Shefi i taksave në largim i OECD, organizatori i reformave më radikale për taksimin e korporatave në gati një shekull, ka paralajmëruar se SHBA dhe Europa rrezikojnë të rifillojnë luftërat tregtare dhe të përballen me humbje prej qindra miliardë dollarësh nëse nuk arrijnë të zbatojnë marrëveshjen globale të vitit të kaluar.
Rreth 136 vende kanë mbështetur një marrëveshje me dy drejtime e cila synon të adresojë zemërimin publik ndaj kompanive shumëkombëshe që nuk taksohen aq sa duhet. Por, progresi në të dyja shtyllat kryesore të këtyre reformave ka ngecur, pavarësisht nga përllogaritjet e OECD që tregojnë se qeveritë mund të mbledhin më shumë se 150 miliardë dollarë taksa shtesë çdo vit nga korporatat më të mëdha në botë.
Pascal Saint-Amans, i cili ishte kreu i departamentit të taksave në organizatën me qendër në Paris gjatë dekadës së kaluar, tha në një intervistë për Financial Times: “Unë shoh disa rreziqe serioze që mund të vijnë si pasojë e masave të njëanshme dhe e sanksioneve tregtare, në një kohë kur vendet aleate që janë vendosur përballë një konteksti të vështirë politik, mund të mos duan të shkaktojnë luftëra tregtare për një çështje tatimore.”
Një nga masat e cila synon të detyrojë 100 kompanitë më të mëdha shumëkombëshe në botë që të deklarojnë fitimet e tyre dhe të paguajnë më shumë taksa në vendet ku ato bëjnë biznes, nuk ka gjasa të arrijë mbështetje të mjaftueshme në Senatin e SHBA-së për t’u zbatuar përpara afatit të vendosur nga OECD për mesin e vitit 2023.
Sidoqoftë, Saint-Amans tha se SHBA gradualisht do të bëhet pjesë e kësaj marrëveshjeje, ose përndryshe rrezikon që t’i fusë gjigantët e saj të Big Tech në një skenar ku do t’u duhej të përballeshin me një sërë taksash të veçanta për shërbimet dixhitale nga vende të ndryshme.
“Alternativa është tepër e keqe,” tha ai, duke shtuar se priste që taksa të tilla të shtriheshin përtej kompanive Big Tech, edhe te shumëkombëshet në sektorë të tjerë si industria farmaceutike.
Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar në të kaluarën se do të vendosin sanksione ndaj vendeve europiane që caktuan taksa për shërbimet dixhitale.
Pjesa tjetër e marrëveshjes së vitit të kaluar, e cila vendos një dysheme prej 15 për qind për normat efektive të taksave për korporatave dhe që prek të gjitha shumëkombëshet me të ardhura mbi 750 milionë euro, ka ngecur gjithashtu.
SHBA u përpoq që ta prezantonte këtë pjesë të marrëveshjes në fillim të këtij viti, por shpërfilli disa elementë të rëndësishëm të rregullave, ndërsa Brukseli është përballur me kundërshtimin e shteteve anëtare si Polonia dhe Hungaria.
BE-ja është përpjekur të fusë reformën minimale të taksave në ligjin e BE-së, por kjo kërkon miratimin unanim të shteteve anëtare dhe Budapesti vazhdon ta kundërshtojë këtë nismë. Saint-Amans tha se kjo masë ishte “mbajtur peng”.
“Duket se Hungaria kërkon të çlirojë disa fonde të BE-së të cilat janë bllokuar nga Komisioni i BE-së për shkak të problemeve me sundimin e ligjit,” tha ai.
Shumë profesionistë të taksave janë skeptikë për faktin nëse marrëveshja do ta arrijë të futet në kodet e tjera ligjore kombëtare pa mbështetjen e juridiksioneve të rëndësishme si SHBA-ja dhe ekonomitë e mëdha të Europës.
Saint-Amans tha se zbatimi i marrëveshjes “nuk po e humbiste vrullin” dhe se disa elementë të saj do të fillonin të bëheshin pjesë e ligjeve të BE-së brenda “dy muajsh”. Refuzimi i Hungarisë nuk do t’i ndalojë vendet më të mëdha anëtare të bllokut që të ecin përpara me planin, duke e futur atë në legjislacionet e tyre kombëtare.
“Nëse nuk ka marrëveshje, vendet do të lëvizin më vete. Ato do të lëvizin në mënyrë të njëanshme, sepse mund ta bëjnë këtë. Ky është vlerësimi ynë ligjor dhe politik”, tha Saint-Amans. Gjermania muajt e fundit ka sinjalizuar se është e gatshme të nisë zbatimin e marrëveshjes e vetme, nëse është e nevojshme.
Ai argumentoi se investitorët do të mbështesin një bazë më të gjerë tatimore, duke thënë se tregjet kishin dërguar një sinjal të qartë se përpjekja e ish-kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, për ta kthyer Britaninë në një “Singapore-on-Thames” me taksa të ulëta “nuk ishte gjëja e duhur për t’u bërë”.
Kjo marrëveshje erdhi si pasojë e disa viteve negociatash të mundimshme të udhëhequra nga Saint-Amans në OECD.
Ajo është reforma më radikale e taksave që kur Lidhja e Kombeve zhvilloi traktatin e saj të parë model për të parandaluar taksimin e dyfishtë në vitin 1928. OECD më parë vlerësoi se marrëveshja do të sillte 150 miliardë dollarë shtesë në vit nga taksat e shumëkombësheve, por së shpejti organizata do të publikojë vlerësimet e përditësuara, për të cilat Saint-Amans tha se do të tregonin “shifra shumë më të larta”. /monitor


