Sarrazin konfirmon: Kosova e ka mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësim në Këshillin e Evropës

I dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin i cili një ditë më parë ishte për vizitë në Kosovë konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sarrazin një ditë më parë është takuar në Prishtinë me ministrin e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

“Qëndrimi i Gjermanisë është i qartë: Kosova është në zemër të Evropës dhe i përket Këshillit të Evropës. Dje e sigurova ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz se kanë mbështetjen tonë për anëtarësim”, shkruan Sarrazin.

Ndryshe, Kosova ka marrë mbështetjen e dy shteteve të fuqishme, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE).

Ndërkaq, Ambasada e Francës në Kosovë ka deklaruar se i takon Kosovës si shtet sovran që të aplikojë për anëtarësim në KiE, megjithatë ka kthyer vëmendjen që prioritet aktual është rinisja e dialogut me Serbinë.

“Vendimi për të aplikuar në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran. E ardhmja e Kosovës është të bëhet anëtare e tij. Prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili do të kontribuojë në afrimin e tyre evropian dhe në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit”, thuhet në deklaratën e ambasadës franceze.

Tutje, thuhet se “ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të angazhohen plotësisht në këtë drejtim dhe të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të nxisë tensione”.