Së paku 29 të hospitalizuar në lidhje me sulmin në metro në Brooklyn

Të paktën 29 persona janë hospitalizuar në lidhje me sulmin në metron në Brooklyn, bazuar nga informatat e spitaleve lokale që janë siguruar nga CNN-i.

Në spital janë shtrirë 21 pacientë, ndërsa janë liruar dhjetë prej tyre pasi kanë marrë ndihmën, është thënë nga zëdhënësja e Spitalit NYU Langone Brooklyn, Lacy Scarmana. Lëndimet kanë përfshirë plagë me armë zjarri dhe inhalim të tymit.

11 pacientë që kanë mbetur të shtrirë janë në gjendje stabile me lëndime jo të rrezikshme për jetën.

Pesë pacientë janë pranuar në Qendrën Mjekësore Maimonides, ka thënë zëdhënësja Suzanne Tammaro. Tre prej tyre janë trajtuar shkaku i inhalimit të tymit dhe janë liruar. Dy mbesin të shtrirë me plagë të marra nga arma, por nuk kanë lëndime të rrezikshme për jetë.

Ndërkohë tre pacientë janë pranuar në spitalin New York – Presbyterian Brooklyn Methodist, ka thënë zëdhënësi Tony Chau. Një ka lëndim të shkaktuar nga arma, njëri është me frakturë. Por të tre janë në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Autoritetet e New Yorkut kishin njoftuar se nga sulmi në metro janë lënduar 16 persona prej tyre dhjetë kanë marrë lëndime nga arma.

Një person duke mbajtur maskë gazi kishte hapur një bombol me gaz, nga e cila doli tym dhe më pas kishte nisur të shtinte me armë në metron e Brooklynit të martën, duke qëlluar disa persona, ka njoftuar shefja e Policisë së New Yorkut, Keechant Sewell. /koha