Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shefi i ushtrisë izraelite: Ushtria në Liban është ende në gjendje lufte

Shefi i ushtrisë izraelite: Ushtria në Liban është ende në gjendje lufte

Shefi i ushtrisë së Izraelit, Eyal Zamir tha sot se forcat e vendit janë “ende në gjendje lufte” në Libanin jugor dhe nuk po respektojnë një armëpushim në frontin verior, sipas një deklarate të ushtrisë.

“Ushtria vazhdon të operojë këtu në Liban”, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral lejtnant Zamir ndërsa vizitoi zonat pranë Bint Jbeilit në Libanin jugor, ku foli me komandantët, sipas deklaratës.

Ai shtoi se “ushtria është në gjendje lufte dhe nuk është në një armëpushim në frontin verior”.

“Në Iran, ne jemi në një armëpushim, por mund të kthehemi të operojmë atje në çdo moment dhe me intensitet të madh”, shtoi Zamir.

Fjalimi erdhi ndërsa ushtria izraelite vazhdoi sulmin e saj të zgjeruar në Liban që nga e mërkura, duke vrarë mbi 303 persona dhe duke plagosur 1.150 të tjerë, sipas Mbrojtjes Civile Libaneze.

Ofensiva vazhdoi pavarësisht një armëpushimi dyjavor të shpallur të martën si pjesë e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje më të gjerë për të ndaluar konfliktin që Izraeli dhe ShBA-ja nisën kundër Iranit më 28 shkurt, i cili ka lënë mijëra të vdekur dhe të plagosur.

Pakistani, i cili ndihmoi në ndërmjetësimin e marrëveshjes dhe Irani thanë se armëpushimi përfshin Libanin, ndërsa ShBA-ja dhe Izraeli e mohuan këtë.