Rreth i gjerë i përfshirjes në skandalin e së miturës në Drenas: Vazhdojnë intervistimet

Kanë kaluar një muaj e gjysmë pas publikimit të skandalit me abuzimin e 16 vjeçares nga arsimtari dhe zyrtari policor në Drenas.

Vesel Veseli, ish-zëvendësshef i hetimeve të Policisë në Drenas, po akuzohet nga prokuroria se për rreth dy vite e kishte keqpërdorur seksualisht viktimën e moshës së mitur, shkruan lajmi.net.

Bashkë me të, prokuroria po e akuzon edhe gjinekologun Fehmi Ahmeti, i cili dyshohet se ka performuar abortin e vajzës së abuzuar nga Drenasi, e cila kishte ngelur shtatzënë pas abuzimit nga zyrtari policor.

Viktima, dyshohet se paraprakisht ishte abuzuar seksualisht edhe nga profesori i saj, Shkëlzen Xhekaj, i cili po ashtu u arrestua nga Policia e Kosovës.E arrestimet lidhur me rastin në fjalë nuk kishin të ndalur. Më vonë, IPK arrestoi edhe avokatin Gazmend Halilaj, i cili fillimit edhe e kishte denoncuar rastin e abuzimit.

“I dyshuari me inicialet G.H u arrestuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”- neni 422, “keqpërdorim seksual duke keqpërdorur pozitën zyrtare apo profesionin”- neni 239 dhe veprës penale “frikësim gjatë procedurës penale” nga neni 395 i Kodit Penale të Kosovës”, thuhej në njoftim.

Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk e ka ende gati aktakuzën për personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast.Prokurori, Ibrahim Berisha, tha sot për lajmi.net se janë ende në fazën e hetimeve dhe mbledhjen e informacioneve.

Siç bëri të ditur ai, prokuroria është duke intervistuar ende palë të cilat dyshohet të jenë përfshirë në këtë skandal.

“Prokuroria është ende në fazën e hetimeve dhe mbledhjes së informacioneve. Aktualisht janë duke u intervistuar palë të cilat dyshohet se janë të përfshira në këtë rast. Besoj që pas përfundimit të këtyre proceseve do të dalim me një aktakuzë”, ka thënë shkurt Berisha për lajmi.net.

Rasti i abuzimit të 16 vjeçares në Drenas kishte shkaktuar reagime të mëdha në opinion.