Shitje, por jo shërbim, këto janë masat e reja për operatorët ekonomikë

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari ka mbajtur konferencë për media rreth masave që kjo ministri ka marrë ndaj koronavirusit.

Hajdari është shprehur se kjo është situatë e jashtëzakonshme dhe ka pasur keqkuptime rreth masave të cilat i ka marrë ministria që ajo e udhëheq por edhe vendimet e qeverisë që ndërlidhen me fushëveprimin e Ministrisë së Tregtisë, shkruan lajmi.net.

Ajo ka dhënë sqarime rreth funksionimit të operatorëve ekonomikë.

“Siç e dini që ju kam njoftuar, në vazhdim të zbatimit të vendimit të qeverisë të datës 13 mars, ministria ka marrë disa urdhëresa dhe këto urdhëresa po mundohemi me ministrat dhe komunat, me inspektoratin e punës dhe tregut, departamentin për mbrojtjen e konsumatorit dhe shumë institucione të tjera që të koordinohemi sa më afër. Pika e 10 në vendimin e qeverisë për operatorët ekonomikë dhe kemi sjellur udhëzime shtesë që janë vendosur si urdhëresa që të sjellim sa më shumë sqarime. Nuk kemi qëllim të mbyllim biznese, të mbyllim operatorët shërbyes, por të mundësojmë organizim të mirëfilltë qytetar. Urdhëresa e parë ka qenë siç e dini para vendimit të qeverisë për menaxhimin e çmimeve pra, mos rritjen e çmimeve duke u bazuar nga ankesat e konsumatorëve, kjo është menaxhuar mirë. E dyta urdhëresë vjen pas vendimit të qeverisë që është urdhëresa për zbatimin e masave drejt veprimtarive ekonomike lidhur me emergjencen e shëndetit publik. Këtu dua ta lexoj sepse ka keqkuptime në nivel komunal, nga policia por krejt jo me qëllim dashakeq por me qëllim të zbatohen vendimet dhe urdhëresat”, tha Ministrja Hajdari.

Më tutje ajo ka cekur edhe masat të cilat duhet t’i marrin operatorët ekonomikë në kushtet e situatës me COVID19, të cilat mund t’i lexoni më poshtë:

Urdhërohen të gjithë operatorët ekonomikë t’i respektojnë vendimet e qeverisë së Kosovës të 13 marsit, 2020 dhe të 15 marsit 2020 lidhur me masat ndaj pandemisë COVID19.

Çdo operatorë ekonomik duhet t’i marrë këto masa;

Të dezinfektojë dhe ajrosë vendin e punës,
Të pajisë punëtorët me mjete mbrojtëse
Të sigurojë se personat brenda lokalit rrinë larg njëri-tjetrit së paku një metër
Tës igurojë se lokali nuk është stërmbushur
Të sigurojë se blerësit presin në radhë ose presin jashtë deri t’iu vije radha për të blerë
Të shfrytëzojë kanalet elektronike për të ushtruar veprimtarinë;
Të organizojë punën me ndërrime për të zvogëluar numrin e punëtorëve në punë
Të marrë të gjitha masat e tjera të nevojshme për t’i zbatuar urdhëresat e qeverisë dhe ministrisë.

Ministrja Hajdari ka thënë se operatorët me ofertë shitje/shërbim, mund të shesin, por jo të shërbejnë.

“Operatorët me ofertë të përzier shitje/shërbim mund të shesin, por jo të shërbejnë brenda hapësirave të tyre. Prodhuesit dhe ndërtimtarët mund të ushtrojnë veprimtaritë e tyre/ Ne i detyrojmë inspektorët e tregut dhe të punës t’i shqyrtojnë me përparësi rastet që kanë të bëjnë me urdhëresat e Ministrisë dhe të qeverisë. Të gjithë ofruesit e shërbimeve të komunikimit duhet të ofrojnë qasje pa ndërprerë në komunikime elektronike në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, tha ministrja Hajdari. /Lajmi.net/