Rreth 8 orë pritje në Merdare, Policia sugjeron të përdoren pikat e tjera kufitare

Policia e Kosovës ka konfirmuar se në pikën kufitare Merdare pritjet janë të gjata rreth 8 orë, ndërsa ka sugjeruar që të përdoren pikat e tjera siç është Dheu i Bardhë në të cilën pritjet janë vetëm 15 minuta.

“Ju njoftoj se referuar informacioneve të fundit nga kompetentët policorë në pikëkalimin kufitar në Merdare pritjet në dalje të Republikës së Kosovës për në Serbi janë të gjata rreth 8 orë, prandaj inkurajojmë të gjithë qytetarët që kanë për të qarkulluar jashtë Kosovës që të shmangin pritjet dhe kolonat e gjata. Të përdorin edhe alternativat e tjera kufitare, siç është rasti për pikën kufitare Dheu i Bardhë ku pritjet janë më të shkurtra, vetëm 15 minuta”, ka thënë për Koha.net zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha.

Policia e Kosovës ka planin e veçantë për menaxhimin e fluksit gjatë sezonit në kufijtë e saj.

“Ka shtim të resurseve në Pikat e Kalimit të Kufirit, si dhe të pajisjeve. Në të gjitha Pikat e Kalimit te Kufirit ka resurse të mjaftueshme që mundëson një kontroll efikas, të shpejtë dhe të sigurt. Menaxhimi i kontrollit kufitare është një proces i cili kërkon një bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve të të gjitha agjencive të përfshira në kontrollin kufitar, si dhe një bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve me agjencitë e kontrollit kufitar të shteteve fqinje, që në disa raste kjo po mungon, siç është rasti në kufirin me Serbinë”, ka thënë ai.