SHBA, një profesor mbetet në spital pasi u rrah nga policia gjatë protestës pro-palestineze

Një profesor mbetet i shtruar në spital pasi u rrah nga policia të shtunën gjatë një proteste pro-palestineze në Universitetin e Washingtonit në St. Louis, Missouri, raporton Anadolu.

“Ky profesor është në spital për shkak të plagëve të tij. E vetmja dhunë që ndodhi të shtunën ishte nga policia me urdhër të administratës së Universitetit të Washingtonit,” tha zyrtarja nga St. Louis, Megan Green.

Steve Tamari, një profesor në Universitetin e Edwardsville, ishte në mesin e të arrestuarve në Universitetin e Washingtonit të shtunën, në një protestë ku kërkohej që universiteti të largohej nga bashkëpunimi me kompaninë Boeing në mes të luftës së Izraelit në Rripin e Gazës.

Gruaja e tij Sandra Tamari, e cila gjithashtu u arrestua në “Kampin e Gazës” në universitet, postoi një video në llogarinë e saj X të hënën, duke thënë se bashkëshorti i saj 65-vjeçar është rrahur brutalisht nga policia.

“Gjithçka që ka ndodhur të shtunën është e dokumentuar dhe e qartë për ata që duan ta shohin”, tha Tamari.

Ajo tha se Universiteti i Washingtonit në St. Louis përdori dhunë kundër studentëve, fakultetit, stafit dhe komunitetit të tij për të ruajtur “bashkëfajësinë e tij në gjenocid”, duke shtuar: “Ne nuk do të ndalemi dhe St. Louis do të vazhdojë të ngrejë zërin për Palestinën”.

Tamari ndodhet në spital me disa brinjë dhe një dorë të thyer, ndërsa raportohet se një mjek i tha atij se “ishte me fat që ishte gjallë”.

Gjithsej 100 persona u arrestuan në kampus të shtunën, sipas raporteve të mediave.

Protestat po përhapen nëpër kampuset e kolegjeve në mbarë vendin pas një përpjekjeje të policisë për të pastruar një kamp pro-palestinez në Universitetin Columbia të New York-ut, duke rezultuar në arrestimin e mbi 100 studentëve.

Qindra studentë janë arrestuar në kampuset në të gjithë SHBA-në, duke kërkuar largimin e universiteteve nga bashkëpunimi me Izraelin dhe duke dënuar luftën e tij të vazhdueshme në Rripin e Gazës të rrethuar, ku janë vrarë rreth 34.500 njerëz.

Studentët në disa vende të tjera, duke përfshirë Kanadanë, Australinë, Francën dhe Egjiptin, kanë organizuar demonstrata në universitetet e tyre në solidaritet me Palestinën.