Shefi i OKB-së: Sulmet e Hamasit nuk mund “të justifikojnë ndëshkimin kolektiv” të palestinezëve

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka deklaruar se sulmet e Hamasit në Izrael nuk mund “të justifikojnë ndëshkimin kolektiv” të popullit palestinez, raporton Anadolu.

Në adresimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Guterres paralajmëroi se situata në Lindjen e Mesme për çdo orë po bëhet gjithnjë e më e rëndë dhe se konflikti i Gazës rrezikon të përhapet në të gjithë rajonin.

“Por ankesat e popullit palestinez nuk mund të justifikojnë sulmet e tmerrshme të Hamasit. Dhe ato sulme të tmerrshme nuk mund të justifikojnë dënimin kolektiv të popullit palestinez”, tha Guterres.

Ai theksoi se gjithashtu është e rëndësishme të pranohet se sulmet nga Hamasi nuk ndodhën në vakum.

Shefi i OKB-së gjithashtu tha se ai është “thellësisht i shqetësuar për shkeljet e qarta të ligjit ndërkombëtar humanitar që ne po shohim në Gaza”.

“Më lejoni të jem i qartë. Asnjë palë në një konflikt të armatosur nuk është mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare”, tha ai.

Konflikti në Gaza, i cili ka qenë nën bombardimet izraelite dhe një bllokadë që nga 7 tetori, filloi kur grupi palestinez Hamas filloi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm i shumëanshëm që përfshinte një breshëri lëshimesh të raketave dhe depërtimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit. Grupi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi një fushatë të pamëshirshme ajrore kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës.

Më shumë se 7.100 njerëz janë vrarë në konfliktin që filloi më 7 tetor, përfshirë të paktën 5.791 palestinezë dhe 1.400 izraelitë.