Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se SHBA-ja beson se presidenti rus, Vladimir Putin, “ka marrë vendimin për të pushtuar” Ukrainën.
“Kemi arsye të besojmë se forcat ruse po planifikojnë të sulmojnë Ukrainën javën e ardhshme, në ditët në vijim”, tha Biden në një fjalim televiziv.
Ai tha se SHBA-ja beson se Rusia mund ta ketë në shënjestër edhe kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, i banuar me mbi 2.9 milionë njerëz.
“Ne do ta mbajmë Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj. Perëndimi është i bashkuar dhe i vendosur. Ne jemi të gatshëm të vendosim sanksione të ashpra ndaj Rusisë nëse ajo pushton më tej Ukrainën”, tha Biden.
“SHBA-ja dhe aleatët e partnerët tanë do të mbështesin popullin ukrainas”, theksoi ai.
Presidenti amerikan tha se Rusia mund të zgjedhë ende diplomacinë dhe shtoi se “nuk është vonë për t’u kthyer në tryezën e negociatave”.
Putin, gjatë katër muajve të fundit, ka grumbulluar mbi 150,000 trupa në kufijtë me Ukrainën.
Zyrtarë të SHBA-së dhe NATO-s thonë se prania ushtarake vazhdon të rritet, pavarësisht pretendimeve të Rusisë se ka filluar t’i kthejë disa trupa në kazerma.
Rusia vazhdimisht mohon se ka plane për pushtimin e Ukrainës dhe thotë se NATO-ja është ajo që paraqet kërcënim për sigurinë e saj.
Shteti rus ka kërkuar garanci nga NATO-ja se do të ndalojë zgjerimin drejt lindjes dhe se nuk do të pranojë në radhët e saj vendet ish-sovjetike, përfshirë Ukrainën.
SHBA-ja dhe NATO-ja kanë refuzuar kërkesat ruse për zgjerimin, por kanë ofruar rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës.
Rusia tani përdor ushtrinë si presion. Javëve të fundit, ajo ka kryer edhe një varg stërvitjesh ushtarake në kufijtë me Ukrainën, përfshirë disa në Detin e Zi dhe Detin Azov, duke i bllokuar disa rrugë të rëndësishme të eksportit për Ukrainën. /rel








