SHBA-ja paralajmëron se Rusia po përgatitet për referendume “false” në Ukrainë

Rusia po përgatitet të mbajë referendume “false” në territoret e pushtuara ukrainase brenda disa ditësh ose javësh, paralajmëroi SHBA-ja, raporton Anadolu Agency (AA).

Moska ka udhëzuar zyrtarët që të fillojnë përgatitjet në zonat që kanë rënë nën kontrollin e saj gjatë luftës së saj kundër Ukrainës, duke përfshirë rajonet Kharkiv, Kherson, Zaporizhia, pjesë të Donetskut dhe Luhanskut, u tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

Referendumi i parë mund të shpallet në fund të kësaj jave, shtoi ai, duke vënë në dukje se SHBA-ja dhe komuniteti ndërkombëtar nuk do të shohin asnjë zgjedhje të tillë si legjitime.

“Ne presim që Rusia të përpiqet të manipulojë rezultatet e këtyre referendumeve nën pretendimin e rremë se populli ukrainas dëshiron të bashkohet me Rusinë. Do të jetë kritike të tërhiqet vëmendja dhe të kundërshtohet ky dezinformim në kohë reale”, tha Kirby.

“Vetë zyrtarët rusë e dinë se asaj që ata po bëjnë do t’i mungojë legjitimiteti dhe nuk do të pasqyrojë vullnetin e popullit. Populli ukrainas, në çdo referendum të lirë dhe të drejtë, do të votonte me shumicë dërrmuese kundër bashkimit me Rusinë”, shtoi ai.

Komentet vijnë pasi SHBA-ja njoftoi një ndihmë ushtarake shtesë prej 3 miliardë dollarësh për forcat e Kievit ndërsa Ukraina shënoi Ditën e Pavarësisë së saj. Paketa përfshin sisteme raketore tokë-ajër, raketa të drejtuara me lazer, dronë Puma dhe armë antidron VAMPIRE, sipas Pentagonit.

SHBA-ja ka ofruar 13,5 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga janari 2021, prej së cilës pjesa më e madhe vjen pasi Kremlini filloi “operacionin e tij special ushtarak” në shkurt.

Presidenti amerikan Joe Biden do të bisedojë me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy të enjten, sipas Shtëpisë së Bardhë.