Rohde për marrëveshjen 90 milionëshe: Nënvizon përkushtimin e fortë për të mbështetur Kosovën

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde ka shkruar në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Gjermanisë, e cila është me vlerë prej 90 milionë eurosh.

Rohde përmes një postimi në “X” ka thënë se kjo nënvizon përkushtimin e fortë për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

“Negociatat e suksesshme të qeverisë mes Kosovës dhe Gjermanisë përfunduan dje, rezultojnë në një mbështetje prej 90 milionë eurove për Kosovën për dy vitet e ardhshme, nga të cilat 20 milionë euro janë grante. Kjo nënvizon përkushtimin tonë të fortë për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar Rohde.

Ndryshe, Kosova dhe Gjermania kanë nënshkruar dje marrëveshje në vlerë 90 milionë euro, teksa me këtë synohet mbështetje për dy vjet, ku 20 milionë janë në formë të granteve.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka theksuar bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë gjermane duke përmendur disa projekte të rëndësishme që janë zbatuar në kuadër të këtij bashkëpunimi, siç është projekti për ndërtimin e ngrohtores diellore dhe rehabilitimin e ujërave të zeza në Prishtinë, menaxhimit të mbeturinave në të gjithë Kosovën si dhe themelimin e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren.

“Kjo marrëveshje e re shënon rritje të theksuar të vlerës së mbështetjes krahasuar me atë paraprake për periudhën 2022/2023, që ishte në vlerë prej 37 milionë euro, duke dëshmuar kësisoj thellimin e bashkëpunimit në mes të të dyja vendeve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.