Rritja e pagës minimale shihet si zgjidhje në përballje me rritjen e çmimeve

Deri në 10 për qind pritet të rriten çmimet deri në fund të 2022-tës. Kjo rritje e çmimeve ka rënduar gjendjen ekonomike të qytetarëve. Për këtë, nga PDK-ja dhe shoqëria civile është kërkuar rritja e pagës minimale në përballje me këtë trend të rritjes së çmimeve. Edhe FMN-ja ka rekomanduar mbështetje të përkohshme për t’u ndihmuar familjeve të rrezikuara nga ngritja e çmimeve

Çmimet e produkteve bazike pritet të kenë rritje mbi 10 për qind gjatë këtij viti. Këto çmime që morën vrull nga shkurti i këtij viti, pritet të mos stabilizohen për një periudhë afatmesme.

Për t’u përballur me trendin e rritjes së çmimeve, si zgjidhje për qytetarët po shihet rritja e pagës minimale.

Në Partinë Demokratike të Kosovës thonë se kjo do ta ndalonte varfërimin e qytetarëve, në kohën kur çmimet e shportës së konsumit janë rritur për 30 për qind krahasuar me vitin 2019.

Blerand Stavileci, anëtar i Kryesisë së PDK-së, duke kritikuar politikat qeverisëse, ka thënë se ende pa i kaluar pasojat e rënda të njërës krizë, qytetarët po goditen nga efektet e pamëshirshme të krizës tjetër, që është rritja e çmimeve.

“Nisi me pandeminë, vazhdoi me energjinë elektrike, me reduktime dhe shtrenjtime, dhe tani e sa muaj me ngritje marramendëse çmimesh dhe rekorde të zeza inflacioni. Sot si asnjëherë më parë që nga çlirimi, familjet po varfërohen muaj pas muaji dhe gjendja e tyre po rëndohet orë e çast. Buxheti i familjeve kosovare po zvogëlohet me shpejtësi të madhe, çmimet po rriten me shpejtësi edhe më të madhe e shporta po pakohet drastikisht me prodhimet bazë të jetesës”, ka thënë Stavileci të dielën.

Sipas tij, në këtë krizë ka një protagonist të munguar, e ky siç ka thënë, është pushteti.

“Ky pushtet në vend se të ishte në ulësen e parë për t’ia dhënë zgjidhjes drejtimin, ka braktisur atë për t’ia bërë krizës thellimin. Pushtetit po i mungon veprimi e po i rritet mosdëgjimi. Padija dhe mosdëgjimi po e ushqejnë arrogancën, injorimin dhe diskriminimin e qytetarëve dhe të familjeve të tyre. Kjo shportë e pakuar e familjeve për t’u mbushur përsëri ashtu siç ishte dikur, duhet ta ketë vëmendjen e pushtetit dhe përmbushjen e veprimeve të qeverisë, për të cilat ajo duhet të ketë vizion dhe kurajë”, ka thënë Stavileci.

Ka theksuar se nuk bëhet qeverisja duke munguar e abstenuar.

“Nuk zgjidhen krizat duke i shpërfillur e thelluar. Nuk ndihmohen familjet duke i varfëruar. Familjet kosovare, sot më shumë se kurrë, kanë nevojë urgjente për t’i ndihmuar”, ka thënë ai

Rritja e pagës minimale po shihet si zgjidhje edhe nga Instituti GAP në raportin e publikuar për “Ndikimin e luftës në Ukrainë në ekonominë e Kosovës”.

“Qeveria të rrisë pagën minimale, mirëpo të jetë e kujdesshme që ajo të mos kalojë një kufi të pagës mesatare, e cila tregon vlerën e pagës ndër të cilën paguhen 50% e qytetarëve, siç sugjerojnë praktikat e vendeve të tjera. Një pagë minimale më e lartë sipas këtij parimi do t’ua lehtësonte përballimin e situatës punonjësve të sektorëve privatë, të cilët marrin paga jo të larta, si dhe njëkohësisht nuk do të shkaktonte kundërefekt në tregun e punës (humbje të vendeve të punës)”, thuhet në raportin e GAP-it.

GAP-i ka rekomanduar që politikat qeverisëse duhet të jenë të atilla që të mos stimulojnë kërkesën për produktet si energji elektrike, naftë, grurë, misër e vaj, ku Kosova është neto importuese e tyre.

Nga GAP-i është thënë se reduktimi i normave tatimore në të ardhurat personale të qytetarëve dhe mbështetja e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti mund të kenë kundërefekte në ekonomi.

“Lidhur me situatën aktuale, Instituti GAP rekomandon që politikat e qeverisë duhet të jenë të atilla që nuk e stimulojnë kërkesën për këto produkte. Në këtë pikë, reduktimi i normave tatimore në të ardhurat personale për të gjithë qytetarët dhe mbështetja e nismave sikurse ajo për tërheqjen e 30% të kursimeve nga Trusti Pensional mund të prodhojnë kundërefekte në ekonomi. Është e rëndësishme që qeveria me të hyrat e arkëtuara përtej planifikimit, si rezultat i çmimeve të larta, t’i mbështesë edhe më shumë grupet më të pambrojtura të shoqërisë, që rrezikojnë të bien në varfëri, sikurse qytetarët që janë pjesë e Skemës së Ndihmës Sociale, ata që mund të humbin vendet e punës, etj”, thuhet nga GAP-i.

GAP-i ka vlerësuar se subvencionimi në bujqësi dhe ulja e normës së akcizës për naftën për bujqit në vitin 2022 ishin masa adekuate. Instituti ka bërë thirrje edhe të konsiderohen zgjedhjet e strategjive mbrojtëse për energji elektrike.

“Institucionet duhet të konsiderojnë zgjedhjen e strategjive mbrojtëse për energji elektrike këtë vit, marrë parasysh indikacionet për çmime të larta të importit të energjisë elektrike edhe në periudhën afatmesme”, thuhet në raportin e GAP-it.

Rritje në nivel rekord kanë shënuar edhe çmimet e derivateve. Për këtë, GAP-i i rekomandon Qeverisë që të dizajnojë masa që i nxisin qytetarët t’i përdorin më pak veturat, sikurse duke e lejuar qarkullimin e veturave sipas një rregulli, duke përkrahur iniciativa të tilla sikurse ‘e diela pa vetura’, nisma që stimulojnë udhëtimet në grup, si dhe të gjejë forma për subvencionimin e transportit publik.

Sa i përket energjisë, GAP-i ka rekomanduar koordinim mes akterëve për të minimizuar riskun pas paralajmërimeve për rritje të çmimeve gjatë këtij viti.

Rekomandime për këtë situatë ka paraqitur edhe PDK-ja.

“Kemi dhënë shumë rekomandime, edhe për Ligjin e pagave, edhe për pagën minimale, edhe për Trustin Pensional. Ato duhet të ndodhin sa më shpejt”, ka thënë Stavileci.

Rritja e inflacionit, sipas FMN-së, mund të shkojë deri në 10 për qind brenda vitit 2022, dhe si kundërpërgjigje ndaj të cilit është rekomanduar mbështetje e përkohshme për t’u ndihmuar familjeve të rrezikuara nga ngritja e çmimeve. /koha