Ballina Lajmet Rajon dhe Botë SHBA ofron deri në 10 milionë dollarë shpërblim për informacione mbi liderët...

SHBA ofron deri në 10 milionë dollarë shpërblim për informacione mbi liderët iranianë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione që çojnë në identifikimin ose vendndodhjen e liderëve kyç të Iranit, përfshirë liderin e ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, transmeton Anadolu.

Njoftimi, i publikuar nga programi ‘Shpërblime për Drejtësi’ i departamentit amerikan, tha se individët e synuar “komandojnë dhe drejtojnë elementë të ndryshëm” të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), të cilën Washingtoni e akuzon për planifikimin dhe kryerjen e sulmeve në mbarë botën.

Ndër personat e listuar në njoftim janë Mojtaba Khamenei, zv/shefi i stafit në zyrën e liderit suprem, Ali Asghar Hejazi dhe këshilltari i lartë ushtarak i liderit suprem, Yahya Rahim Safavi.

Më herët gjatë ditës, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se lideri i sapoemëruar suprem i Iranit është i “plagosur” dhe “me gjasë i shpërfytyruar”, ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli vazhdojnë sulmet ndaj vendit.

Tensionet në mbarë Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar që kur Izraeli dhe SHBA-ja nisën një sulm të përbashkët ndaj Iranit më 28 shkurt, duke vrarë deri tani rreth 1.300 persona, përfshirë liderin e atëhershëm suprem, Ali Khamenei.

Teherani u kundërpërgjigj me sulme me dronë dhe raketa që shënjestruan Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturën civile, si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe aviacionin.