SBASHK s’pranon kompensimin e orëve të humbura, paralajmëron ankesë në gjykatë

Në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës thonë se vendimi i ministrit të Arsimit për kompensimin e orëve të humbura për shkak të grevës, është marrë pa ndonjë konsultim paraprak me SBASHK-un.

Ata thonë se për këtë do t’i drejtohen edhe gjykatës me kërkesën për pezullimin e vendimit. Ndërsa Këshilli i Prindërve të Kosovës e përkrah ketë vendim, sepse është në interes të nxënësve për çka kërkon mirëkuptim nga mësimdhënësit.

Vendimi i fundit i Ministrit të Arsimit për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës së mësimdhënëseve po kundërshtohet nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Ymer Ymeri, nga kjo sindikatë, tha për Radio Kosovën se ministri e ka marrë ketë vendim pa u konsultuar me SBASHK-un, dhe, sipas tij, ky vendim është i papranueshëm.

“ Mendojmë që është ngutur ministri me këtë vendim, për shkak që nuk ka mbajtur asnjë takim paraprak me përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit për kompensimin e orëve të humbura. Për sindikatën ky vendim është i papranueshëm.”

Ymeri tha po ashtu se janë duke u konsultuar me zyrën ligjore dhe avokatin që të merren masa për pezullimin e këtij vendimi të njëanshëm dhe në kundërshtim me Ligjin për grevat.

“ Jemi duke u konsultuar me zyrën ligjore dhe avokatin që e ka SBASHK-u. Dhe ketë vendim të ministrit do ta dërgojmë në gjykatë me kërkesën që të merret masa e pezullimit të vendimit deri në vendimin e fundit ,sepse mendojmë që është vendim antiligjor.”

Ndërsa, Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, i tha Radio Kosovës se e mirëpresin ketë vendim pasi edhe këshilli pas takimit të fundit i ka sugjeruar ministrit që kompensimi të behet në ketë mënyrë. Kompensimi i orëve të humbura është në interes të nxënësve dhe mësimdhënësit duhet të kenë mirëkuptim, tha Reshiti.

“Në takimin që e ka mbajtur më 15 shkurt të këtij viti, ka dalë me qëndrim që ka kërkuar nga MASHT për të bërë zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës. Ne si Këshill i Prindërve të Kosovës e mbështesim vendimin e ministrit, e konsiderojmë të drejtë dhe të bazuar në Ligj, sepse interesimi i nxënësve në këtë rast është që të zëvendësohen orët e humbura të mësimit.”

Ministri i Arsimit ka marrë vendim që orët e humbura për shkak të grevës së mësimdhënësve të kompensohen si në vijim: pesë ditë do të zëvendësohen nga pushimi pranveror; pesë ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë këtij viti shkollor si dhe pesë ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019. Mësimdhënësit kanë mbajtur grevë nga 14 marsi e deri me 1 shkurt 2019.