Serbia sot voton për presidentin e ri

Në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm, janë hapur vendvotimet në Serbi në të cilat qytetarët do të votojnë për të zgjedhur presidentin e ri të shtetit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në garën për president të Serbisë janë 11 kandidatë. Në zgjedhjet e sivjetme për kreun e shtetit, qytetarët e Serbisë do të votojnë në 396 qendra të votimit, ndërsa të drejtë vote kanë 6.724.949 qytetarë.

Do të votohet edhe në Kosovë, dhe atë në 90 vendvotime, ku të drejtën e tyre mund ta realizojnë 105.929 votues.

Të drejtë vote për presidencialet në Serbi ka edhe diaspora e cila do të votojë në gjithsej 53 vendvotime në 32 shtete të botës, ndërkohë numri i atyre më të drejtë vote është 11.590.

Zgjedhjet për presidentin e Republikës së Serbisë mbahen çdo pesë vjet, për aq sa, sipas Kushtetutës së Republikës së Serbisë zgjat mandati i presidentit.

Përveç zgjedhjeve të rregullta, Kushtetuta parasheh edhe mundësinë për zgjedhje të jashtëzakonshme presidenciale, të cilat mund të mbahen nëse presidenti nuk është në gjendje të kryej detyrën, ose kur mandati i tij përfundon para skadimit të afatit kur ai është zgjedhur.

Procesi zgjedhor do të vëzhgohet nga një total prej 1.955 vëzhgues vendas nga katër OJQ, si dhe nga 126 vëzhgues të huaj nga 25 organizata, komisione zgjedhore dhe ambasada.