Rusia fajëson Izraelin për rrëzimin e aeroplanit dhe vdekjen e ekuipazhit

Një aeroplan rus që u zhduk mbrëmjen e së hënës me 14 anëtarë të ekuipazhit është rrëzuar jashtë bregut të Sirisë.

Rusia ka fajësuar drejtpërdrejt Izraelin për humbjen e jetëve.

Ministri rus i Mbrojtjes Sergej Shoigu foli me homologun e tij izraelit Avigdor Lieberman në telefon rreth rrëzimit të avionit rus Il-20.

Ai i raportoi qëndrimin e Moskës mbi incidentin duke fajësuar ushtrinë izraelite. Aeroplani rus u qëllua nga mbrojtjet ajrore të Sirisë në përgjigje të një sulmi izraelit, thuhet një deklaratë zyrtare nga ushtria ruse.

Shoigu përsëriti se Izraeli nuk njoftoi Rusinë për sulmin në mënyrë që ushtria ruse të mund të largonte aeroplanin nga zona.

Në vend të kësaj, paralajmërimi erdhi një minutë para se avionët luftarakë F-16 të Izraelit të nisnin sulmin e tyre.

“Faji për rrëzimin e aeroplanit rus dhe vdekjen e anëtarëve të ekuipazhit është Izraeli,”-tha ministri rus. “Veprimet e ushtrisë izraelite nuk ishin në përputhje me frymën e partneritetit ruso-izraelit, kështu që ne rezervojmë të drejtën për t’iu përgjigjur”.

Më parë ministria e mbrojtjes ruse tha se aeroplanët izraelitë përdorën aeroplanin më të madh rus si një mburojë gjatë sulmit mbi objektivat në Siri.

Ministria tha se izraelitët duhet të kishin ditur se po e rrezikonin aeroplanin rus, por as nuk ndryshuan planin e tyre të betejës dhe as paralajmëruan rusët në kohë për të lëvizur Il-20 në një zonë të sigurt.

Qeveria izraelite nuk ka komentuar publikisht mbi incidentin deri tani./Ora News