Rusia: Ne do ta vazhdojmë “operacionin ushtarak” derisa të arrijmë objektivat e vendosura në Ukrainë

Sergei Shoigu

Ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu, deklaroi se vendi i tij do ta vazhdojë “operacionin ushtarak” në Ukrainë derisa të arrijë objektivat e përcaktuara.

Sergei Shoigu dha informacione për luftën në Ukrainë gjatë një takimi me komandantë të lartë në Ministri.

Duke thënë se faza e parë e “operacionit ushtarak” të ushtrisë ruse në Ukrainë ka përfunduar në vija të përgjithshme, Shoigu u shpreh se fuqia e Forcave të Armatosura ukrainase është reduktuar ndjeshëm.

“Kjo mund të lejojë përqendrimin e vëmendjes në objektivin kryesor, që është çlirimi i Pellgut të Donjeckut (Donbas)”, theksoi ai.

Sipas tij, ushtria ruse ka fituar epërsinë në ajër në Ukrainë duke shkatërruar në mënyrë efektive Forcat Ajrore dhe sistemet e mbrojtjes ajrore ukrainase.

“Deri më sot janë shkatërruar 123 nga 152 avionët, 77 nga 149 helikopterët dhe 152 nga 180 sistemet raketore të mbrojtjes ajrore të Ukrainës”, njoftoi ai.

Shoigu vuri në pah gjithashtu se ekzistenca e Forcave Detare të Ukrainës ka marrë fund dhe se humbje të konsiderueshme janë regjistruar në të gjitha formacionet e forcave sulmuese tokësore dhe ajrore të saj.

Pasi nënvizoi se ushtria ruse nuk do ta ndalë “operacionin e saj ushtarak” derisa të arrijë objektivat e përcaktuara në Ukrainë, ministri Shoigu tha se trupat ruse po ndihmojnë në mënyrë aktive popullin e Luhanskut dhe Donjeckut.

Ai potencoi gjithashtu se Rusia po ndjek me kujdes deklaratat e liderëve të NATO-s lidhur me dërgimin e avionëve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore në Ukrainë.

“Nëse këto plane realizohen, do të jepet një përgjigje adekuate”, u shpreh Shoigu mes të tjerash. /trt