Rusia: SHBA-ja planifikon veprime provokuese me kimikate toksike në Ukrainë

Igor Kirillov

Komandanti i Forcave të Mbrojtjes nga Rrezatimi, Kimike dhe Biologjike i forcave ushtarake të Rusisë, Igor Kirillov, deklaroi se SHBA-ja po planifikon veprime provokuese me përdorimin e kimikateve toksike në Ukrainë, transmeton Anadolu.

Kirillov, në një konferencë për shtyp në kryeqytetin Moskë, duke kujtuar se një organizatë joqeveritare amerikane me ndikim ka mbajtur një konferencë për ngjarjet në Ukrainë më 22 shkurt, theksoi se në këtë konferencë ka mbajtur një fjalim ish-ambasadori amerikan në Moskë, John Sullivan.

“Sullivan bëri një deklaratë se forcat ruse po planifikojnë të përdorin armë kimike në zonën e operacioneve speciale ushtarake. Ne e konsiderojmë këtë informacion si qëllimin e SHBA-së dhe bashkëpunëtorëve të saj për të kryer një provokim në Ukrainë me përdorimin e kimikateve toksike”, tha Kirillov.

Ai tha se janë bërë përgatitje për një gjë të tillë.

“Më 10 shkurt, kimikatet në një vagon treni të shoqëruara nga shtetas të huaj u dërguan në qytetin Kramatorsk. Ky vagon u soll në fabrikën metalurgjike ‘Kuybyshev’ në Kramatorsk. Kimikatet u shkarkuan nga vagoni nën kontrollin e personelit të Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës dhe përfaqësuesve komandues të Forcave të Armatosura të Ukrainës. Në vagon kishte 16 kuti metalike të mbyllura. Gjysma e tyre kishin shenjën e rrezikut kimik, germat BZ dhe shenjën e kuqe me dy rreshta”, tha Kirillov.

Duke theksuar se kimikati BZ shkakton çorientim, dëmtim të kujtesës dhe halucinacione te njerëzit, Kirillov theksoi se përdorimi i substancës në fjalë është i ndaluar në përputhje me Konventën për Armët Kimike.