SBAShK-u: Nagavci vendosi njëanshëm, orët e humbura zëvendësohen veç me marrëveshje të veçantë

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jahsaraj, ka deklaruar se të shtunën nuk do të mbahet mësim, sipas kalendarit të publikuar nga Ministria e Arsimit, për orët e humbura nga greva.

“Lidhur me kompensimin e orëve të humbura në grevë duhet të theksoj se ishte vendim i ngutshëm i ministres Nagavci, e cila nuk respektoi kontratën kolektive të arsimit që është nënshkruar nga MASHTI dhe SBASHK-u më 22 janar 2021. Neni 34, pika 8 e thotë qartazi, orët e humbura gjatë grevës nuk zëvendësohen veç nëse palët nënshkruese arrijnë marrëveshje të veçantë. Nagavci solli vendim të njëanshëm, SBASHK-u është i obliguar ta respektojë kontratën kolektive dhe e themi publikisht këtë të shtunë nuk do të ketë mësim në emër të kompensimit të orëve të humbura në grevë”,tha Jasharaj.

Pavarësisht kalendarit të publikuar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, SBASHK-u ka vendosur që të mos u bindet kësaj.

Në një konferencë për media, nga SBASHK kanë bërë të ditur se orët e humbura gjatë grevës s’do të kompensohen.

Duhet përkujtuar që propozimi i ministres Nagavci kishte të bënte me mbajtjen e orëve mësimore përgjatë të shtunave, gjë që e kishin kundërshtuar menjëherë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit.

SBASHK dhe MASHT po vazhdojnë të kundërshtojnë vendimet e njëra-tjetrës, derisa padyshim se në humbje të këtyre orëve mësimore janë vetëm nxënësit.