Ministri i Punëve të Jashtme i Sirisë, Asaad al-Shaibani, është takuar në Damask me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Sirinë, Thomas Barrack, për të diskutuar një sërë çështjesh strategjike me synim avancimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, njoftoi të mërkurën Ministria e Jashtme, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme e Sirisë njoftoi se bisedimet trajtuan “një paketë dosjesh strategjike që hedhin themelet për një fazë të re bashkëpunimi mes dy vendeve”.
Të dyja palët theksuan “angazhimin absolut për unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë”, ndërsa u shqyrtuan edhe hapat e ndërmarrë për integrimin e SDF-së në institucionet shtetërore.
Takimi gjithashtu analizoi nisjen e punës së një komiteti ndërkombëtar, nën udhëheqjen siriane, për të garantuar transparencë në shkatërrimin e armëve kimike nën “mbikëqyrje të plotë kombëtare”.
Ministria siriane bëri të ditur se u diskutua “rëndësia e mbështetjes së Sirisë në luftën kundër organizatës terroriste DEASH dhe aktivizimi i rolit të saj si partner kyç në sigurinë rajonale”.
Barrack konfirmoi interesin e kompanive të mëdha amerikane për të kontribuar në rimëkëmbjen ekonomike të Sirisë, veçanërisht në sektorët e naftës dhe energjisë, si dhe për “hapjen e perspektivave të investimit për ekspertizën ndërkombëtare”.
Dy diplomatët diskutuan edhe rregullimet logjistike dhe politike të nevojshme për riaktivizimin e Ambasadës Siriane në Washington, një hap që “do t’i shërbente interesave të të dy popujve dhe do të forconte kanalet zyrtare të komunikimit”.


