Rusia dhe SHBA-ja planifikojnë të zhvillojnë raund të ri konsultimesh me synimin për të zgjidhur mosmarrëveshjet e kahershme në marrëdhëniet e tyre dypalëshe, tha sot zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergey Ryabkov, transmeton Anadolu.
“Mund të konfirmoj se plane të tilla ekzistojnë. Nuk ka asgjë për të njoftuar, sepse nuk ka afate të caktuara, por kuptohet se ato do të vazhdojnë”, tha Ryabkov për gazetën “Izvestia” gjatë Forumit të Politikës së Jashtme “Primakov Readings”.
Ryabkov tha se pret që konsultimet të zhvillohen deri në fund të verës, megjithëse pranoi se ekzistojnë vështirësi në dialogun dypalësh për eliminimin e këtyre “çështjeve problematike të ndërsjella”. Ai argumentoi se administrata e presidentit amerikan Donald Trump po e lidh gjithnjë e më shumë përparimin në çështjet dypalëshe me përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje për luftën në Ukrainë.
“Kjo përbën ndryshim nga pika ku administrata e Trumpit e nisi dialogun me ne dhe sigurisht që i bën më të vështira çdo lloj diskutimi”, tha ai.
Ryabkov nënvizoi mungesën e dialogut për çështjet e stabilitetit strategjik, duke theksuar se “Moska duhet të shohë përmirësime të rëndësishme dhe të prekshme në politikën e Washingtonit”.
“Kjo duhet të pasohet nga veprime konkrete që tregojnë se diçka po ndryshon. Deri tani nuk kemi parë asgjë të tillë”, shtoi ai. Zëvendësministri i Jashtëm përmendi mungesën e përparimit lidhur me kërkesat e Rusisë për kthimin e pronave diplomatike të konfiskuara nga SHBA-ja dhe rivendosjen e linjave ajrore direkte ndërmjet dy vendeve.






