Salvadori merr masa ekstreme pas 62 vrasjeve brenda një dite

Presidenti i Salvadorit, Najib Bukele, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në të gjitha burgjet ku anëtarët e bandave janë fajësuar për valën e fundit të dhunës. Aty, ata po vuajnë dënimet me burg.

Kjo masë është bërë e ditur vetëm pak orë pasi me kërkesë të presidentit, Kongresi autorizoi gjendjen e jashtëzakonshme që kufizojnë garancitë individuale pas vrasjes së 62 personave vetëm brenda ditës së shtune.

Gjatë muajit shkurt janë kryer 79 vrasje. Njëherësh, autoritetet kanë rritur numrin e patrullimeve të forcave policore dhe të sigurisë në mbarë vendin, sidomos në lagjet e njohura për praninë e madhe të bandave që po nxisin dhunën vrastare.

Presidenti ka thënë se autoritetet janë të vendosura të kthejnë rendin në vend. /koha