Serbët protestojnë në Graçanicë, Policia mbyll rrugën kryesore

Policia e Kosovës njoftoi që rruga kryesore në Graçanicë nuk do të jetë e kalueshme për shkak të protestës së paralajmëruar në orën 11:30, ndërsa trafiku do të ridrejtohet për automjetet që qarkullojnë nga Prishtina në Gjilan dhe anasjelltas.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që përgjatë kohës sa do të zgjasë protesta, t’i shfrytëzojnë rrugët alternative.

“Policia e Kosovës, me qëllim të mbarëvajtjes së protestës së paralajmëruar, që do të mbahet sot në Graçanicë, duke filluar nga ora 11:30 e deri në përfundim të protestës, do të ridrejtoj trafikun për automjetet që qarkullojnë nga Prishtina në Gjilan dhe anasjelltas, pasi që rruga kryesore në Graçanicë nuk do të jetë e qarkullueshme për trafik deri në përfundim të protestës. Andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën dhe mirëkuptimin e të gjithë pjesëmarrësve në trafik që përgjatë kohës sa do të zgjatë protesta të shfrytëzojnë rrugët alternative”, thuhet në njoftimin policor.

Serbët e Graçanicës po kundërshtojnë arrestimin e Dragisha Milenkoviqit, Ai po akuzohet se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë. Ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj.

Protesta për këtë çështje, serbët kanë organizuar edhe më parë.