1101 – Aishja (r.a) ka thënë: “Profeti (a.s) nuk ka qenë i përkushtuar ndaj asnjë adhurimi vullnetar më shumë sesa ndaj dy rekatve të Sabahut.”[1]
1102 – Aishja (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vlera e dy rekateve sunet të Sabahut është më e madhe se e gjithë dunjaja dhe pasuria që ajo mbart.”[2]
Në një transmetim tjetër qëndron se Profeti (a.s) ka thënë:“Dy rekatet sunet të Sabahut janë më të dashura për mua se e gjithë dunjaja.”[3]
1103 – Nga Ebu Abdullah, Bilal ibn Rebahi (r.a), muezini i të Dërguarit të Allahut (a.s), transmetohet se ai shkoi te i Dërguari i Allahut (a.s) për të thirrur ezanin e sabahut por Aishja (r.a) e kishte ndalur Bilalin për ta pyetur për një çështje, derisa u gdhi mirë. Atëherë Bilali u ngrit dhe e thirri ezanin për të falur namazin dhe e vazhdoi ta thirrte atë, por i Dërguari i Allahut (a.s) nuk doli menjëherë. Kur doli dhe u fal me njerëzit, ai (Bilali) e njoftoi se Aishja e kishte ndalur për ta pyetur për një çështje derisa u gdhi mirë, dhe se kjo ishte arsyeja se përse ishte vonuar për të dalë. Ai d.m.th. Profeti (a.s) tha: Unë isha duke falur dy rekate të sabahut (synetin e sabahut). Bilali tha: O i Dërguar i Allahut, por tashmë është gdhirë shumë? Ai (a.s) tha: “Edhe sikur të ishte gdhirë më shumë se kaq, unë prapë do t’i kisha falur ato dy rekate dhe do t’i kisha falur bukur dhe në mënyrën më të përsosur.”[4]
Kapitulli: Falja shkurt e dy rekateve të Sabahut, sqarimi i asaj që lexohet në to dhe sqarimi i kohës së tyre
1104 – Aishja (r.a) tregon: “Profeti (a.s) falte dy rekate të lehta (të shkurtra) midis ezanit dhe ikametit të namazit të sabahut.”[5]
Në një transmetim tjetër po tek Buhariu dhe Muslimi qëndron se Aishja ka thënë: “Ai (a.s) falte dy rekatet e Sababut aq të shkurtra saqë thoja: “A e ka lexuar në to suren Fatiha apo jo.”[6]
Në transmetimin e Muslimit thuhet: “Ai (a.s) i falte dy rekatet e Sabahut pasi dëgjonte ezanin dhe i falte të shkurtra”
Dhe në një transmetim: “Kur dilte agimi”
1105 – Hafsa (r.a) ka thënë se kur muezini thërriste ezanin e Sabahut, i Dërguari i Allahut (a.s) fillonte të falte Sabahun (sunetin), dy rekate të shkurtra.”[7]
Në transmetimin e imam Muslimit thuhet: “Kur lindte agimi, i Dërguari i Allahut (a.s) falte dy rekate të shkurtra.”
1106 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) kur falej natën falej me nga dy e dy rekate dhe e përfundonte me një rekat (vitrin) në fund të natës. Pastaj falte dy rekate para namazit të sabahut dhe ishte sikur ezani (ikameti) t’i dëgjohej në vesh.”[8]
1107 – Ibn Abasi (r.a) transmeton se kur ka pasë falë namazin e Sabahut, në rekatin e parë ka pasë lexuar: “Kulu Amenna bil lahi ue ma unzile ilejna” ajeti i sures Bekare dhe në rekatin e fundit (të dytin) ka pasë lexuar: “Amenna bil lahi uesh hed bi enna muslimun”[9]
Dhe në një transmetim tjetër: Në rekatin e fundit (tjetër) ka pasë lexuar ajetin e sures Ali Imran: “Tealeu ila kelimetin seuain bejnena ue bejnekum”
1108 – Ebu Hurejra (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) lexonte suret “Kafirun” dhe “Ihlas” në dy rekatet sunet të namazit të Sabahut”[10]
1109 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: “E kam vëzhguar Profetin (a.s) një muaj, në dy rekatet sunet para namazit të sabahut ka pasë lexuar “Kul ja Ejjuhel Kafirun” dhe “Kul huua llahu ehad”[11]
Kapitulli: Pëlqyeshmëria e shtrirjes në krahun e djathë pas dy rekateve të Sabahut (suneteve) dhe nxitja për ta bërë këtë edhe nëse është falur namazi i tehexhudit natën apo jo
1110 – Aishja (r.a) ka thënë: “Kur Profeti (a.s) falte dy rekatet sunet të Sabahut, mbështetej në krahun e djathtë.”[12]
111 – Aishja (r.a) ka thënë: “Profeti (a.s) falej (natën) ndërmjet përfundimit të namazit të jacisë dhe agimit njëmbëdhjetë rekate; jepte selam pas çdo dy rekatesh dhe e përfundonte me një rekat (vitër).
Kur muezini mbaronte thirrjen e ezanit të sabahut dhe ai (Pejgamberi) e kishte dalluar agimin, dhe muezini vinte tek ai, ai çohej e falej dy rekate të lehta (të shkurtra), pastaj shtrihej në anën e tij të djathtë, kështu derisa të vinte muezini për të thirrur ikametin.”[13]
1112 – Ebu Hurejrja (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur dikush prej jush fal dy rekate (sunet) të Sabahut, le të shtrihet nga krahu i djathtë!”[14]
Kapitulli: Sunetet e Drekës
1113 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: “Kam falur së bashku me të Dërguarin e Allahut (a.s) dy rekate para Drekës dhe dy pas saj.”[15]
1114 – Aishja (r.a) transmeton se Profeti (a.s) nuk i ka pasë lënë pa i falur katër rekate para Drekës.”[16]
1115 – Aishja (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka pasë falur në shtëpinë time katër rekate para drekës, pastaj dilte dhe falej me njerëzit (në xhami), pastaj kthehej në shtëpi dhe falte dy rekate. Ai falej me njerëzit në namazin e akshamit, pastaj hynte në shtëpinë time dhe falte dy rekate. Po ashtu falej me njerëzit në namazin e jacisë, pastaj hynte në shtëpinë time dhe falte dy rekate.”[17]
1116 – Umu Habibete (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush i fal rregullisht katër rekate (sunet) para dhe pas Drekës, Allahu ia ka ndaluar Zjarrin.”[18]
1117 – Abdulla ibn Saib (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka pasë falur katër rekate para Drekës kur dielli e kalonte zenitin. Ai tha: “Ai është një moment ku hapen dyert e qiellit, dhe unë kam dëshirë që në të ngjitet një vepër e mirë.”[19]
1118 – Aishja (r.a) transmeton se kur Profeti (a.s) nuk i ka pasë falur katër rekatet (sunet) para Drekës, i falte ato pas Drekës.”[20]
Kapitulli: Sunetet e Ikindisë
1119 – Ali ibn Ebu Talibi (r.a) ka thënë: “Profeti (a.s) ka pasë falur katër rekate (sunet) para Ikindisë duke dhënë selam ndërmjet çdo dy rekateve (duke thënë): “Selam mbi engjëjt e afërt (pranë Allahut) dhe mbi ata që i pasojnë ata prej myslimanëve dhe besimtarëve.”[21]
1120 – Ibn Omeri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Allahu e mëshiroftë atë njeri që fal katër rekate (sunet) para Ikindisë.”[22]
1121 – Ali ibn Ebu Talib (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka pasë falur dy rekate (sunet) para Ikindisë.”[23]
Kapitulli: Sunet e parme dhe të mbrapme të Akshamit
1122 – Abdulla ibn Mugaffel (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Falni namaz para Akshamit!” Në të tretën herë tha: “Për atë që ka dëshirë.”[24]
1123 – Enesi (r.a) ka thënë: “I kam parë të mëdhenjtë e shokëve të të Dërguarit (a.s) të nxitojnë drejt shtyllave të xhamisë (për t’i marrë si sutre) në kohën e namazit të Akshamit.”[25]
1124 – Enesi (r.a) ka thënë: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut (a.s), pas perëndimit të diellit para Akshamit kemi pasë falur dy rekate (sunet). Dikush pyeti: Po i Dërguari i Allahut (a.s) a i ka pasë falur? Ai (Enesi) tha: Ai na shikonte që ne i falnim dhe nuk na ka pasë urdhëruar (që t’i falnim) dhe as na ndalonte (që mos t’i falnim)”[26]
1125 – Enesi (r.a) ka thënë: “Kemi qenë në Medine dhe kur muezini thërriste ezanin e Akshamit, ata (shokët) nxitonin drejt shtyllave të xhamive për të falur dy rekate. Kur një i huaj hynte në xhami kujtonte se namazi (farz) i Alkshamit ishte falur për shkak se numri i atyre që fanin dy rekatet sunet ishte i shumtë.”[27]
Kapitulli: Sunet e parme dhe të mbrapme të Jacisë
Hadithi i Ibn Omerit (r.a) i cili ka thënë: “Kam falur unë dhe Profeti (a.s) dy rekate (sunet) pas Jacisë” dhe hadithi i Abdulla ibn Mugaffelit (r.a) në cilin Profeti (a.s) ka thënë: “Midis dy ezaneve ka falje të namazit.”
Kapitulli: Sunetet e Xhumasë
1126 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur të falni namazin e Xhumasë, falni pas saj edhe katër rekate sunet.”[28]
1127 – Ibn Omeri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) nuk falte pas Xhumasë ndonjë namaz derisa të largohej (nga xhamia). Ai ka pasë falur dy rekate (sunet të Xhumasë) në shtëpi.”[29]
Kapitulli: Pëlqyeshmëria e faljes së namazeve vullnetare në shtëpi, qoftë ato të rregullta apo të tjera dhe urdhri për t’u zhvendosur nga vendi i faljes së farzit kur dëshiron të falësh namazin vullnetar, ose për t’i ndarë ato të dyja duke thënë ndonjë fjalë
1128 – Zejd ibn Thabit (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë:“O njerëz! Faluni nëpër shtëpitë tuaja! Namazi më me vlerë për njeriun është namazi që ai fal në shtëpi, përveç namazeve farz ( i cili është më mirë të falet në xhami).”[30]
1129 – Ibn Omeri (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë:“Një pjesë të namazit (namazet sunete) faleni në shtëpi dhe mos i shndërroni ato në varreza.”[31]
1130 – Xhabiri (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Pas faljes së namazit në xhami, lëreni një pjesë të namazit edhe për në shtëpi. Për shkak së për namazin që falet në shtëpi, Allahu lëshon begatitë e Tij në atë shtëpi.”[32]
1131 – Nga Omer ibn Ata’ transmetohet se Nafi ibn Xhubejri e kishte dërguar atë te Saibi, biri motrës së Nemerit, për ta pyetur lidhur me diçka që Muavija e kishte parë prej tij në namaz. Ai tha: “Po, kam falur me të xhumanë në Maksure (dhomë e veçantë brenda xhamisë për udhëheqësit). Kur imami dha selam, unë qëndrova në vendin tim dhe fillova të fal një namaz tjetër. Kur hyri (Muavija), dërgoi njeri dhe më thirri. Ai më tha: Mos e përsërit më atë që bëre! Kur ta falësh xhumanë, mos e lidh menjëherë me një namaz tjetër derisa të flasësh ose të dalësh. Sepse i Dërguari i Allahut (a.s) na ka urdhëruar që të mos e lidhim një namaz me një tjetër pa folur ose pa dalë.”[33]
Kapitulli: Motivimi për të falur namazin e Vitrit, sqarimi se ai është Sunet i fortë dhe sqarimi i kohës në të cilën duhet falur
1132 – Aliu (r.a) ka thënë: “Namazi i Vitrit nuk është me detyrim si namazi farz, por i Dërguari i Allahut (a.s) e ka bërë atë legjitimi (sunet). Ai tha: Vërtet, Allahut është Një i Vetëm dhe e do tekun, prandaj o pasues të Kuranit, kur ta falni Vitrin faleni me rekat tek!”[34]
1133 – Aishja (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) e ka pasë falë Vitrin në çdo pjesë të natës; në fillim të natës, në mes dhe në fund. Koha e faljes së Vitrit përfundonte në kohën e Syfyrit.”[35]
1134 – Ibn Omeri (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Namazi i fundit që falni natën, le të jetë namaz tek (namazi i vitrit).”[36]
1135 – Ebu Seid El Hudri (r.a) ka thënë: “Faleni Vitrin përpara se të gdhijë (dita)!”[37]
1136 – Aishja (r.a) tregon: “Profeti (a.s) falte namaz nate ndërkohë që unë isha e shtrirë para tij. Kur nga koha kishte mbetur sa për të falur namazin e vitrit, ai (a.s) më zgjonte dhe unë falja namazin e vitrit.”[38]
Në një transmetim tjetër qëndron se Aishja ka thënë: “Kur nga koha kishte mbetur sa për të falur namazin e vitrit, ai (a.s) më thoshte: “Çohu dhe fale vitrin oj Aishe!”
1137 – Ibn Omeri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Faleni Vitrin (qoftë edhe një rekat) para kohës së namazit të Sabahut!”[39]
1138 – Xhabir (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kush ka frikë se nuk mund të ngrihet në fund të natës, le ta falë Vitrin në fillim të saj. Kush lakmon (shpreson) që ta falë namazin e Vitrit në fund të natës, le ta falë në fund të saj, sepse fundi i natës është i dëshmuar (nga engjëjt) dhe kjo është më e mira.”[40]
Kapitulli: Vlera e namazit të Duhasë: Sqarimi i minimumit, maksimumit dhe mesatares së saj si dhe motivimi për ta falur atë rregullisht
1139 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: “Miku im i dashur dhe i shtrenjtë (a.s) më ka këshilluar me tre gjëra: të agjëroj tre ditë për çdo muaj, të fal dy rekate namaz Duhaje dhe të fal namazin e vitrit para se të bie në gjumë.”[41]
1140 – Ebu Dherr (r.a) trasnmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Çdo mëngjes për çdo nyje të secilit prej jush ka sadaka. Çdo fjalë “Subhanallah” që thua është sadaka. Çdo fjalë “Elhamdulil lah” që thua është sadaka. Çdo fjalë “La ilahe il lall llah” që thua është sadaka. Çdo fjalë “Allahu Ekber” që thua është sadaka. Të urdhërosh për mirë është sadaka dhe të ndalosh nga e keqja është sadaka. Të gjithë këto i zëvendëson falja e dy rekateve të namazit të duhasë.”[42]
1141 – Aishja (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) e ka pasë falur namazin e Duhasë katër rekate dhe shtonte aq sa të dëshironte Allahu.”[43]
1142 – Nga Ummu Hani, Fahitete bintu Ebu Talibin (r.a) transmetohet se ajo ka thënë: “Erdha te Profeti (a.s) ditën e çlirimit të Mekës, dhe ai ishte duke u larë. Kur ai (a.s) mbaroi fali tetë rekate të namazit të Duhasë.”[44]
Kapitulli: Lejueshmëria e faljes së namazit të Duhasë nga ngritja e diellit deri në kohën kur ai afrohet drejt zenitit. Më e mira është që ai të falet kur i nxehti shtohet dhe koha e Duhasë është ngritur mirë
1143 – Zejd ibn Erkami (r.a) transmeton se ai pa disa njerëz duke falur namazin e Duhasë. Ai tha: Me të vërtetë ata e dinë se falja e namazit në një kohë tjetër është më i vlefshëm. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Namazi i të rikthyerve te Allahu është në kohën kur këlyshët e deveve e ndiejnë nxehtësinë nën këmbë.”[45]
Kapitulli: Motivimi për të falur namazin e përshëndetjes së xhamisë, dhe rregulli për mospëlqimin e uljes pa falur dy rekate, në çdo kohë që hyn në xhami, qofshin këto dy rekate me nijet të përshëndetjes së xhamisë, ose namaz farz, ose sunet i rregullt, apo ndonjë namaz tjetër
1144 – Ebu Katade (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kur dikush prej jush të hyjë në xhami, të mos ulet pa falur më parë dy rekate!”[46]
1145 – Xhabiri (r.a) ka thënë: “Shkova tek Profeti (a.s) dhe ai ishte në xhami. Ai tha: Fali dy rekate!”[47]
Kapitulli i pëlqimit të faljes së dy rekateve pas marrjes së abdesit
1146 – Ebu Hurejra (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) i tha Bilalit: “O Bilal! Më thuaj për punën më shpresëdhënëse që ke punuar në Islam. Unë kam dëgjuar zhurmën e këpucëve të tua afër meje në Xhenet”. Ai tha: “Puna për të cilën unë shpresoj të shpërblehem, është falja e dy rekateve pas marrjes së abdesit. Këtë e kam bërë gjithmonë, ditën dhe natën, sa herë që kam marrë abdes.”[48]
Kapitulli: Vlera e ditës së xhuma, obligueshmëria e saj, marrja e gusulit, përdorimi i parfumit dhe shkuarja herët në namaz; lutja ditën e xhuma dhe dërgimi i salavateve për Profetin (a.s); mbi sqarimin e orës së pranimit të lutjeve dhe rekomandimin për shtimin e përmendjes së Allahut pas namazit të xhumasë
1147 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Dita më e mirë në cilën dielli lind është Dita e Xhuma, në atë ditë është krijuar Ademi, në atë ditë është futur në Xhenet dhe po në atë ditë ka dalë prej tij.”[49]
1148 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush merr abdes në formën më të mirë, shkon për të falur Xhumanë, dëgjon dhe hesht, i falen të githa mëkatet që nga Xhuamaja e kaluar deri në këtë Xhuma, madje edhe tre ditë më tepër (e përfshin falja). Kush lëviz guralecët nga xhamia në ditën e Xhuma e ka humbur shpërblimin e Xhumasë (e ka kthyer namazin e Xhumasë në namaz dreke)”[50]
1149 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Pesë namazet, nga Xhumaja në të Xhuma dhe nga Ramazani në Ramazan janë shlyerje të mëkateve që bëhen midis tyre përderisa njeriu i shmanget mëkateve të mëdha.”[51]
1150 – Ebu Hurejra (r.a) dhe ibn Omeri (r.a) kanë dëgjuar të Dërguarin të thotë në shtyllat e minberit të tij: “Le të heqin dorë nga lënia e xhumasë një grup njerëzish, ose përndryshe Allahu do t’ia vulosë atyre zemrën, pastaj ata do të jenë prej të shkujdesurëve.”[52]
1151 – Ibn Omeri (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush vjen për të falur namazin e Xhumasë, atëherë le të marrë gusul!”[53]
1152 – Ebu Said Hudriu (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Gusli i ditës së Xhuma është obligim për çdo musliman që ka arritur pubertetin.”[54]
1153 – Semure (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush merr abdes ditën e Xhuma, kjo është mirë dhe e bereqetshme, por kush merr gusul kjo është më e vlefshme.”[55]
1154 – Selmani (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush lahet ditën e Xhuma dhe pastrohet aq sa ka mundësi të pastrohet, më pas lyen flokët, ose parfumoset me parfum nga shtëpia e tij dhe pastaj del e shkon në xhami duke mos ndarë mes dy vetave që janë ulur pranë njëri-tjetrit në xhami, pastaj fal farzin, pastaj në heshtje dëgjon imamin që flet, do t’i falen mëkatet nga xhumaja deri në xhumanë tjetër.”[56]
1155 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kush lahet për ditë Xhumaje njësoj sikur lahet nga xhunubllëku dhe shkon në xhami në orën e parë (i pari që shkon në xhami), do të shpërblehet sikur ka bërë kurban një deve. Kush shkon në xhami në orën e dytë, është njësoj sikur ka bërë kurban një lopë. Kush shkon në xhami në orën e tretë, është njësoj sikur ka bërë kurban një dash me brirë. Kush shkon në xhami në orën e katërt, është njësoj sikur ka bërë kurban një dele. Kush shkon në xhami në orën e pestë, është njësoj sikur ka bërë kurban (ka dhënë sadaka) një vezë. Kur imami hyp në minber për të predikuar, engjëjt që shkruajnë ata që vijnë në xhami, largohen nga dyert e xhamive për të dëgjuar imamin.”[57]
1156 – Ebu Hurejrah (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) përmendi ditën e Xhuma dhe tha: “Në këtë ditë është një orë, e cila nëse përputhet me faljen dhe lutjen e një besimtari, atij do t`i pranohet namazi dhe do t`i jepet ajo çfarë kërkon”. Ai bëri me shenjë me dorë (se koha e kësaj ore është shumë e ngushtë dhe janë të paktë ata që përfitojnë prej saj).”[58]
1157 – Ebu Musa Esh’ariu (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) na foli për orën e bekuar të ditës së Xhuma dhe na tha: “Ora e bekuar është në intervalin kohor nga çasti që ulet imami për të mbajtur hutben deri sa të mbarojë namazi i Xhumasë.”[59]
1158 – Eus ibn Eus (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Nga ditët më të mira që keni është dita e Xhuma. Shtoni në këtë ditë salvatet për mua, sepse salavatet tuaja më paraqiten mua”[60]
Kapitulli: Pëlqyeshmëria e të bërit sexhden e mirënjohjes kur ndodh një mirësi e dukshme apo largohet një fatkeqësi e dukshme
1159 – Sa’d ibn Ebi Uekasi (r.a) ka thënë: “Dolëm së bashku me të Dërguarin e Allahut (a.s) nga Meka, me synimin për të shkuar në Medinë. Kur u afruam te vendi i quajtur “Azuara”, ai zbriti, pastaj ngriti duart dhe iu lut Allahut për një kohë të gjatë. Më pas ra në sexhde dhe qëndroi gjatë. Pastaj u ngrit dhe ngriti sërish duart për një kohë, mandej ra në sexhde. E bëri këtë tri herë. E pastaj tha: “Unë i kërkova Zotit tim dhe ndërmjetësova për umetin tim, e Ai më dha një të tretën e umetit tim, andaj rashë në sexhde para Zotit tim për falënderim. Pastaj ngrita kokën dhe i kërkova Zotit tim për umetin tim, e Ai më dha edhe një të tretë tjetër, dhe unë rashë në sexhde për falënderim. Pastaj ngrita kokën dhe i kërkova Zotit tim për umetin tim, e Ai më dha edhe të tretën e fundit, dhe unë rashë në sexhde para Zotit tim (për falënderim).”[61]
Kapitulli: Vlera e faljes së namazit të natës
1160 – Aishja (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) falej natën aq shumë sa i çaheshin këmbët. I thashë: “Përse falesh kaq shumë, kur Allahu të ka falur të gjitha mëkatet, të parat dhe të fundit? Ai (a.s) tha: “A nuk duhet të jem rob falënderues?!”[62]
1161 – Aliu (r.a) trasmeton se Profeti (a.s) shkoi një natë tek ai dhe Fatimja dhe tha: A nuk po faleni?”[63]
1162 – Salim ibn Abdullah ibn Omer ibn Hatab (r.a) transmeton nga babai i tij se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Sa burrë i mirë që është Abdullahu, sikur të ishte falur gjatë natës.” Salimi tha: Pas këtyre fjalëve, Abdullahu gjatë natës flinte shumë pak gjumë.”[64]
1163 – Abdullah ibn Amër ibn El As (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) më ka thënë: “O Abdullah! Mos i ngjaj filanit, i cili ka pasë qenë falur natën, kurse tani nuk falet më.”[65]
1164 – Ibn Mes’udi (r.a) tregon: “Dikush i përmendi të Dërguarit të Allahut (a.s) dikë, që kishte fjetur gjatë gjithë natës deri në lindjen e diellit. Profeti (a.s) tha: “Shejtani ka urinuar në të dy veshët e atij njeriu –transmetuesi dyshon- ose në njërin prej tyre.”[66]
1165 – Ebu Hurejrah (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Shejtani lidh tre nyje në qafën e çdonjërit prej jush, kur jeni në gjumë. Për çdo nyje ai thotë: “Qoftë natë e gjatë për ty! Fli sa më rehat”. Kur zgjohet dhe e përmend Allahun, zgjidhet nyja e parë. Nëse merr abdes, zgjidhet nyeja e dytë. Nëse falet, zgjidhen të gjitha nyjet. Kështu (besimtari ose besimtarja) është gjatë gjithë ditës aktiv (i gjallë dhe i zellshëm) dhe shpirtërisht i qetë. Në të kundërt (nëse nuk zgjohet, nuk merr abdes dhe nuk falet) gdhihet i demoralizuar shpirtërisht dhe përtac.”[67]
1166 – Abdullah ibn Selami (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë:“O njerëz! Përhapeni selamin, jepni ushqim dhe faluni natën kur njerëzit janë në gjumë, pasi kështu do të hyni të qetë (sigurtë) në Xhenet.”[68]
1167 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Agjërimi më me vlerë pas Ramazanit është agjërimi i muajit Muharrem dhe namazi më me vlerë pas atij që është farz është namazi i natës.”[69]
1168 – Ibn Omeri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Namazi i natës falet dy e nga dy rekate. Nëse ke frikë se po vjen koha e Sabahut, atëherë fal vitrin me një rekat!”[70]
1169 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) kur falej natën falej me nga dy e dy rekate dhe e përfundonte me një rekat (vitrin) në fund të natës.”[71]
1170 – Enesi (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) e kalonte muajin duke mos agjëruar aqsa ne mendonim se nuk do të agjëronte fare prej tij; dhe ndonjëherë agjëronte aq shumë, saqë mendonim se nuk do ta prishte agjërimin fare prej tij. Dhe ai (a.s) ishte i tillë që, kur të doje ta shihje natën duke u falur, e shihje; dhe kur të doje ta shihje duke fjetur, e shihje.”[72]
1171 – Aishja (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka pasë falur njëmbëdhjetë rekate – domethënë gjatë natës. Ai binte në sexhde aq gjatë sa çdonjëri prej jush do të mund të lexonte pesëdhjetë ajete para se ta ngrinte kokën. Pastaj falej dy rekate para namazit të Sabahut, e më pas shtrihej në anën e tij të djathtë derisa të vinte thirrësi i namazit.”[73]
1172 – Aishja (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) nuk shtonte (në namazin e natës) – as në Ramazan e as jashtë tij – më shumë se njëmbëdhjetë rekate. Ai falte katër rekate, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre; pastaj falte edhe katër të tjera, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre; pastaj falte tre rekate vitr. Unë thashë: O i Dërguari i Allahut, a fle para se ta falësh vitrin? Ai tha: O Aishe, sytë e mi flenë, por zemra ime nuk fle.”[74]
1173 – Aishja (r.a) transmeton se Profeti (a.s) në fillim të natës flinte gjumë, kurse në fund të saj çohej dhe falte namaz.”[75]
1774 – Ibn Mesudi (r.a) ka thënë: Një natë u fala bashkë me Profetin (a.s). Ai (a.s) qëndroi gjatë në këmbë saqë mendova të bëj një gjë të pahijshme. Dikush e pyeti: Çfarë mendove të bësh? Mendova të ulesha dhe ta lija.”[76]
1175 – Hudhejfe ibn Jemani (r.a) ka thënë: Një natë u fala bashkë me Profetin (a.s). Faljen e namazit e filloi me këndimin e sures Bekare. (Me vete thashë): ka për të rënë në ruku pasi të këndojë njëqind ajete. Mirëpo pas këndimit të njëqind ajeteve, ai (a.s) vazhdoi më tej. (Me vete thashë): kur të mbarojë së kënduari të gjithë suren do të bijë në ruku. Ai (a.s) vazhdoi derisa e përfundoi së kënduari atë. (Me vete thashë): tani do të bjerë në ruku. Por, ai (a.s) filloi të këndonte suren Nisa dhe e këndoi të tërën. Pastaj filloi të këndonte suren Ali Imran derisa e përfundoi. Ai (a.s) këndonte me ngadalë dhe me përqendrim: kur këndonte një ajet që përmbante lavdërim, e lavdëronte Allahun, kur këndonte një ajet lutjeje, lutej dhe kur këndonte një ajet që duhet të kërkonte mbrojtje, kërkonte mbrojtje. Më pas ai ra në ruku dhe tha: “Subhane rabbijel adhim” Qëndrimi në ruku ishte pothuajse sa ai në këmbë. Pastaj u çua duke thënë: “Semiallahu limen hamideh. Rabbena ue lekel hamd” Pastaj qëndroi në këmbë pothuajse sa qëndrimi në ruku, pastaj ra në sexhde dhe tha: “Subhane rabbijel A’la” Edhe qëndrimi në sexhde ishte pothuajse sa qëndrimi në këmbë.”[77]
1176 – Xhabiri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) është pyetur: Cili namaz është më i vlefshëm? Ai (a.s) ka thënë: Ai namaz që falet duke qëndruar sa më gjatë.”[78]
1177 – Abdullah ibn Amri (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Namazi më i dashur për Allahun, është namazi i Daudit dhe agjërimi më i dashur për Allahun, është agjërimi i Daudit. Gjysmën e natës flinte gjumë, në një të tretën e saj falej dhe në një të gjashtën e natës flinte prapë. Një ditë agjëronte dhe një ditë nuk agjëronte.”[79]
1178 – Xhabir ibn Abdullahu (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Natën është një orë, nëse myslimani i lutet Allahut në këtë orë për ndonjë çështje të kësaj bote apo të botës tjetër, do t`i jepet ajo që kërkon. Kjo orë është çdo natë.”[80]
1179 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Nëse dikush prej jush zgjohet natën për të falur namaz nate, atëherë le ta fillojë me faljen e dy rekateve të lehta!”[81]
1780 – Aishja (r.a) ka thënë: “Kur i Dërguari zgjohej natën, në fillim falte dy rekate të lehta.”[82]
1781 – Aishja (r.a) ka thënë: “Kur Profetit (a.s) i kalonte pa falur namazin i natës për shkak të ndonjë sëmundje apo diç tjetër, ai falej gjatë ditës dymbëdhejtë rekate.”[83]
1182 – Omer ibn Hatabi (r.a) tregon se Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Atë person që e zë gjumi dhe nuk e kryen apo nuk e plotëson pjesën e tij të përnatshme të leximit të Kuranit, atëherë le ta lexojë atë mes namazit të sabahut dhe ylesë. Nëse e bën këtë, atëherë i i shkruhet sikur ta ketë lexuar gjatë natës.”[84]
1183 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu e mëshiroftë atë burrë që çohet natën, falet dhe e zgjon bashkëshorten e tij; e nëse ajo ngurron, i hedh pak ujë në fytyrë. Allahu e mëshiroftë atë grua që çohet natën, falet dhe e zgjon bashkëshortin e saj; e nëse ai ngurron, i hedh pak ujë në fytyrë.”[85]
1184 – Ebu Hurejra (r.a) dhe Ebu Seidi (r.a) kanë thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse burri e zgjon familjen e tij natën, e ata falen, ose falin së bashku dy rekate, regjistrohen prej meshkujve dhe femrave që e përmendin Allahun.”[86]
1185 – Aishja (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Kur dikush nga ju po falet dhe i vjen gjumë, le të shkojë të shtrihet dhe të flejë, derisa t`i largohet gjumi. Ka të ngjarë që dikush nga ju që falet duke qenë përgjumësh, dëshiron t`i kërkojë falje Allahut, por mallkon veten.”[87]
1186 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush ngrihet natën (për të falur) dhe gjuha i ngatërrohet në leximin e Kuranit, saqë nuk e di çfarë po thotë, le të shtrihet (për të pushuar).”[88]
KAPITULLI: “VLERA E FALJES SË NAMAZIT TË TERAVIVE ”
1187 – Ebu Hurjerja (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kush falet në Ramazan (namaz teravie) me besim dhe duke shpresuar shpërblimin nga Allahu, do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.”[89]
1188 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) i nxiste njerëzit për namazin e natës në Ramazan, pa ua bërë këtë detyrim. Ai thoshte: ‘Kush e fal Ramazanin me besim dhe me duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.”[90]
Kapitulli: Mbi virtytin e faljes së natës së Kadrit dhe sqarimin e netëve më të shpresuara për të
1189 – Ebu Hurerja (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kush falet në natën e Kadrit (namaz teravie) me besim dhe duke shpresuar shpërblimin nga Allahu, do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.”[91]
1190 – Ibn Umeri (r.a) transmeton se disa burra prej shokëve të Profetit (a.s) kishin parë në ëndërr se Nata e Kadrit ishte në shtatë netët e fundit. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Shikoj se ëndrrat tuaja janë përputhur në shtatë netët e fundit; prandaj, kush synon ta kërkojë atë, le ta kërkojë në shtatë netët e fundit!”[92]
1191 – Aishja (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) bënte itikaf në dhjetë netët e fundit të Ramazanit. Ai (a.s) na thoshte:“Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit!”[93]
1192 – Aishja (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kërkojeni natën e Kadrit në netët e dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit!”[94]
1193 – Aishja (r.a) ka thënë: “Kur hynte dhjetëditëshi i fundit i Ramazanit, i Dërguari i Allahut (a.s) falej natën, e zgjonte familjen, përkushtohej në maksimum dhe shtrëngonte rripin.”[95]
1194 – Aishja (r.a) ka thënë: “Përkushtimi i të Dërguarit të Allahut (a.s) në Ramazan ka qenë i pakrahasueshëm me përkushtimin që kishte në kohë të tjera, ndërsa përkushtimi në dhjetëditëshin e fundit nuk krahasohej me asnjë periudhë tjetër.”[96]
1195 – Aishja (r.a) tregon: “E pyeta Profetin (a.s): “O i Dërguari i Allahut! Nëse unë e gjej këtë natë, çfarë duhet të them?” I Dërguari i Allahut (a.s) më tha: “Thuaj: O Allah! Ti je Falës i Madh, e do faljen, prandaj më fal mua.”[97]
KAPITULLI: “VLERA E MISVAKUT DHE SUNETET E FITRAS (NATYRSHMËRISË)”
1196 – Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Sikur mos t’ia vështirësoja Umetit tim – apo njerëzve – do t’i urdhëroja që të përdornin misvakun para se të falnin namazin.”[98]
1197 – Hudhejfe (r.a) transmeton se “I Dërguari i Allahut (a.s) sa herë që zgjohej natës e fërkonte gojën me misvak.”[99]
1198 – Aishja (r.a) tregon: “Ne ia bënim gati të Dërguarit të Allahut (a.s) misvakun dhe ujin për të marrë abdes. Në çdo pjesë të natës që ia mundësonte Allahut të ngrihej, ai përdorte misvakun, merrte abdes dhe falej.”[100]
1199 – Enesi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ju kam këshilluar shpesh që të përdorni misvakun.”[101]
1200 – Shurejh ibn Hani ka thënë: I thashë Aishes (r.a): “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) hynte në shtëpi, cili ishte veprimi i parë që bënte? Ajo tha: Përdorte misvakun.”[102]
Përktheu; Elton Harxhi
[1] – Buhariu (1169) dhe Muslimi (724).
[2] – Muslimi (725).
[3] – Muslimi (725).
[4] – Ebu Daudi (1257). Hadithi është Hasen.
[5] – Buhariu (619) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (724).
[6] – Buhariu (1171) dhe Muslimi (724) me tekstin në fjalë.
[7] – Buhariu (618) dhe Muslimi (723) me pak ndryshim.
[8] – Buhariu (995) dhe Muslimi (749).
[9] – Muslimi (727).
[10] – Muslimi (726).
[11] – Tirmidhiu (417). Hadithi është Sahih.
[12] – Buhariu (1160).
[13] – Muslimi (736).
[14] – Ebu Daudi (1261) dhe Tirmidhiu (420). Hadithi është Sahih.
[15] – Buhariu (1180) dhe Muslimi (729).
[16] – Buhariu (1182).
[17] – Muslimi (730).
[18] – Ebu Daudi (1269) dhe Tirmidhiu (427, 428). Hadithi është Sahih.
[19] – Tirmidhiu (478). Hadithi është Hasen.
[20] – Tirmidhiu (426). Hadithi është Hasen.
[21] – Tirmidhiu (429). Hadithi është Hasen.
[22] – Ebu Daudi (1271) dhe Tirmidhiu (430). Hadithi është Hasen.
[23] – Ebu Daudi (1272). Hadithi është Sahih.
[24] – Buhariu (1183).
[25] – Buhariu (503) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (837).
[26] – Muslimi (836).
[27] – Muslimi (837).
[28] – Muslimi (881).
[29] – Muslimi (882).
[30] – Buhariu (731) dhe Muslimi (781).
[31] – Buhariu (432) dhe Muslimi (777) me tekstin në fjalë.
[32] – Muslimi (778).
[33] – Muslimi (883).
[34] – Ebu Daudi (1416) dhe Tirmidhiu (453). Hadithi është Hasen.
[35] – Buhariu (996) dhe Muslimi (745).
[36] – Buhariu (998) dhe Muslimi (751).
[37] – Muslmi (754).
[38] – Muslimi (744).
[39] – Ebu Daudi (1436) dhe Tirmidhiu (476). Hadithi është Sahih. Në fakt këtë hadith e ka transmetuar edhe Muslimi (750), gjë të cilën imam Neueuiju nuk e ka përmendur.S
[40] – Muslimi (755).
[41] – Buhariu (1981) dhe Muslimi (721) me tekstin në fjalë.
[42] – Muslimi (720).
[43] – Muslimi (719).
[44] – Buhariu (3171) dhe Muslimi (336).
[45] – Muslimi (848).
[46] – Buhariu (1163) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (714).
[47] – Buhariu (443) dhe Muslimi (715).
[48] – Buhariu (1149) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2458).
[49] – Muslimi (854).
[50] – Muslimi (857).
[51] – Muslimi (233).
[52] – Muslimi (865).
[53] – Buhariu (877) dhe Muslimi (844).
[54] – Buhariu (879) dhe Muslimi (846).
[55] – Ebu Daudi (354) dhe Tirmidhiu (497). Hadithi është Hasen.
[56] – Buhariu (883).
[57] – Buhariu (881) dhe (850).
[58] – Buhariu (935) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (852).
[59] – Muslimi (853).
[60] – Ebu Daudi (407). Hadithi është Sahih.
[61] – Ebu Daudi (2775). Hadithi është Daif.
[62] – Buhariu (4837) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2820).
[63] – Buhariu (1127) dhe Muslimi (775).
[64] – Buhariu (1121) dhe Muslimi (2479).
[65] – Buhariu (1152) dhe Muslimi (1159).
[66] – Buhariu (3270) dhe Muslimi (774).
[67] – Buhariu (1142) dhe Muslimi (776).
[68] – Tirmidhiu (849). Hadithi është Sahih.
[69] – Muslimi (1163).
[70] – Buhariu (990) dhe Muslimi (749).
[71] – Buhariu (995) dhe Muslimi (749).
[72] – Buhariu (1141).
[73] – Buhariu (994).
[74] – Buhariu (1147) dhe Muslimi (738) me pak ndryshim.
[75] – Buhariu (1146) dhe Muslimi (739).
[76] – Buhariu (1135) dhe Muslimi (773).
[77] – Muslimi (772).
[78] – Muslimi (756).
[79] – Buhariu (1131) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1159).
[80] – Muslimi (757).
[81] – Muslimi (768).
[82] – Muslimi (767).
[83] – Muslimi (746)
[84] – Muslimi (747).
[85] – Ebu Daudi (1308). Hadithi është Hasen.
[86] – Ebu Daudi (1309). Hadithi është Sahih.
[87] – Buhariu (212) dhe Muslimi (786) me tekstin në fjalë.
[88] – Muslimi (787).
[89] – Buhariu (37) dhe Muslimi (759).
[90] – Muslimi (759).
[91] – Buhariu (1901) dhe Muslimi (760).
[92] – Buhariu (2015) dhe Muslimi (1165) me pak ndryshim.
[93] – Buhariu (2020) dhe Muslimi (1169).
[94] – Buhariu (2017).
[95] – Buhariu (2024) dhe Muslimi (1174) me tekstin në fjalë.
[96] – Muslimi (1175).
[97] – Tirmidhiu (3513). Hadithi është Hasen Sahih.
[98] – Buhariu (887) dhe Muslimi (252).
[99] – Buhariu (245) dhe Muslimi (255).
[100] – Muslimi (746).
[101] – Buhariu (888).
[102] – Muslimi (253).








