Rikthehet nesër ora verore, akrepat shkojnë 60 minuta përpara

Nga kjo e dielë, 26 mars rikthehet ora verore. Mesnatën e sotme akrepat do të lëvizin 60 minuta përpara. Momenti zyrtar i ndërrimit të orës është pikërisht në orë 02:00, atëherë kur akrepat kalojnë 60 minuta para duke shënuar 03:00.

Ndryshimi i orës është aplikuar që nga viti 1981, që përfshin të gjithë Evropën, ku në shumë shtete të saj, akrepat e orës lëvizin 60 minuta përpara. Norma evropiane përcakton në mënyre të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës verore, ku akrepat lëvizin 60 minuta para dhe orës dimërore kur ata lëvizin 1 orë pas.

Në pranverë, e gjithë Europa kalon në orën e verës për të optimizuar përdorimin e rrezeve të diellit dhe rrjedhimisht konsumon më pak energji elektrike. Prej dekadash, vendet e Bashkimit Europian aplikojnë dy orë, atë të dimrit, që nis të dielën e fundit të tetorit dhe orën verore që kthehet të dielën e fundit të marsit. /abcnews