RMV: Kryediplomati Osmani takon homologun e tij nga Bosnje e Hercegovina, Konakoviq

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në margjinat e takimit joformal të ministrave të punëve të jashtme të vendeve të iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut (A5), realizoi takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, transmeton Anadolu.

Siç theksohet në një njoftim të MPJ-së së Maqedonisë së Veriut, ministrat shprehën kënaqësi të veçantë për trendin pozitiv të zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve mike, duke theksuar gatishmërinë për intensifikimin dhe thellimin e bashkëpunimit të përgjithshëm bilateral, përmes projekteve dhe iniciativave konkrete, mbi të gjitha në planin ekonomik.

“Në vitin në të cilin shënojmë 30-vjetorin nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, rajoni po ndërmerr hapat e nevojshëm drejt konsolidimit të së ardhmes së tij euroatlantike, siç dëshmohet nga procesi i negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe dhënia e statusit kandidat për anëtarësimin e Bosnjë e Hercegovinës në Union”, theksoi ministri Osmani, duke uruar edhe një herë për vendimin e Këshillit Evropian nga dhjetori i vitit të kaluar.

Ministrat shkëmbyen mendime dhe qëndrime për proceset reformuese në të dy vendet dhe rritjen e bashkëpunimit dhe dialogut rajonal në kuadër të Ballkanit Perëndimor, si një lloj përshpejtuesi i integrimeve evropiane.

Gjithashtu, sipas njoftimit, në takim u diskutua për bashkëpunimin multilateral mes dy vendeve në kuadër të OSBE-së dhe kryesimin e Maqedonisë së Veriut me këtë organizatë të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe turneun e ardhshëm rajonal të Osmanit në misionet në terren të OSBE-së.