SHBA-ja dënon deklaratat fyese të zyrtarëve indianë kundër Profetit Muhamed

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, dënoi deklaratat e zyrtarëve të partisë në pushtet në Indi me përmbajtje fyese ndaj Profetit Muhamed, raporton Anadolu Agency (AA).

Price iu përgjigj pyetjeve në një konferencë ditore për shtyp, ku në lidhje me deklaratat e zyrtarëve të partisë në pushtet Bharatiya Janata (BJP) që ofendojnë Profetin Muhamed tha se “Dënojmë komentet agresive të bëra nga dy zyrtarë të BJP dhe jemi të kënaqur që partia i ka dënuar hapur këto komente. Me qeverinë e Indisë ne bisedojmë rregullisht në nivele të larta për çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut, duke përfshirë lirinë e fesë ose besimit, dhe inkurajojmë Indinë që të respektojë të drejtat e njeriut”.

Më tej Price tha se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kur vizitoi vitin e kaluar New Delhin bëri të qartë se dinjiteti njerëzor, respekti për njerëzit, barazia e mundësisë dhe liria e fesë ose besimit janë parimet themelore dhe vlerat thelbësore të demokracisë.

Zëdhënësi i partisë në pushtet BJP në Indi, Nupur Sharma, si dhe Naveen Kumar Jindal, kreu i medias të BJP-së së në New Delhi, si dhe Harshit Srivastava, një prej emrave përgjegjës për politikat rinore të partisë, përdorën shprehje me përmbajtje fyese kundër fesë islame dhe Profetit Muhamed.

Partia në pushtet, e cila për shkak të tensioneve në fjalë u vendos në qendër të kritikave, njoftoi shkarkimin e Nupur Sharma-s me arsyen se ka përdorur shprehje me përmbajtje fyese kundër fesë islame dhe Profetit Muhamed, ndërsa njoftoi gjithashtu edhe përjashtimin nga partia për Naveen Kumar Jindal, kreun e medias të BJP-së në New Delhi.

Ndërkaq, edhe Srivastava, një prej emrave përgjegjës për politikat rinore të partisë, u arrestua në rajonin Uttar Pradesh për shkak të postimit në Twitter.

– Inkurajojmë Türkiye-n dhe Greqinë që të punojnë së bashku

Ndaj pyetjes së gazetarit të AA-së se “Greqia po armatos ishujt disa milje nga brigjet e territorit tokësor të Türkiyes. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje? A e mbështesni këtë?, zëdhënësi Price u shpreh se vendet duhet të respektojnë sovranitetin e njëri-tjetrit.

“Aleatët tanë të NATO-s, Greqinë dhe Türkiye-n, ne vazhdojmë t‘i inkurajojmë që të punojnë së bashku për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon dhe për të zgjidhur në mënyrë diplomatike mosmarrëveshjet e tyre. Aleatëve tanë u bëjmë thirrje që të distancohen nga retorikat që mund të rrisin edhe më tej tensionin. Greqia dhe Türkiye sigurisht që janë partnerë të fortë. Ata janë aleatë të rëndësishëm të NATO-s për SHBA-në dhe do të vazhdojmë t‘i inkurajojmë të dyja për uljen e tensionit”, tha Price. /aa