Shefi i OKB-së shpreh mirënjohje ndaj presidentit Erdoğan pas zgjatjes së marrëveshjes së drithit

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përshëndeti zgjatjen e marrëveshjes së korridorit të drithit të Detit të Zi dhe shprehu mirënjohjen për presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan për punën e koordinuar me Kombet e Bashkuara, raporton Anadolu.

“Kemi disa zhvillime pozitive dhe domethënëse… Konfirmimi i Federatës Ruse për të vazhduar pjesëmarrjen e saj në Iniciativën e Detit të Zi edhe për 60 ditë të tjera. Unë e mirëpres këtë vendim”, tha Guterres në një konferencë shtypi.

Deklarata e tij erdhi disa orë pasi Erdoğan njoftoi se marrëveshja, e cila do të skadonte më 18 maj, u zgjat për dy muaj.

“Me përpjekjet e vendit tonë, mbështetjen e miqve tanë rusë dhe kontributin e miqve tanë ukrainas, u vendos që të zgjatet marrëveshja e korridorit të drithit të Detit të Zi për dy muaj të tjerë”, tha Erdoğan gjatë një fjalimi me krerët e provincave të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), deputetë dhe kryetarët e bashkive të partisë përmes një video-lidhjeje.

Guterres tha se vazhdimi i marrëveshjes është një lajm i mirë për botën, por çështjet e pazgjidhura mbeten.

“I shpreh edhe një herë mirënjohjen time presidentit Erdoğan dhe qeverisë së Turqisë për përpjekjet e tyre duke punuar në koordinim të përhershëm me Kombet e Bashkuara”, tha shefi i OKB-së.

Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina fillimisht nënshkruan marrëveshjen në Istanbul korrikun e kaluar për të rifilluar eksportet e drithit nga tri porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat u ndërprenë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt 2022.

Një qendër e përbashkët koordinimi me zyrtarë nga të tri vendet dhe OKB-ja u krijua në Istanbul për të mbikëqyrur dërgesat.