SHBA nuk do ta pranojë afatin e Koresë së Veriut për bisedimet bërthamore

Përfaqësuesi special i SHBA-së për Korenë e Veriut, Stephen Biegun ka deklaruar se vendi i tij nuk do ta pranojë afatin që Koreja e Veriut i ka bërë të ditur qeverisë amerikane për të paraqitur propozime konkrete me qëllim rifillimin e bisedimeve të ndërprera bërthamore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të agjencisë Yonhap, Biegun ka zhvilluar një konferencë për media para takimit me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in dhe ministrin e Bashkimit, Kim Yeon-chul. Ai në fjalën e tij ka vënë theksin se janë të vetëdijshëm që Koreja e Veriut mund të kryejë veprim të madh provokues në ditët e ardhshme.

“Veprimet provokative të Phenianit do të dëmtojnë përpjekjet për arritjen e paqes së përhershme në Gadishullin Korean. Në këtë pikë, nuk bëhet fjalë që të ketë afat për SHBA-në”, tha Biegun.

Ai u ka bërë thirrje zyrtarëve koreano-veriorë që të ulen në tryezën e bisedimeve bërthamore.

Moon thirrje për “insistim në bisedime”

Zëdhënësi i qeverisë së Koresë së Jugut, Han Jung-woo në një deklaratë për gazetarët pas takimit Biegun-Moon tha se diplomati amerikan ka përcjellë vendosmërinë e Washingtonit për të mos hequr dorë nga bisedimet me qeverinë e Phenianit.

Han më tej ka theksuar se presidenti Moon, Jae-in ka kërkuar nga Biegun që të jenë insistues në bisedime për pastrimin e Gadishullit Korean nga armët bërthamore dhe ndërtimin e paqes së përhershme.

Bisedimet e zhvilluara në nivel pune në Zvicër mes Koresë së Veriut dhe SHBA-ve u ndërprenë më 5 tetor. Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un i ka njohur afat deri në fund të vitit qeverisë amerikane që të paraqesë propozime konkrete për rifillimin e bisedimeve, duke paralajmëruar se në të kundërt do të vazhdojnë testimet bërthamore dhe testimet raketore ndërkontinentale.