SHBA mbështet sulmin në Jenin ku Izraeli vrau 6 palestinezë

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price duke theksuar “të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje” mbështeti sulmin e forcave izraelite në kampin e refugjatëve në Jenin të Bregut Perëndimor, në të cilin 6 palestinezë u vranë dhe 26 të tjerë u plagosën, transmeton Anadolu.

“Forcat izraelite të mbrojtjes njoftuan publikun se po kërkonin një terrorist që vrau dy izraelitë më 26 shkurt. Siç kemi thënë më parë, Izraeli ka të drejtë të mbrojë popullin dhe tokat e saj kundër çdo agresioni, përfshirë këto organizata terroriste”, deklaroi Price.

Ndërsa pohoi se ka pasur kërcënime të qarta terroriste kundër Izraelit në ditët e fundit, Price tha se ata janë të shqetësuar për dhunën në rritje të shpejtë në Bregun Perëndimor.

“Ne inkurajojmë të gjitha palët që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të parandaluar humbjen e jetëve”, tha Price.

Ushtria izraelite vrau 6 palestinezë dhe plagosi 26 persona në bastisjen e saj në kampin e refugjatëve Jenin në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Sipas lajmit të televizionit shtetëror palestinez, ushtarët izraelitë gjatë bastisjes në kampin e refugjatëve rrethuan një shtëpi, pronësia e së cilës ende nuk është përcaktuar.

Dëshmitarët okularë duke folur për Anadolu deklaruan se shtëpia nën rrethim u bombardua nga ushtarët izraelitë.

Ushtria izraelite njoftoi se në bastisje u vra palestinezi i quajtur Abdulfettah Harusha, i cili dyshohet se ishte përgjegjës për sulmin në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor më 26 shkurt, ku mbetën të vrarë 2 kolonë izraelitë.

Ushtria izraelite raportoi se 2 mjete ajrore pa pilot (UAV) u rrëzuan gjatë operacionit në kampin e refugjatëve në Jenin, por në deklaratë nuk u përfshinë detajet e 5 palestinezëve tjerë të vrarë.