

Qerim LITA, Shkup

Më 24 prill të vitit 1987 Kuvendi i RS të Maqedonisë miratoi “Konkluzionet për përmbysjen e aktivitetit armiqësor nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar, dukuritë dhe situatat që i përshtaten atij”. Nisur nga fakti se, për komunistët e Shkupit, veprimtari “armiqësore nga pozita e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar” nënkuptohej edhe nëse një familje shqiptare, përkatësisht çift bashkëshortor, numëronte tre, katër ose më shumë fëmijë, në pikën 13 të konkluzioneve theksohej se “…në përputhje me përcaktimet për zhvillimin e përgjithshëm shoqëror-ekonomik në republikë, do të caktohen drejtimet dhe masat aktive të programuara të politikës popullative dhe asaj sociale, nëpërmjet së cilës do të sigurohet veçanërisht afirmimi dhe zbatimi i planifikimit të familjes, ndjekja dhe orientimi i zhvillimit të popullsisë dhe përtëritja e saj, lëvizjet hapësinore dhe migracioni…”.
Ndërkohë, nën presionin e vazhdueshëm të Millosheviqit, i cili në vitin 1986 erdhi në krye të KQ të LK të Serbisë, por edhe të institucioneve dhe shoqatave serbe, si Akademia e Shkencave dhe Arteve, Shoqata e Shkrimtarëve, Lidhja e Luftëtarëve etj., të cilat në mënyrë të hapur i akuzonin shqiptarët si “elementë të pasigurt dhe të rrezikshëm”, për stabilitetin jugosllav, Komiteti Qendror i LKJ-së, në mbledhjen e nëntë, e cila u mbajt më 3 qershor 1987 në Beograd i miratoi Konkluzionet e titulluara “Realizimi i qëndrimeve të LKJ-së në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, vëllazërim-bashkimin dhe unitetin në Kosovë”. Për zbatimin sa më parë dhe në mënyrë sa më të plotë të këtyre konkluzioneve antishqiptare, Kryesia e KQ të LKM-së, më 23 shtator 1987, e miratoi “Programin operativ për detyrat e drejtpërdrejta të anëtarëve, organizatave e organeve të LKM-së”, i cili përbëhej prej tre pjesëve kryesore dhe prej gjithsej 62 pikave. Në pikën 49 të programit shprehimisht thuhej:
“Në viset me natalitet të lartë është e nevojshme që përmes masave të politikës ekonomike e sociale, me përmirësimin e kushteve jetësore e punuese të gruas si dhe me aksionin e organizuar shoqëror kundër botëkuptimeve të prapambetura, traditës, ndikimit të religjionit dhe marrëdhënieve patriarkale në familje dhe në mjedisin më të gjerë, të ndikohet mbi zvogëlimin e natalitetit, ndërsa në viset me natalitet të ulët, me këto masa duhet të krijohen kushte veçmas për shkarkimin e gruas së punësuar nga disa veprimtari përmes rishoqërimit të tyre, për shkak stimulimit të natalitetit për realizimin e pozitës së këtillë politike”.
Në Analizën që Këshilli Ekzekutiv Republikan, në qershor të vitit 1987, ia dorëzoi Kuvendit të RS të Maqedonisë, vihej në dukje se lëvizja demografike “në dy anët e RS të Maqedonisë, lindje dhe perëndim”, po përjeton ndryshime radikale ku “vërehet se në pjesën perëndimore të përfshirjes së grupeve të popullsisë me natalitetet të lartë është e madhe, ndërsa në disa qytete dhe fshatra të caktuara është dominuese, duke diktuar natalitet të lartë të popullsisë. Pjesa tjetër, lindja, e banuar kryesisht, me maqedonas, shënon rënie, ngecje ose rritje të vogël me përjashtim të viseve ku pjesëmarrja e turqve dhe romëve është më e rëndësishme, që si pasojë është rritja më e madhe e popullsisë (Shtip dhe Strumicë)”. Në të, më tej thuhej se për lëvizjet demografike në RS të Maqedonisë variacione të mëdha shënonte shkalla e lindjes, sipas së cilës popullsia në RSM ndahej në perëndim – me shkallë të lartë të natalitetit dhe në lindje – me shkallë të përmbajtur të natalitetit. “Duke e analizuar shkallën e natalitetit sipas komunave, më tej në analizë thuhej, ndarja më precize do të ishte në tre territore. E para – perëndim – me shkallë të lartë të natalitetit (Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë dhe Strugë); e dyta – me natalitet mbi mesataren e Republikës (Çair, Gazi Babë, Qendër në Qytetin e Shkupit, Kumanovë, Tito Veles dhe Shtip) dhe e treta, me natalitet nën mesataren republikane (Vinicë, Gjevgjeli, Dellçevë, Kavadar, Krushevë, Negotinë, Ohër, Radovish dhe Karposh e Kisella Vodë), si dhe me natalitet të ulët (Berovë, Manastir, Brod, DemirHisarë, Koçan, Kratovë, Kriva Pallankë, Prilep, Probishtip, Resën dhe Sveti Nikollë)”.
Duke iu referuar letrës së protokolluar me numër 12-1221/1, të nënshkruar nga nënkryetari i Këshillit Ekzekutiv, Ilija Filipovski, kuptojmë se Projekt-Rezoluta, së bashku me Analizën për lëvizjen e popullsisë në RS të Maqedonisë, më 12 korrik 1987, iu dorëzua kryetarit të Kuvendit të RS të Maqedonisë, Vullnet Starovës, me propozim që të shqyrtohet nga dhomat përkatëse të Kuvendit. Për rrjedhojë, më 13 korrik 1987, Komisioni për Marrëdhënie Ndërnacionale pranë Kuvendit të RS të Maqedonisë, pasi e shqyrtoi Projekt-Rezolutën, doli me këto konkluzione:
“1. Komisioni për Marrëdhënie Ndërnacionale i Kuvendit të RS të Maqedonisë e shqyrtoi dhe i dha mbështetje të plotë Projekt-Rezolutës për politikën popullative në RS të Maqedonisë, me vlerësim se ajo është e përputhshme me dokumentet e planifikuara për zhvillimin e Republikës dhe me rezolutat e kongreseve të LKM-së dhe LKJ-së.
2. Komisioni konstatoi se me masat dhe aktivitetet që propozohen në Projekt-Rezolutën, të cilat duhet t’i ndërmarrin një numër i madh i subjekteve shoqërore e tjera, do të sigurohet vendosja aktive e politikës së vetme popullative në Republikë, me qasje dhe masa të diferencuara në vise të caktuara dhe me këtë – në një periudhë më të gjatë kohore – do të arrihet përputhshmëria e rritjes demografike të popullsisë me mundësitë reale ekonomike, hapësinore, materiale dhe mundësive tjera.
3. Komisioni konstatoi se lëvizjet demografike në Republikë, marrë në përgjithësi, ende karakterizohen me rritje të lartë natyrore të popullsisë në komuna dhe regjione të caktuara në Republikë. Kjo veçmas shprehet te kombësia shqiptare, në disa raste edhe te kombësia turke dhe te grupi etnik rom. Nataliteti i lartë, në radhë të parë, është pasojë e marrëdhënieve patriarkale në familje dhe në mjedisin më të gjerë, ndikimi i religjionit e ngjashëm. Përveç kësaj, në mjedise të caktuara janë prezente edhe dukuri të politizimit, përkatësisht qasjes nacionaliste ndaj kësaj çështjeje.
Nataliteti i lartë i popullsisë në komuna dhe regjione të caktuara në Republikë edhe më shumë e ndërlikon zhvillimin e saj shoqëror-ekonomik e social dhe, si pasojë e kësaj, e rrezikon edhe shëndetin e gruas, ndërsa njëkohësisht nxit vdekshmëri të lartë te foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Prandaj, me ndryshimin e gjendjes ekzistuese në drejtim të sigurimit të shkallës së pranueshme të shtimit natyror të popullsisë, e cila do të jetë në përputhshmëri me zhvillimin shoqëror-ekonomik e social të Republikës dhe më gjerë në vend, paraqet nevojën e domosdoshme shoqërore.
4. Vlerësohet se masat dhe aktivitetet e propozuara për nga volumi dhe përmbajtja e tyre në thelb janë komplekse dhe të diferencuara sipas regjioneve, në të cilat janë paraparë një sërë masash e aktivitete ekonomike e të tjera, përmes të cilave do të ndikohet në mënyrë stimulative në zvogëlimin e natalitetit në viset ku ai është i lartë dhe për rritjen në viset ku ai është i ulët. Për realizimin e këtyre qëllimeve Komisioni mendon se duhet t’i jepet prioritet: realizimit të zhvillimit më të përshpejtuar të forcave prodhuese; punësimit më të madh të pjesës femërore të popullatës, veçmas të grave – pjesëtare të kombësive; ngritjes së nivelit arsimor e kulturor të popullsisë, përfshirë edhe pamundësimin e shpërndarjes së nxënësve të gjinisë femërore në shkollat fillore; edukimit të sistemit më efikas të veprimtarisë së patronazhit në komunat me natalitet të lartë; përmirësimit të pozitës shoqërore të grave dhe fëmijëve, politikës tatimore, kufizimit të shtesës fëmijërore pas fëmijës së tretë.
Janë të domosdoshme përpjekjet e mëtutjeshme për konkretizimin edhe më të madh të masave dhe aktiviteteve. Për këtë qëllim, veç tjerash, në mënyrë racionale duhet të shfrytëzohen debatet më të gjera publike që do të zhvillohen për këtë Rezolutë. Në kuadër të kësaj duhet të tregohen ligjet për fushat e caktuara në të cilat duhet të kryhen ndryshime dhe plotësime, me çka do të sigurohet realizimi i qëllimeve dhe detyrave të përcaktuara me këtë Rezolutë.
E një rëndësie të veçantë është që masat dhe aktivitetet e propozuara në Rezolutë të kontribuojnë për krijimin e kushteve për zhvillim më të baraspeshuar regjional në Republikë, për ngadalësimin e migrimit të popullsisë kah lagjet më të mëdha urbane dhe për përforcimin e vetëdijes te njerëzit punonjës e te qytetarët se planifikimi i familjes është pjesë përbërëse e zhvillimit të përgjithshëm të bashkësisë shoqërore dhe për secilën familje veç e veç. Kjo përbën interesin real të mbarë njerëzve punonjës dhe qytetarëve, pa marrë parasysh përbërjen e tyre nacionale etj.
5. Komisioni vuri në dukje se me rëndësie të posaçme është rrethi i gjerë i subjekteve shoqërore – bartësit e politikës popullative – në planet dhe programet e tyre për punë dhe zhvillim në mënyrë konkrete t’i përcaktojnë detyrat e tyre dhe të angazhohen për realizimin e tyre konsekuent. Gjithashtu, nevojitet vendosja dhe realizimi i formave të ndryshme të bashkëpunimit ekzistues midis organeve, organizatave dhe bashkësive që veprojnë në këtë fushë.
Në këtë drejtim para organizatave nga fusha e veprimtarive edukative-arsimore, shëndetësore, sociale, hulumtues-shkencore dhe informative, qëndrojnë detyra të veçanta, të cilat në programet e tyre për punë duhet më shumë se deri tani të ndërtojnë përmbajtje të edukimit dhe arsimimit shëndetësor, si dhe elemente tjera që i përkasin planifikimit të familjes, kujdesit shoqëror të nënës dhe foshnjës, përforcimit të përgjegjësisë prindërore, si dhe emancipimit të burrave dhe grave për tejkalimin e botëkuptimeve patriarkale për rolin e gruas në bashkëshortësi, familje, shoqëri e ngjashëm.
6. Gjatë debatit u vu në dukje nevoja për angazhimin më të madh të organizatave hulumtuese-shkencore në zbulimin e shkaqeve për natalitetin e lartë në komuna dhe regjione të caktuara në Republikë, si dhe në ato ku nuk realizohet as produksioni i thjeshtë i natalitetit të popullsisë. Gjithashtu, nevojitet që hulumtimet e deritanishme kërkimore-shkencore nga kjo fushë të kenë hapësirë më të madhe gjatë hartimit definitiv të Rezolutës për politikën popullative.
7. U tha se mjetet e informimit publik në Republikë dhe në komuna duhet t’u kushtojnë vëmendje më të madhe çështjeve që lidhen me lëvizjet demografike dhe politikës popullative, të realizojnë programe konkrete kushtuar kësaj problematike.
8. Për realizimin e suksesshëm të qëllimeve dhe detyrave që burojnë nga kjo Rezolutë e domosdoshme është që të sigurohen kushte materiale, hapësinore, kadrovike e të tjera, si dhe sigurimin e sistemit të vetëm të politikës popullative.
9. Komisioni për Marrëdhënie Ndërnacionale i dhomave të Kuvendit iu propozon ta mbështesin Projekt-Rezolutën për politikën popullative në RS të Maqedonisë, së bashku me mendimet dhe propozimet e dala nga mbledhja e këtij komisioni”.
Rrjedhimisht, në tetor të vitit 1987, Kuvendi i RS të Maqedonisë e miratoi “Rezolutën për politikën popullative në RS të Maqedonisë”, e cila, siç do të shohim në vazhdim, parashihte zvogëlimin e natalitetit në viset me shumicë shqiptare, përkatësisht përkufizimin e familjes shqiptare, e cila duhej të numëronte jo më shumë se katër anëtar (dy bashkëshortët me dy fëmijë), ndërsa në viset me shumicë maqedonase të stimulohej shtimi i natalitetit. “…Me qëllim që reproduksioni biologjik i popullsisë në Republikë të bëhet racional, thuhej në tekstin e Rezolutës, masat e politikës popullative të jenë komplekse dhe të diferencuara sipas regjioneve dhe të inkuadrohen në dokumentet e zhvillimit, të ritransformohen me dallimet regjionale në planin demografik, ekonomik e social. Në viset me natalitet të lartë duhet të ndërmerren masa dhe veprimtari të politikës ekonomike e sociale, të cilat do të ndikojnë mbi zvogëlimin e natalitetit, ndërsa në viset me natalitet të ulët për stimulimin e natalitetit…”.
Është më se e qartë se qëllimi i sjelljes së një rezolute të tillë, nuk ishte, siç thuhet në të, i karakterit “ekonomik, social e humanitar”, por për ta penguar shtimin e popullsisë shqiptare, që sipas të dhënave të dalë nga Enti i Statistikave, popullsia shqiptare vetëm midis periudhës kohore 1981-1986 ishte shtuar për 47.966 banorë, përkatësisht nga 377.208, sa numëronte në regjistrimin e vitit 1981, në 425.174 banorë, që kjo nënkuptonte se shtimi natyror i shqiptarëve në nivel republike kishte arritur në shifrën prej 33,3 promilësh. Nëse shtimi natyror i popullsisë në RS të Maqedonisë do të zhvillohej në mënyrë të lirë dhe pa masa sanksionuese nga ana e pushtetit, atëherë Rezoluta parashikonte që deri në vitin 2001 RS e Maqedonisë të numëronte 2.413.800 banorë ose 498.000 banorë më shumë, krahasuar me vitin 1981. Ky shtim i popullsisë do të vinte në shprehje veçanërisht në komunat me shumicë shqiptare, përkatësisht në Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë e Tetovë, ku sipas Rezolutës në ato komuna banonin 1/5 e popullsisë së RS të Maqedonisë, ndërsa shtimi natyror realizohej për 1/3 e popullsisë së përgjithshme të asaj republike jugosllave.
Në pjesën e tretë të Rezolutës ishin paraparë masat dhe veprimtaritë që duhej të ndërmerreshin nga ana e Këshillit Ekzekutiv të RSM-së, komunave, bashkësive lokale dhe nga institucioneve të tjera shtetërore, të cilat si qëllim parësor do ta kishin “destimulimin e natalitetit të lartë”, duke e stimuluar familjen katëranëtarëshe, që do të përbëhej nga prindërit dhe dy fëmijët, përkatësisht “arritjen e natalitetit më të përmbajtur si parakusht për shtimin më të qetë të popullsisë dhe mundësisë së zhvillimit më të shpejtë ekonomik-social dhe prosperitetit të shoqërisë”. Në kuadër të kësaj, Rezoluta e ngarkonte Këshillin e Ekzekutiv të RSM-së që:
“- përmes planeve shoqërore, rezolutave vjetore dhe dokumenteve të tjera planifikuese të propozojë masa afatgjata e afatshkurta dhe t’i përcaktojë bartësit e masave e veprimtarive me afat për zbatim për shkak realizimit të qëllimeve dhe detyrave të përcaktuara me këtë Rezolutë;
– të propozojë zgjidhje ligjore në funksion të udhëheqjes aktive të politikës popullative me stimulimin e familjes katëranëtarëshe;
– të propozojë masa të veçanta në fushën e politikës tatimore, me të cilat do të destimulohet nataliteti i lartë, si dhe zgjidhje që do të kontribuojnë për ndryshimin e çlirimit, lehtësimit dhe pakësimit të bazës për pagesë të tatimit mbi bazë të ruajtjes së anëtarëve (fëmijë adoleshentë, nxënës, studentë). Në kuadër të këtyre zgjidhjeve t’i shqyrtojë mundësitë dhe nevojat për tatimin e të ardhurave të personave të pamartuar nga viset me natalitet të ulët;
– duke u nisur nga specifika e fushës në të cilën realizohen masat dhe veprimtaritë, si dhe realizimi afatgjatë i efekteve dhe domosdoshmëria e kontrollit të ndikimit të lëvizjeve demografike mbi realizimin e zhvillimit ekonomik të industrisë, si parakusht për jetesë më cilësore të popullsisë që lëvizjeve demografike t’u jepet përparësi në zhvillim, duke e planifikuar lëvizjen e popullsisë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe duke ndërmarrë zgjidhje për realizimin e natalitetit në përputhje me zhvillimin e planifikuar si detyrim i përhershëm;
– të propozojë dhe ngrejë iniciativa që në planet hapësinore e urbanistike të ndërtohen përcaktime dhe zgjidhje për shtim më të përmbajtur natyror të popullsisë dhe harmonizim të zhvillimit hapësinor të qyteteve dhe vendbanimeve me politikën aktive popullative;
– për realizimin e masave dhe veprimtarive të përcaktuara me këtë rezolutë të propozojë ndarje të mjeteve financiare me rezolutat vjetore për realizimin e zhvillimit shoqëroro-ekonomik në Republikë”.
Siç u tha më lart, krahas Këshillit Ekzekutiv të RSM-së, bartës për zbatimin e masave dhe të veprimtarive të parapara në rezolutë ishin organizatat bazë të punës së bashkuar, bashkësitë lokale, komunat, bashkësitë e interesit vetëqeverisës dhe organet e organizatat e tjera republikane. Për shkak të hapësirës së kufizuar, në vazhdim po i paraqesim vetëm detyrat dhe obligimet e komunave dhe të organizatave shëndetësore:
“Komunat. – në viset me natalitet mbi mesatar t’i orientojnë masat dhe veprimtaritë për zvogëlimin e natalitetit sipas përcaktimeve të kësaj rezolute, si domosdoshmëri për realizimin e jetës më cilësore të popullsisë dhe prosperitetit ekonomik e social, që do të mundësojë arritjen e shkallës së zhvillimit të viseve të zhvilluara;
– në viset me natalitet nën mesatar të ndërmarrin masa dhe veprimtari për realizimin e reproduksionit të thjeshtë të popullsisë dhe të sigurojnë kushte më të volitshme ekonomike e të tjera për krijimin e familjes, lindjes dhe rritjes së fëmijëve;
– në kuadër të zhvillimit të përgjithshëm shoqëror, të ndërmarrin masa dhe veprimtari për përmirësimin e kushteve për jetesë dhe punë në fshat, duke krijuar kushte për ruajtjen e popullsisë së re e të aftë për punë në fshat, ku vëmendje të veçantë t’u kushtohet familjeve të reja; të planifikojnë punësime dhe përfshirje adekuate të fuqisë punëtore të gruas; ta intensifikojnë veprimtarinë për aftësimin e popullatës për shkrim-lexim, veçmas të gjinisë femërore; t’i përforcojnë masat për mbrojtje shëndetësore dhe për zvogëlimin e vdekshmërisë së foshnjave dhe fëmijëve të vegjël; të ndërmarrin masa për punë efikase të këshillimoreve paramartesore, shërbimeve patronazhe në të gjitha vendbanimet nga territori i komunës; të udhëheqin politikë tatimore e cila do ta respektojë modelin e përcaktuar të familjes dhe do ta stimulojë planifikimin e familjes;
– së paku një herë në vit të debatojnë për lëvizjet e popullsisë dhe për efektet nga realizimi i masave dhe veprimtarive dhe sipas gjendjes ekzistuese në lëvizjet demografike të ndërmarrin veprimtari të reja në përputhje me qëllimet e përcaktuara në politikën popullative;
– të sigurojnë prioritet gjatë ndarjes së mjeteve financiare për realizimin e masave të politikës popullatave”.
“Organizatat dhe bashkësitë në fushën e shëndetësisë. – organizatat shëndetësore, përmes shërbimeve për planifikimin e familjes, të sigurojnë këshillime paramartesore, përcjellje të vazhdueshme, të planifikuar e sistematike të mbarë fertilitetit variabël dhe planifikimin e familjes dhe të sigurojnë dokumentacion të tërësishëm mjekësor lidhur me planifikimin e familjes dhe ndërprerjen e shtatzënisë;
– në planifikimin dhe programimin e mbrojtjes shëndetësore organizatat shëndetësore të përpiqen që t’i japin prioritet mbrojtjes preventive shëndetësore, duke siguruar qasje dhe përdorim më të madh të mjeteve kontraceptive;
– organizatat shëndetësore që ofrojnë mbrojtje shëndetësore primare ta zhvillojnë veprimtarinë e patronazhit edhe në fshat, si masë shumë e rëndësishme në mbrojtjen shëndetësore që janë shtatzëne;
– organizatat dhe bashkësitë shëndetësore në mënyrë racionale e efikase ta organizojnë punën e komisioneve për ndërprerjen e shtatzënisë me mundësimin për abort pas fëmijës së dytë dhe për shërbimin informativ-propagandues për planifikimin e familjes”.
Mbështetje të fuqishme Rezolutës i dhanë të gjitha organet dhe organizatat shoqëror-politike më të larta shtetërore, përfshi këtu edhe KQ të LKM-së. Anëtarja e Kryesisë e KQ të LKM-së, Lençe Sofronievska, në mbledhjen e KQ të LKM-së, që u mbajt më 23 shtator 1987, duke folur në emër të Kryesisë, shprehet: “Situata imponon domosdoshmërinë e ndërtimit më të shpejtë të politikës demografike në Republikë, e cila do të niset nga sistemi i masave dhe aktiviteteve të cilat do të ndikojnë në krijimin e kushteve për eliminimin e lëvizjeve demografike-mekanike të paarsyeshme të popullsisë, në kundërshtim me përcaktimet e masave për zhvillim ekonomik e social në Republikë. Një politikë e tillë aktive e politikës popullative është e domosdoshme me përmirësimin e kushteve punonjëse e jetësore të gruas, si dhe me organizimin e aksionit shoqëror kundër botëkuptimeve të prapambetura, ndikimit të religjionit dhe marrëdhënieve patriarkale në familje dhe në mjediset më të gjera do të ndikojë në zvogëlimin e rritjes enorme të natalitetit në komunat me përbërje të përzier nacionale”. Më pas, Sofronievska shton: “Me aktivitetin e përditshëm politik, arsimor, kulturor dhe edukativ duhet të sigurohet ndikimi më i madh i forcave të organizuara subjektive të shoqërisë, në radhë të parë të Lidhjes Socialiste, Konferencës për Veprimtari Shoqërore të Gruas dhe të Lidhjes së Rinisë Socialiste për ngushtimin e hapësirës për politizimin e natalitetit të lartë, që është shumë e rëndësishme për mbrojtjen e gruas së kombësisë shqiptare dhe humanitetin e pozitës së saj në nivelin e zhvillimit të tanishëm civilizues. Për realizimin e këtij qëllimi është e nevojshme të dalin në sipërfaqe dhe të komentohen botëkuptimet fetare e nacionaliste dhe të thellohet vetëdija te klasa punëtore dhe te qytetarët, se planifikimi i familjes është pjesë përbërëse e zhvillimit të përgjithshëm të bashkësisë sonë shoqërore dhe e çdo familjeje veç e veç. Prandaj LK, në të ardhmen do t’i kushtojë kujdes më të madh planifikimit të familjes”.
Për sa u tha më sipër, bie në sy fjalori ofendues i përdorur ngjashëm si në Analizën, po ashtu edhe në Konkluzionet e Komisionit për marrëdhënie ndërnacionale dhe të anëtares së Kryesisë së KQ të LKM-së, Lençe Sofronievska, se gjoja “nataliteti tepër i lartë” te popullsia shqiptare na qenka si pasoj e “botëkuptimeve patriarkale e të prapambetura fetare e nacionaliste” dhe për shkak të “nivelit të ulët arsimor e kulturor të asaj popullsie – veçmas të gjinisë femërore”, e që shteti, përkatësisht Partia Komuniste Maqedonase “në të ardhmen do të angazhohen më shumë në emancipimin arsimor, kulturor e shëndetësor të gruas shqiptare”. Thëniet e këtilla nuk mund të komentohen ndryshe, përveçse si shprehje e hapur e shovinizmit dhe racizmit nga ana e udhëheqjes së atëhershme më të lartë të RS të Maqedonisë ndaj kombit shqiptar në përgjithësi, e të pjesës së saj kompakte në RS të Maqedonisë në veçanti, kjo, aq më tepër, kur dihet se faji për moszhvillimin arsimor e kulturor të shqiptarëve buronte pikërisht brenda asaj udhëheqje, e cila gjatë tërë kohës së ekzistimit të vet, veçmas pas demonstratave shqiptare të vitit 1981 në Kosovë, ndërmori një sërë masash preventive e represive, si: burgosja dhe largimi masiv i arsimtarëve shqiptarë, ndryshimi i plan-programeve mësimore nëpër shkollat me mësim në gjuhën shqipe, me të cilat nxënësve shqiptarë u mohohej e drejta për ta mësuar historinë e tyre kombëtare, largimi nga përdorimi i disa qindra librave nën pretekst se në to ka përmbajtje “armiqësore nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, mbyllja e të gjitha shoqërive kulturor-artistike shqiptare, mbyllja e shkollave të mesme me mësim në gjuhën shqipe dhe krijimi i të ashtuquajturave “paralele të përziera”, ku mësimi zhvillohej vetëm në gjuhën maqedonase, ndryshimi i emrave të shkollave të cilat mbanin emra të figurave të shquara kombëtare, kulturore e arsimore shqiptare e shumë e shumë masa tjera, për të cilat do të flasim në ndonjë rast tjetër.
Në Analizën konfidenciale nr. 41, të hartuar nga Kryesia e Komitetit Komunal të LK të Tetovës, thuhet se “në funksion të veprimtarisë së armikut nga pozita e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar përfshihet edhe nataliteti jashtë mase… Natalitetin e lartë te pjesëtarët e kombësisë shqiptare, theksohet në Analizë, e kanë ushqyer edhe persona të cilët kanë qenë në vende udhëheqëse, të cilët nëpërmjet shembujve të tyre dëshmonin për shumë fëmijë. Kjo nënkupton se nuk është në pyetje vetëm dallimi në kushtet e jetesës, shkallës së arsimimit, dokeve, traditës, botëkuptimeve fetare, por edhe të tjera. Nuk është e kontestueshme as teza që zgjerohet nga nacionalistët për mbisundimin numerik të popullsisë…”.
Kryetari i LKM-së, Jakov Llazarevski, në mbledhjen e XIII të Komitetit Qendror të LKM-së, e cila u mbajt më 1 mars 1988 në Shkup, tha se “nataliteti i lartë prodhon varfëri”. Në vazhdim të fjalimit, Llazarevski u ndal në reagimet e inteligjencës shqiptare të Kosovës, si dhe të shtypit të atëhershëm demokratik të Kroacisë dhe Sllovenisë, ku veç tjerash u shpreh se: “…operacionalizmi i qëllimit zhvillimor të realizimit të politikës aktive demografike, që është edhe detyrë e Programit gjithëjugosllav për Kosovën, u bë temë e paraqitjes së vrazhdë të ekzistimit të disponimit antishqiptar në RS të Maqedonisë, madje edhe për njëfarë nacionalizmi maqedonas, të përkrahur nga udhëheqja jonë partiake e shtetërore…”. Po kështu shprehet edhe nënkryetari i Këshillit Ekzekutiv të RSM-së, Vllado Kambovski, i cili në deklaratën dhënë “Flakës së Vëllazërimit” tha se “masat synojnë të ndryshojnë, para së gjithash kushtet sociale” dhe se, sipas tij, ato ishin të “thjeshtëzuara, të pavërteta, por edhe qëllimkëqija, se bëhet fjalë për masa shtypëse”. Me tone edhe më të ashpra shprehet kryetari i Kuvendit të RS të Maqedonisë, Vullnet Starova, i cili në intervistën dhënë “Flakës së Vëllazërimit”, thekson se “nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar i pengojnë rezultatet e realizuara në lëmin e bashkimit dhe vëllazërimit, bashkëjetesës dhe barazisë” në RS të Maqedonisë, prandaj sipas botëkuptimeve të tij “nacionalistët shqiptarë me sulme të paskrupullta ndikojnë edhe në gjendjen e përgjithshme politike dhe të sigurisë në Maqedoni…”. Ai në vazhdim theksoi se Rezoluta për politikën popullative “duhet kuptuar me tërë kompleksivitetin dhe mënyrën” afatgjate të saj dhe se “atë nuk mund ta gjykojmë dhe të anatemojmë siç veprohet sot në disa mjedise dhe në disa mjete të informimit publik” në Jugosllavi mbi “bazë të shpjegimit të argumentuar dhe shpirtngushtë të disa segmenteve të saj…”.
Ndërkohë, një akt të tillë, që e mori bekimin edhe nga “të zgjedhurit e popullit”, opinioni i atëhershëm demokratik shqiptar, kroat, slloven etj., e konsideroi si një diskriminim i hapur institucional të Shkupit zyrtar kundër popullsisë shqiptare. Ata, para opinionit të gjerë jugosllavë e botëror “shprehën shqetësimin e tyre të madh, që në RS të Maqedonisë zhvillohet politikë e kufizimit të së drejtës elementare njerëzore, përkatësisht të lindjes, madje edhe shfarosjes së kombësisë shqiptare nga këto hapësira”. Kështu, revista kroate “Danas”, Rezolutën për politikën popullative në RS të Maqedonisë e konsideronte si një komplot kundër popullsisë së varfër shqiptare në RS të Maqedonisë. “…Në komunën e Tetovës, shkruante Danas, është vendosur që problemi i ekspansionit demografik të kapërcehet me masa administrative. Kjo do të thotë se çdo familje e cila ka më shumë se dy fëmijë do të ketë pasoja tejet konkrete ekonomike: nuk do të ketë sigurim shëndetësor, nuk do të ketë shtesë fëmijërore dhe do të paguajnë shkollimin. Kjo do të ketë implikime politike dhe morale, do të shkaktojë epidemi, analfabetizëm dhe ashpërsime të mëtejshme në marrëdhëniet ndërnacionale, ngaqë kjo në njëfarë mënyre është komplot kundër popullsisë së varfër shqiptare në RSM. Ky është model kinezo-tetovar, i cili na e kujton edhe modelin rumun, ku lindshmëria e popullsisë rregullohet me represion…”
Pikërisht kjo qasje konstruktive e “Danasit”, por edhe e gazetave, revistave dhe mediumeve tjera të shkruara dhe elektronike kroate e sllovene, e nxori në shesh politikën diskriminuese të udhëheqjes komuniste maqedonase ndaj popullsisë shqiptare. E një rëndësie e madhe është për t’u theksuar fakti se, për dallim nga mediumet kroate dhe ato sllovene, mediumet e atëhershme të pakta në gjuhën shqipe në RS të Maqedonisë qenë shndërruar në vegla të zgjatura të regjimit komunist jugosllavo-maqedonas. Gazeta e vetme në gjuhën shqipe, “Flaka e Vëllazërimit”, e cila dilte tre herë në javë, me direktivën e udhëheqjes politike maqedonase, gjatë muajit prill e maj, e botoi në disa vazhdime fejtonin me titull “Çështjet e zhvillimit demografik dhe politik popullative në RSM”, ku veç tjerash në të thuhej se pjesëmarrja e popullsisë maqedonase në numrin e përgjithshëm të popullsisë në RSM në vitin 1961 na kishte qenë “71,2 për qind”, ndërsa ajo në vitin 1981 kishte rënë në 62,3 për qind. “Në të njëjtën periudhë, vazhdon fejtoni, pjesëmarrja e popullsisë shqiptare shtohet prej 13 për qind në 19,8 për qind, ndërsa ajo e popullsisë turke shënon rënie nga 9,4 për qind në 4,5 për qind”. “Fejtonistja”, Lulzime Limani, me ose pa vetëdije “harron” se pikërisht regjistrimet e popullsisë së viteve 1953 dhe 1961 në RP të Maqedonisë qenë të falsifikuara, ku mbi 60 për qind të popullsisë shqiptare, për shkak procesit të shpërnguljes për në Republikën e Turqisë, qenë detyruar të deklaroheshin si turq, edhe pse ata si për nga gjaku, ashtu edhe për nga gjuha, doket, zakonet dhe tradita ishin shqiptarë. Si shembull po e marrim komunën e Likovës, e cila në regjistrimin e vitit 1948 numëronte gjithsej 12.733 shqiptarë dhe vetëm 5 turq, ndërsa vetëm pas 5 viteve, përkatësisht në regjistrimin e vitit 1953, na doli se aty kishin jetuar vetëm 3.609 shqiptarë, ndërsa çuditërisht numri i “turqve” shkonte në një shifër enorme me shifrën enorme prej 9.978, edhe pse në atë komunë, si gjuhë e vetme familjare ka qenë dhe është gjuha shqipe dhe se në të nuk ka pasur, por edhe sot nuk ka asnjë shkollë fillore me mësim në gjuhën turke.
E njëjta gazetë, për ta dëshmuar lojalitetin e saj ndaj regjimit, më 10 shkurt 1988, e botoi shkrimin e gazetarit maqedonas, Vlladimir Tulevski, i cili në fakt ishte një reagim ndaj shkrimit të lartpërmendur të revistës “Danas”, sipas të cilit, revista në fjalë, si qëllim parësor e paska pasur “degradimin e vlerave themelore” të rezolutës dhe se ajo nuk i ka “marrë parasysh” deklaratat e botuara në po të njëjtin numër të Abdullah Ademit, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Komunës së Tetovës, dhe të Vaso Spasovskit, kryetari i LK-së së Tetovës, të cilët kishin deklaruar se “komuna shkon drejt kolapsit ekonomik” dhe se ajo nuk kishte një rrugëdalje e as që mund “ta përballonte presionin e lindshmërisë së madhe, e cila qysh nesër mund të shkaktojë pasoja të papara sociale dhe politike…”.