Rrëfehet viktima e dhunës seksuale: Pasi i tregova burrit, më braktisi

Rreth 800 persona kanë aplikuar për statusin e viktimës së dhunës seksuale. Deri më tani 143 prej tyre kanë filluar edhe marrjen e pensioneve. Ndërsa, 103 prej tyre janë refuzuar nga komisioni qeveritar, ku siç thonë ata, nuk ka pasur prova të mjaftueshme dhe bindëse për rastin.

Rrëfehet njëra nga të mbijetuarit e dhunës seksuale, e cila pretendon që është viktimë, mirëpo është refuzuar nga komisioni qeveritar.

Përjetimet e asaj nate, nuk po mund t’i shlyej nga kujtesa, edhe tash pas 18 vjetëve.

Për të është ende e freskët, nata e 26 majit të vitit 1999. Qarjet e fëmijëve, torturat e policëve serbë, zërat e burrave që nuk gjenin forcë edhe më tej të përballonin goditjet që shkaktoheshin në trupat e tyre, janë vetëm disa sekuenca që i përsëriten asaj herë pas here në mendje.

Ishte pikërisht nata e 26 majit, kur ajo kishte fatin e zi të merret nga forcat serbe me dhunë, në mesin e shumë personave të cilit gjendeshin në kolonë, si shkak i dëbimit nga shtëpitë e tyre.

“Një herë më ka hup vetëdija prej tute, prej tmerri, aty ka pas shumë, ka pas plotë. Prej orës 2 e diçka u kon, na kanë shti në ato dhomat. Kunati u kon në atë tjetrën dhomë e kom ni tu e rreh. Neve na kanë shti aty kanë bo çka kanë dasht vet. Prej dyve deri të nesërmen orën shtatë të mëngjesit. Tani na kanë qit në një stom të rrugës, aty më ka marrë dikush me gjithë kunatin bashkë edhe na kanë qu te fmia. Aty kom nejt si e pavetëdishme, në të lig, e malltretume, e dhunume në tona mënyrat” rrëfen ajo për kosovapress.

Pas asaj kohe, ajo rrëfen që asnjëherë nuk ka qenë mirë me shëndet. Madje ishte detyruar që për shkak të dhunimit, t’i kryej dy intervenime kirurgjike.

Sikur të mos i mjaftonin këto, ajo në atë kohë, bashkëshortin e kishte në Gjermani.