Rritet bilanci i vdekjeve nga tërmeti në Indonezi

Bilanci i vdekjeve nga tërmeti 6.8 ballësh në krahinën Maluku të Indonezisë ka shkuar në 30, bënë të ditur sot autoritetet, raporton Anadolu Agency (AA).

Ushtrues i detyrës së shefit të Qendrës së të Dhënave të Informacionit dhe Marrëdhënieve me Publikun e Agjencisë Kombëtare për Zbutjen e Fatkeqësive (BNPB), Agus Wibowo, tha se gjithsej 156 persona janë lënduar.

Rreth 25.000 banorë janë zhvendosur si pasojë e shkatërrimit të shtëpive të tyre.

Autoritetet shpallën gjendje të jashtëzakonshme në rajon deri më 9 tetor, tha Wibowo.

Tërmeti goditi Ambonën, kryeqytetin e provincës Maluku të enjten në mëngjes.

Agjencia e Meteorologjisë, Klimatologjisë dhe Gjeofizikës së vendit theksoi se tërmeti ishte i përqendruar 40 kilometra në veri-perëndim të Malukut dhe 10 kilometra nën sipërfaqen e tokës.

Një tërmet tjetër ndodhi pas një kohe të shkurtër me magnitudë prej 5.6 ballë.

Tërmeti shkatërroi gjithashtu njësitë e banesave, objektet arsimore, vendet e adhurimit, ndërtesat e zyrave dhe objektet e tjera publike.