Rusia: Gati të eksportojmë 30 milionë tonë drithë deri në fund të vitit

Rusia ka rënë dakord me Kombet e Bashkuara për të vendosur 30 milionë tonë grurë në tregun ndërkombëtar deri në fund të vitit 2022 për të ndihmuar në zbutjen e mungesës globale të ushqimit të shkaktuar, pjesërisht, nga lufta e Moskës kundër Ukrainës.

“Kjo do të ndihmojë në mbështetjen e vendeve në nevojë dhe do të ndihmojë në stabilizimin e mungesës së ushqimit në mbarë botën”, deklaroi ministria Ruse e Bujqësisë.

Ministria vlerëson se Rusia do të korrë 130 milion ton grurë këtë vit. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për muaj të tërë se lufta në Ukrainë, katastrofat klimatike dhe goditjet financiare kanë vënë në rrezik sigurinë globale të ushqimit në vendet e varfra, veçanërisht në Afrikë.

Ukraina njihet si një nga shportat e bukës në botë dhe pushtimi i Rusisë ka ndërprerë rëndë eksportet e saj të grurit. Dërgesat e produkteve bujqësore nga portet e vendit në Detin e Zi ishin deri pak javë më parë të bllokuara.

Por në një kthesë në korrik, si Rusia dhe Ukraina ranë dakord të lejojnë eksportet e grurit nga tre porte të Detit të Zi. /atsh