Rinia dhe studimi … Udhëtimi i formimit të njeriut dhe ndërtimit të së ardhmes

A e ke parë ndonjëherë studimin më tepër se një mjet` për të marrë diplomën? A të ka shkuar ndonjëherë në mendje ta mbarosh shkollimin në çfarëdo mënyre qoftë? Këto pyetje kanë preokupuar shumë nxënës, të cilët e kanë menduar shkollën si një periudhë të rëndë të jetës së tyre, të cilën s’ka tjetër rrugë veçse ta kalojnë për të arritur te puna. Mirëpo, realiteti i kërkimit të diturisë është më i thellë dhe më gjithëpërfshirës.

Ideja e të shkuarit në shkollë është një mundësi për ta formuar personalitetin e nxënësit dhe për ta ndihmuar atë në ndërtimin e së ardhmes së tij. Me pjesëmarrjen në klasa të ndryshme, ndërveprimin me programet mësimore dhe mësuesin, i riu fillon gradualisht të zbulojë vetveten, të zhvillojë aftësitë e tij, të ndërtojë miqësitë e tij dhe të përballet me jetën përmes përvojave të para. Gjatë viteve të studimit, ky nxënës piqet derisa bëhet një personalitet i balancuar dhe i dalluar.

Nëse e ndryshojmë këndvështrimin tonë për periudhat e shkollimit – nga një barrë, në një mundësi për dije, vlera, disiplinë, shoqëri, madje edhe dështim – atëherë padyshim do të arrijmë rezultate pozitive që lajmërojnë një njeri të aftë, i cili ka përfituar nga kjo periudhë.

Ky artikull është një përpjekje për ta parë sërish periudhën e shkollimit dhe një ftesë për çdo të ri e të re që ta jetojë atë me pasion, sepse ajo formëson atë që do të bëheni nesër.

Përtej diplomës dhe punës

Shpeshherë i reduktojmë vitet e gjata të shkollimit në kuptime të ngushta për shkak të ritmit të shpejtë të kohës sonë dhe përhapjes së idesë së arritjeve të shpejta, saqë marrja e diplomës në letër është kthyer në dëshirën më të madhe, në çelësin e punës dhe të statusit shoqëror. Por ky perceptim – megjithëse i përhapur – e zhvesh këtë periudhë nga thelbi i saj i vërtetë. Ajo është më shumë si një punishte e vogël brenda fabrikës së jetës, ku gdhenden tiparet e personalitetit tonë, formësohet vizioni ynë për botën dhe ngrihen themelet mbi të cilat do të mbështetet e ardhmja jonë e tëra.

Veçantia e kësaj periudhe, që shtrihet nga pafajësia e fëmijërisë deri në pragjet e pjekurisë në fillim të të njëzetave, është se gjatë saj forcohet karakteri i nxënësit dhe ai përjeton eksperiencat e tij njerëzore, gabon e korrigjon, dhe mëson si të përballet me dështimin përpara suksesit.

Por pse shoqëritë tona arabe shpeshherë e shohin këtë udhëtim si një barrë të rëndë e të padurueshme? Ndërsa në shoqëri të tjera, ajo shihet si periudha më e mrekullueshme e jetës, që studenti e jeton me pasion e kureshtje, dhe e konsiderojnë atë si një hapësirë të gjerë për rritje mendore dhe emocionale?

Përgjigjja qëndron në shikimin tonë të kufizuar tek diploma dhe puna.

Më e gjerë se oborri i shkollës

Një nga gabimet më të mëdha që bëjmë është kufizimi i kuptimit të studimit vetëm brenda faqeve të një plani mësimor dhe një salle provimi. Shkolla – dhe më pas universiteti – është një model i jetës së zvogëluar në vetvete, me gjithë kuptimin e fjalës. Ajo është laboratori i parë nga i cili i riu del prej guaskës së familjes së tij të sigurt drejt hapësirës së gjerë të shoqërisë dhe sfidave të saj.

Me hapat e parë në oborrin e shkollës, nxënësi fillon të mësojë artin e të ndërvepruarit me të tjerët. Ai krijon miqësi me njerëz nga mjedise dhe kultura të ndryshme dhe mëson si të sillet me persona me të cilët nuk e lidh gjaku. Ndoshta një shok i ri shndërrohet në mik për gjithë jetën. Këto përvoja të para njerëzore janë ato që e përpunojnë aftësinë e tij shoqërore dhe emocionale, të cilat nxënësi do t’i mbajë me vete si një mburojë në betejat e ardhshme të jetës.

Trekëndëshi i miqësive

Më pas nxënësi kalon në zbulimin e thesarit të miqësisë, e cila nuk ka çmim. Dhe për të shtuar ndërgjegjësimin rreth këtij koncepti, po përcjell atë që ka sqaruar doktor Ibrahim el-Ansari në një nga intervistat e tij radiofonike, ku ai ka paraqitur një vizion të thellë për atë që e quajti “trekëndëshi i miqësive”, i përbërë nga:

Ana e kënaqësisë dhe argëtimit: këta janë miqtë e shëtitjeve dhe të qeshjeve të sinqerta, ata që na lehtësojnë nga presionet e shkollës dhe na rinovojnë energjinë. Ata përfaqësojnë anën e ndritshme dhe të gjallë të jetës.

Ana e dijes dhe e njohjes: këta janë shokët e studimit dhe të projekteve kërkimore, ata që na ndihmojnë të kuptojmë atë që na duket e vështirë dhe na nxisin drejt arritjes dhe përparimit. Ata janë karburanti i mendjes dhe shokët e udhëtimit tonë njohës.

Ana e vlerave dhe e moralit: këta janë shokët e mirë që na kujtojnë parimet, ruajnë reputacionin tonë dhe bëhen për ne një pasqyrë në të cilën shohim më të mirën tonë.

Rreziku i vërtetë qëndron në faktin që i riu të vendosë gjithë shpresat e tij vetëm në një anë të trekëndëshit. Kush mjaftohet vetëm me shoqërinë e argëtimit, mund ta shpërdorojë kohën e tij dhe ta lërë pas dore të ardhmen. Kush mbyllet vetëm në një grup thjesht studimor, mund të humbasë fleksibilitetin shoqëror dhe të shndërrohet në një makineri pa ndjenja. Ndërsa kush mjaftohet vetëm me shoqëri të mirë pa përjetuar përvoja më të gjera, mund të jetojë i izoluar nga realiteti i tij.

Suksesi i vërtetë është arti i balancimit mes këtyre tre anëve: që i riu të ushqejë mendjen e tij me dije, shpirtin me vlera dhe zemrën me miqësi e gëzim.

Pylli i informacionit

Kthehem te ideja e ndryshimit të këndvështrimit për udhëtimin shkollor, dhe ta imagjinojmë atë si një udhëtim eksplorues brenda një pylli të gjerë të informacionit dhe njohurive. Në këtë pyll, do të gjesh – o nxënës i dashur – pemë të larta nga historia, lumenj që rrjedhin nga shkencat, terrene të ndërlikuara nga matematika, dhe lule aromatike nga arti dhe letërsia. Çdo lëndë shkollore është një derë e re, çdo detyrë shtëpie një mundësi për aventurë, dhe çdo kërkim një udhëtim për të zbuluar të panjohurën.

Nxënësi që e trajton detyrën thjesht si një barrë të rëndë që e kryen me nxitim vetëm për notën, nuk do të dalë nga ky pyll veçse me disa gjethe të thata. Ndërsa ai që e sheh si një mundësi për shtim njohurie, për kërkim, për krahasim burimesh dhe për shtruar pyetje të reja, ndërton për veten një pasuri të madhe, rafinon aftësitë e tij kritike dhe bëhet më i aftë se vetja e tij dje, para se të tejkalojë shokët e tij.

Dhe të kujtojmë fjalën e Imam Shafiut:

Kush nuk e ka shijuar hidhësinë e të mësuarit për një orë, do të gëlltisë poshtërimin e injorancës gjithë jetën.

Vërtet, hidhësia e përkohshme e të mësuarit është çmimi i vogël që paguajmë në këmbim të kënaqësisë së zbulimit, lirisë së mendimit dhe përsosmërisë së vërtetë që zgjat gjithë jetën.

Ndërtimi i koncepteve

Në korridoret e shkollës dhe universitetit ne nuk mësojmë vetëm fakte shkencore dhe teori, por hyjmë edhe në një betejë të brendshme për ndërtimin e koncepteve tona të mëdha rreth jetës. Pyetje ekzistenciale të thella trokasin në dyert e mendjes sonë gjatë viteve të adoleshencës dhe rinisë: Kush jemi ne? Pse u krijuam në këtë tokë? Cili është qëllimi ynë më i lartë? Dhe cili është vendi ynë në këtë univers të gjerë?

Këto pyetje janë gurë themeli mbi të cilët ndërtohen personalitetet tona. Nëse i riu nuk gjen përgjigje të bindshme që mbështeten te besimi dhe arsyeja, ai jeton një jetë të trazuar, pre e dyshimit dhe hutimit. Ndërsa nëse drejtohet drejt kërkimit të shëndoshë dhe gjen atë që i qetëson zemrën dhe i ushqen mendjen, ai bëhet më i fortë dhe më i qëndrueshëm përballë goditjeve të së ardhmes dhe sfidave të saj.

Ne kemi shembull të mirë tek Ibn Halduni. Ai nuk u mjaftua me dijet që iu ofruan, por u nis nga njohuritë e tij për t’u thelluar në historinë, politikën dhe shoqërinë, duke u përpjekur të kuptonte ligjet e zhvillimit njerëzor. Për të, studimi nuk ishte thjesht marrje informacioni, por ishte një projekt qytetërues për të kuptuar jetën dhe për ta përmirësuar atë. Pikërisht për këtë arsye ai themeloi shkencën e sociologjisë, pasi zotëroi njohuri dhe përvoja të ndryshme, dhe përpara kësaj, pati një pasion të madh për dije me qëllim ndërtimin e një vizioni gjithëpërfshirës.

Prandaj, le ta shohim dijen që marrim sot si një mjet që do të na ndihmojë në ndërtimin e vetëdijes sonë dhe në përgatitjen për betejat e jetës.

Rregulli dhe disiplina

Prapa skenave të programeve mësimore ne mësojmë mësime të pa-shkruara, por që mund të jenë më të rëndësishme se gjithçka, sepse na mbjellin vlera të domosdoshme, si:

Respekti për kohën: Mësojmë se një orë ka fillim dhe mbarim, dhe se vonesa ka pasoja.

Disiplina dhe përkushtimi: Zbatohemi në prezencë të rregullt dhe dorëzim të detyrave në kohë.

Parimi i shpërblimit dhe ndëshkimit: Kuptojmë se përpjekja shpërblehet, ndërsa neglizhenca ndëshkohet.

Vlera e bashkëpunimit dhe rendit: Mësojmë si të punojmë brenda një grupi dhe të respektojmë rregullat që rregullojnë marrëdhëniet tona.

Këto mësime janë ato që formojnë një personalitet të balancuar dhe të prodhueshëm për të ardhmen. I riu që mësohet me rregull në shkollën e tij do të kuptojë se suksesi në jetën profesionale është rezultat i punës, përkushtimit dhe disiplinës.

Këtu mund të përmendim idenë e mendimtarit algjerian Malik bin Nebi, i cili mendonte se kriza e një kombi nuk qëndron tek mungesa e burimeve, por tek paaftësia për t’i organizuar ato. Ai konsideronte rregullin dhe disiplinën si bazë të ndërtimit të qytetërimit, dhe shkolla si fabrika e parë që prodhon qytetarin e organizuar, të aftë për të ndërtuar shoqërinë e tij.

Përfundim

Në fund, ai që di të shfrytëzojë mirë këtë periudhë do të dalë në jetë si një pemë e mirë, me rrënjë të forta dhe degë që shtrihen lart, i aftë të përballet me stuhitë dhe të japë fryt. Ndërsa ai që e humb këtë periudhë në lojëra ose ankim, do të gjejë veten përballë një të ardhmeje të dobët, si një fletë në erë.

Autor: Nasir Buhendi

Përktheu: Elton Harxhi