Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka shprehur solidaritet të plotë dhe mbështetje për hetim mbi “sabotimin e mundshëm të kabllove nënujore”, duke theksuar rritjen e pranisë ushtarake në Detin Baltik, transmeton Anadolu.
Rutte njoftoi se ai realizoi një bisedë telefonike me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, për hetimin finlandez në vazhdim për një sabotim të mundshëm të kabllove nënujore.
“Unë shpreha solidaritetin dhe mbështetjen time të plotë. NATO do të shtojë praninë e saj ushtarake në Detin Baltik”, shkroi Rutte në platformën sociale X.
Ai gjithashtu realizoi një bisedë telefonike me kryeministrin e Estonisë, Kristen Michal, lidhur me incidentin në Detin Baltik, ku tha se NATO qëndron në solidaritet me aleatët dhe dënon çdo sulm ndaj infrastrukturës kritike.
Të mërkurën, autoritetet finlandeze thanë se një kabllo nënujore e energjisë që lidh Finlandën dhe Estoninë është dëmtuar, duke shënuar incidentin e fundit në një seri të incidenteve që përfshinë infrastrukturën kritike në Detin Baltik.
Operatori finlandez i rrjetit të energjisë “Fingrid” tha se ndërlidhësi “Estlink 2” mbeti jashtë linje në orën 12:26 pasdite me kohën lokale.
Kreu i operacioneve të kompanisë “Fingrid”, Arto Pahkin tha për transmetuesin publik “Yle” se sabotimi nuk mund të përjashtohet dhe se hetimet janë në vazhdim.
Dje, policia finlandeze tha se në bashkëpunim me autoritetet e tjera ata po hetojnë këputjen e kabllove të transmetimit të energjisë “Estlink 2” brenda Zonës Ekonomike Ekskluzive të Finlandës (EEZ) në Gjirin e Finlandës.
Deti Baltik ka qenë skena e disa incidenteve infrastrukturore të profilit të lartë që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, gjë që rriti tensionet në rajon.