Serbia e dënon me dhjetë ditë burgim zyrtarin komunal nga Leposaviqi

Drejtori i administratës në Komunën e Leposaviqit në veri të Kosovës, Nikolla Radomiroviq, është dënuar me dhjetë ditë burgim në Serbi për “posedim të armës së ftohtë”. Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë Gjykata për Kundërvajtje në Rashkë, në jugperëndim të Serbisë.

“Aktgjykimi nuk është juridikisht i detyrueshëm, sepse kundër këtij aktgjykimi kanë parashtruar ankesë i pandehuri dhe parashtruesi i kërkesës, andaj procedura ankimore është në vazhdim e sipër”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për Kundërvajtje nga Rashka.

Radoica Radomiroviq, babai i të arrestuarit Nikolla, në një deklaratë për REL-in pretendon se bëhet fjalë për një “aktgjykim të motivuar politikisht” dhe se i gjithë rasti është “montuar” sepse ai dhe djali i tij kanë qenë të angazhuar politikisht në institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës.

Radoica Radomiroviq është zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Ai, gjithashtu, beson se ndaj tyre ekziston një “ndjekje”, sepse ata publikisht shprehin “pikëpamje të ndryshme nga Lista Serbe”, partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Ndërkohë, nga Prokuroria Themelore Publike në Rashkë thanë për REL-in se “ndaj Nikolla Radomiroviqit nuk është ngritur kallëzim penal për ndonjë vepër penale për të cilën ndjekja bëhet sipas detyrës zyrtare”, por se Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka paraqitur kërkesë për të filluar procedurën e kundërvajtjes ndaj tij.

Si përfundoi Radomiroviq në burg?

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, më 9 shtator ka njoftuar opinionin se Nikolla Radomiroviq është arrestuar në territorin e Serbisë.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ai fajësoi policinë serbe për arrestimin “e padrejtë” të Nikolla Radomiroviqit për shkak se ai është pjesë e institucioneve të Kosovës pavarësisht “presionit” nga Beogradi. Ai kërkoi që Radomiroviqi të lirohet menjëherë dhe të ndalen presionet e aktet e paligjshme ndaj serbëve të Kosovës që janë “besnikë ndaj vendit të tyre”.

REL-i kërkoi nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë që t’i komentojë akuzat e zyrtarëve kosovarë, por nuk mori përgjigje.

Në shpjegimin e aktgjykimit të Gjykatës për Kundërvajtje në Rashkë, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, më saktësisht stacioni policor i Rashkës, ka paraqitur kërkesë për inicimin e procedurës për kundërvajtje ndaj Nikolla Radomiroviqit me bazë në Ligjin për Armët dhe Municionin.

Aty shtohet se gjatë kontrollit në veturën e Radomiroviqit, policia ka gjetur një kamë dhe një thikë të palosshme, dhe kjo u trajtua si posedim i “armës së ftohtë në vend publik”. Dënimi i parashikuar me ligj për këtë shkelje mund të jetë gjobë ose deri në 60 ditë burgim.

Nikolla Radomiroviq, siç thuhet në aktgjykim, i tha mbrojtjes së tij se nuk e dinte se një kamë dhe një thikë prej rreth 10 centimetrash trajtohen si “armë të ftohta”, dhe se i mbante në veturë si mjete.

Avokati i tij, Alladin Shemoviq, sugjeroi që Radomiroviqit t’i jepej gjoba minimale e paraparë me ligj për këtë vepër, por gjykata e refuzoi dhe e dënoi me dhjetë ditë burgim.

Në deklaratën për REL-in, Shemoviq theksoi se klienti i tij nuk ka qenë i dënuar më parë dhe mendon se kjo është dashur të merret parasysh dhe se ai është dashur të gjobitet në vend të burgimit.

“Ai (Nikola Radomiroviq) nuk ka të kaluar as penale dhe as kundërvajtje, në raste të tilla, praktika (në gjyqësorin serb) është shqiptimi i gjobave”, tha avokati Shemoviq.

A ka prapavijë politike?

Babai i Nikollës, Radoica Radomiroviq, është i bindur se pas arrestimit të djalit të tij fshihet prapavija politike, gjegjësisht fakti që të dy ishin të përfshirë në institucionet e Kosovës.

Në fund të majit të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, emëroi Radoica Radomiroviq në pozitën e zëvendësministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Pak ditë më vonë në veri të Kosovës, ku jeton edhe vetë Radomiroviq, u ngritën tensionet për shkak të ardhjes në pushtet të kryetarëve shqiptarë. Ata hynë në ndërtesat komunale me ndihmën e policisë dhe pavarësisht rezistencës së popullatës lokale serbe, pas zgjedhjeve të prillit filluan formimin e një pushteti të ri lokal.

Kështu, në fillim të korrikut, drejtor i administratës në Komunën e Leposaviqit është emëruar djali i zëvendësministrit Radoica Radomiroviq, Nikolla Radomiroviq.

Beogradi zyrtar ka mbështetur pjesëmarrjen e Listës Serbe në institucionet e Kosovës deri në nëntor të vitit të kaluar.

Ata më pas, së bashku me punëtorët në policinë, gjyqësorin dhe administratën komunale në veri të Kosovës, janë dorëhequr për të penguar heqjen e targave të automjeteve të lëshuara nga Serbia me akronimet e qyteteve të Kosovës.

Ata serbë që tani janë të përfshirë në institucionet e Kosovës, disa zyrtarë serbë i quajnë “emisarët e Kurtit”.

Radomiroviq tha se djali i tij para dy ditësh në territorin e Rashkës është ndaluar nga “policët e maskuar” dhe se është arrestuar në prani të të dashurës së tij.

“Është persekutim politik, ata e dinë se ku punoj, ku punon Nikolla, familja jonë ka vite që është nën sulm nga Lista Serbe”, thotë Radomiroviq dhe shpjegon se në vitet e mëparshme ai ka qenë politikisht aktiv përmes Partisë së serbëve të Kosovës në krye me Aleksandrin Jabllanoviqin.