Shefi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut paralajmëron valë të re mizorish në Kordofan të Sudanit

Shefi i të drejtave të njeriut në OKB, Volker Turk, ka paralajmëruar për një “valë tjetër mizorish” në rajonin e Kordofanit në Sudan, ku përleshjet e ashpra mes forcave SAF, RSF dhe SPLM-N po shkaktojnë një numër gjithnjë e më të lartë viktimash civile.

Që nga 25 tetori, kur RSF mori kontrollin e qytetit Bara, janë dokumentuar të paktën 269 civilë të vrarë nga bombardimet ajrore, goditjet me artileri dhe ekzekutimet e menjëhershme. Për shkak të ndërprerjeve të komunikimit, numri real i viktimave mund të jetë shumë më i lartë, tha Turk.

Janë raportuar gjithashtu vrasje hakmarrëse, arrestime arbitrare, rrëmbime, dhunë seksuale dhe rekrutime të detyruara, përfshirë fëmijë. Diskursi i urrejtjes po rrit frikën për shpërthime të tjera dhune.

Turk paralajmëroi se Kordofani rrezikon të përsërisë tragjedinë e Al Fasherit, ku mizoritë u dënuan gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.

Sulmet vdekjeprurëse kanë vazhduar javët e fundit: një sulm me dron të RSF më 3 nëntor vrau 45 persona në El Obeid, ndërsa një sulm ajror i SAF më 29 nëntor në Kauda vrau të paktën 48 civilë.

Qytetet Kadugli dhe Dilling në Kordofan të Jugut mbeten të rrethuara, me uri të konfirmuar në Kadugli. Ndërkohë, El Obeid është pjesërisht i rrethuar dhe palët ndaluojnë hyrjen e ndihmave humanitare.

Mbi 45,000 njerëz janë zhvendosur vetëm në muajin e fundit, ndërsa Turk kërkoi korridore të sigurta, mbrojtje për punonjësit humanitarë dhe rikthimin e telekomunikimeve. Ai u bëri thirrje vendeve me ndikim të ndalin furnizimin me armë që ushqen konfliktin.

“Duhet vepruar tani. Kjo luftë duhet të ndalet menjëherë,” tha Turk. /mesazhi