SHBA, arrestohet një i dyshuar për dergim letrash me përmbajtje toksike

Një burrë nga shteti Utah është arrestuar për siç thuhet postimin e letrave me përmbajtje toksike në adresë të presidentit dhe Pentagonit. Autoritetet ndaluan William Clyde Allen nga Logan i shtetit Utah nën dyshimet se kishte postuar letra që me përmbajtje fara kastori, nga e cila mund të pëftohet lënda tejet helmuese e ricinit.

Byroja Federale dhe policia lokale kontrolluan shtëpinë e të dyshuarit William Clyde Allen, ndërsa nuk kanë bërë të njohur gjetjet e tyre. Një prej fqinjëve të tij, Darrell Robinsion, shprehu habi për arrestimin.

“ ….jetoj rreth një bllok më tutje dhe jam befasuar. Me aq sa e njoh, kjo nuk është në karakterin e tij.”

Letra, të cilën thuhet se i dyshuari ia dërgoi zotit Trump, nuk mbërriti asnjëherë në Shtëpinë e Bardhë, por u bllokua në një objekt të shërbimit postar ku bëhet ndarja e postës sipas destinacionit.

Zyrtarët thonë se lënda helmuese e ricinit u zbulua në dy letra të postuara në adresë të Sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis dhe Shefit të Operacioneve Detare, Admiralit John Richardson. Të dy letrat u zbuluan në një qendër të shpërndarjes së postës pranë Pentagonit.

Lënda toksike ricin përftohet natyrshëm nga farat që prodhon lulja e kastorit. Nëse lënda e përpunuar përfundon në sistemin e njeriut përmes frymëmarrjes ose rrugëve të tjera, ricini mund të shkaktojë vdekjen e një individi brenda 48 orëve. Qendrat Amerikane për Parandalimin e Sëmundjeve thonë se nuk ka antidotë kundër ricinit.