Dyshimet dhe paniku rreth strategjisë së Trump-it ndaj Iranit, shtim rebelimesh në radhët e ushtrisë amerikane
Ndërsa konflikti i SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit ka hyrë në javën e katërt, raportet e fundit tregojnë një rritje të pasigurisë dhe frustrimit brenda radhëve të ushtrisë amerikane. Kjo vjen pasi presidenti Donald Trump urdhëroi vendosjen e mijëra marinarëve dhe marinsave shtesë në Lindjen e Mesme.
Sipas një investigimi të publikuar nga HuffPost, shumë ushtarë në detyrë aktive, rezervistë dhe grupe avokatie po shprehin shqetësime të thella për mungesën e një plani të qartë strategjik. Ata ndihen të cenueshëm ndaj sulmeve iraniane, deri në pikën sa po konsiderojnë largimin nga ushtria.
Një zyrtar ushtarak, i cili po trajton trupat e evakuuara në Gjermani, i tha HuffPost se perspektiva e një operacioni tokësor do të ishte një “katastrofë absolute”. Ai theksoi se ushtria aktualisht vuan nga mbrojtja dhe planifikimi i pamjaftueshëm, duke shtuar se nuk mund të mbrojnë plotësisht as edhe një bazë të vetme tokësore në zonën e konfliktit.
Deri më tani, raportohen 13 të vrarë dhe mbi 230 të plagosur nga sulmet me raketa balistike dhe dronë iranianë që kanë goditur vazhdimisht objektet ushtarake amerikane. Një nga aspektet më alarmante të raportimit është ndryshimi i perceptimit ndaj aleancës me Izraelin.
Një veterane dhe rezerviste që mentoron oficerë të rinj, u shpreh se po dëgjon gjithnjë e më shpesh nga ushtarët fjalët: “Nuk duam të vdesim për Izraelin dhe as të jemi si gurët e shahut në këtë lojë politike!”.
Ky skepticizëm pasqyron edhe sondazhet e fundit, ku amerikanët e rinj shfaqen shumë më kritikë ndaj Tel Avivit. Mike Prysner, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Ndërgjegje dhe Luftë, deklaroi se kërkesat nga ushtarakët për t’u regjistruar si “kundërshtarë të ndërgjegjshëm” janë rritur me 1.000 për qind vetëm gjatë muajit mars.
Shumë prej tyre përmendën sulmin e 28 shkurtit në një shkollë në qytetin iranian Minab si pikë kthese, ku dyshohet se SHBA-ja mban përgjegjësi për vdekjen e dhjetëra nxënëseve. Matt Howard, bashkëdrejtues i grupit “About Face”, u shpreh se ky moment është destabilizues, pasi ushtria po përdoret si “lodër” e administratës për të çuar përpara një agjendë autoritare.
Veteranët paralajmërojnë se Uashingtoni po hyn në një “moçalishte” të kushtueshme, të ngjashme me Irakun dhe Afganistanin, por këtë herë me një ushtri që ka qasje më të gjerë në informacion dhe media sociale.
Siç u shpreh një rezervist, lëvizjet e fundit të Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, për të anuluar partneritetet ushtarake me grupet e ekspertëve dhe universitetet, lënë përshtypjen se udhëheqja nuk dëshiron që ushtarët të mendojnë, por thjesht të jenë “mish për top” pa asnjë përfitim strategjik. /tesheshi


