Shkatërrimi i Ebrehesë dhe ushtrisë së tij

A nuk e ke parë, se ç’bëri Zoti yt me poseduesit e elefantit? A nuk ua bëri përpjekjen e tyre të dështuar? Dhe Ai kundër tyre lëshoi shpendë që vinin tufë-tufë! Dhe i gjuanin ata me gurë nga balta e gurëzuar! Dhe ata i bëri si gjeth i grimcuar (i përtypur)! (Fil, 1-5)

Ngjarje të mëdha dhe shenja hyjnore pasuan njëra-tjetrën para ardhjes së Muhamedit a.s.

Një nga ngjarjet më të rëndësishme, që i parapriu lindjes së Pejgamberit a.s. dhe misionit të tij, ishte ngjarja që i ndodhi Qabesë së nderuar.

Librat e biografisë përmendin se Ebrahaja, abisinit që kishte nënshtruar Jemenin, ishte përfaqësues i Nexhashiut në Jemen. Ai i pa arabët e Jemenit, ashtu si pjesa tjetër e arabëve në qendër dhe në veri të gadishullit, që kryenin haxhin në Qabe duke e madhëruar atë. Kjo nuk i pëlqeu dhe deshi t’i largonte njerëzit prej saj. Prandaj, ai ndërtoi në qytetin Sana kishën e quajtur Kul-lejs, që njerëzit të shkonin për pelegrinazh në vend të Qabesë. Ndërtoi një kishë që nuk e kishte shoqen në kohën e saj. Ai mblodhi të gjitha mjetet e luksit, prej mermeri, ari, argjendi dhe gurë të gdhendur, dhe ngriti kryqe prej ari dhe argjendi dhe vendosi foltore prej fildishi.(1)
Pastaj ai i shkroi Nexhashiut, mbretit të Abisinisë: “Unë të kam ndërtuar, o mbret, një kishë që nuk i është ndërtuar asnjë mbreti më parë dhe nuk do të ndalem deri sa ta kthej haxhin e arabëve tek ajo!”(2)
Por arabët, pavarësisht se ai e dekoroi kishën e tij, nuk u larguan nga shtëpia e shenjtë e Zotit, pasi besonin se ata ishin bijtë e Ibrahimit dhe të Ismailit që ndërtuan Qabenë.
Lajmi i shkresës së Ebrehesë dërguar Nexhashiut u përhap ndër arabët. Kështu, një burrë nga Benu Kinane, kur dëgjoi për këtë, hyri i zemëruar në kishë natën dhe ndyu atë. Kur u njoftua për këtë, Ebreheja pyeti se kush e kishte bërë një gjë të tillë. I thanë: “E ka bërë një arab, njëri prej atyre që i përkasin asaj shtëpisë në Mekë, ku arabët kryejnë haxhin, ngase kishte dëgjuar fjalët që kishit thënë ju se do t’i bëni arabët që ta kryejnë haxhin tek ajo (kishë)!”(3)
Ebreheja u zemërua dhe u betua se do të shkonte ta rrënonte Qabenë. Pastaj i urdhëroi abisinasit që të përgatiten e të pajisen dhe u nis duke marrë me vete një elefant të madh, të cilin arabët nuk e njihnin në vendin e tyre. Gjatë rrugës pati rezistencë nga disa fise arabe, por ato nuk ia dolën ta ndalonin. Kur arriti afër Mekës në vendin e quajtur Mugames, Ebreheja dërgoi Hunat Hamjeriun në Mekë dhe i tha: “Pyet për njeriun më të shquar, më fisnik dhe më të rëndësishëm në qytet, pastaj thuaji: “Mbreti të porosit: Unë nuk kam ardhur të luftoj me ju, por kam ardhur vetëm ta rrënoj këtë shtëpi. Nëse nuk na kundërshtoni me luftë, dijeni se nuk do ta derdh gjakun tuaj! Nëse të thotë se ai nuk do të luftojë me mua, atëherë sille këtu.”(4)
Hunati u takua me Abdulmutalibin dhe i tregoi për fjalët e mbretit. Së bashku shkuan tek Ebreheja. Kur Abdultalibi kërkoi nga ai dyqind devetë që ia kishin marrë, Ebreheja i tha përkthyesit: “Thuaji: kur të pashë më pëlqeve shumë, kurse tani u ftoha prej teje. Po më përmend dyqind deve që t’i kemi marrë, por nuk po përmend Shtëpinë, e cila është simbol i fesë tënde dhe i fesë së të parëve të tu, të cilën unë erdha ta rrënoj?!’ Abdulmutalibi i tha: “Unë jam pronar i deveve, ndërsa Qabeja e ka Zotin e saj, që e mbron!” Ebreheja iu përgjigj: “Nuk ka kush që do e mbrojë atë nga unë!”(5)
Abdulmutalibi u kthye në Mekë dhe i informoi kurejshët për atë që kishte ngjarë. Kërkoi nga ata që të largoheshin nga Meka, të strehoheshin në kodra dhe grykat e bjeshkëve, sepse i frikësohej ashpërsisë së ushtrisë. Ndërkaq, ai u kap te hallka e derës së Qabesë dhe së bashku me të edhe një numër njerëzish filluan t’i luten Allahut duke kërkuar ndihmën e Tij kundër Ebreheit dhe ushtrisë së tij. Duke mbajtur të kapur hallkën e derës së Qabesë, Abdulmutalibi recitoi: “O Zot, njeriu po i mbron kafshët e veta, prandaj, mbroje edhe Ti këtë grupin Tënd! Kryqi i tyre, as forca e tyre mos të triumfojnë mbi forcën Tënde!…”(6)
Kjo ngjarje ndodhi në muajin muharrem, afërsisht pesëdhjetë ditë para lindjes së Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, që korrespondon me shkurtin e vitit 571 të e.s..(7)
Pra lindja e Pejgamberit a.s. ishte në Vitin e Elefantit, dhe kjo ishte një nga bukuritë e vendimeve hyjnore. Ashtu si ngjarja e elefantit ishte një bekim nga Zoti për kurejshët, ashtu edhe lindja e Muhamedit a.s. në të njëjtin vit ishte gjithashtu bekim i Tij për ta.
Kjo ishte gjithashtu një treguese e kujdesit të madh të Plotfuqishmit për këtë vend të shenjtë, që Ai zgjodhi të ishte vendtakimi i dritës së fundit, burimi i besimit të pastër dhe pikënisja e marshimit të bekuar për ta përhapur këtë dritë hyjnore në të gjithë tokën.(8)
Rrethanat e kohës ndihmuan që lajmi i kësaj ngjarje të arrijë në shumicën e pjesëve të qytetëruara të botës së asaj kohe. Abisinia ishte e lidhur ngushtë me romakët. Persianët ishin rivalë që i përcillnin ata dhe aleatët e tyre dhe këto dy perandori përfaqësonin shtetet e fuqishme në atë kohë. Kjo ngjarje tërhoqi vëmendjen e botës edhe për shkak të nderit dhe prestigjit që gëzonte Qabeja, ngase ajo ishte shtëpia që Zoti i Madhëruar e kishte zgjedhur dhe dalluar.(9)
Një sërë mësimesh dhe përfitimesh nxirren nga kjo ndodhi:
E para prej tyre është se tregohet nderi i Qabesë dhe se Zoti i Madhëruar ka siguruar mbrojtjen dhe kujdesin e saj nga arroganca dhe tirania e Ebrahesë dhe popullit të tij.
Gjithashtu mësohet se konflikti ndërmjet të vërtetës dhe të pavërtetës, të mirës e të keqes, është i përhershëm dhe nuk pushon, sepse armiqtë e Islamit nuk pushojnë së refuzuari fenë e Zotit dhe luftimin me miqtë e Tij.
Kjo ndodhi konsiderohet një shenjë e dukshme dhe tregues i qartë i pejgamberisë së Muhamedit a.s.. Ajo ishte një parapërgatitje dhe lajmërim i dërgimit të Pejgamberit a.s., aq më tepër që Muhamedi a.s. lindi në atë vit.

Historia e ndodhisë së ushtrisë së elefantit, përveçse ishte një ngjarje e madhe, është një simbol i qartë i mbështetjes së Zotit të Plotfuqishëm për fenë dhe shtëpinë e Tij.
Sikurse zullumqari Ebreha që rrënimi tregon se u shkatërrua nga Zoti, ashtu edhe pasuesit e tij në çdo vend dhe kohë do të zhduken pashmangshmërisht.
Ndihma e ardhur dhe mbrojtja e Qabesë nga rrënimi tregon se shenjat e fuqisë së Krijuesit bëhen të dukshme në disa ngjarje kur ngushtohen rrugët dhe njerëzve u kanoset zhdukja. Fuqia e Gjithëfuqishmit i mrekullon mendjet, siç i ndodhi djalit besimtar me As-habi Uhdudin, që ishin sundues që i mundonin besimtarët dhe i digjnin në hendeqe, siç i ndodhi Ibrahimit a.s. me zjarrin, Musait a.s. me faraonin, Nuhut a.s. gjatë tufanit dhe Pejgamberit a.s. në betejën e El-Ahzabit, kur Zoti i shkatërroi turmat e politeistëve.(10)
Zoti na tregon për këtë ngjarje në Kuranin famëlartë, në suren El-Fil të shpallur në Meke. Aty bëhet një vështrim rreth Ebrehesë, i cili me ushtri dhe elefantë ia mësyn Qabesë për ta rrënuar. Por Zoti i Madhëruar, me anën e krijesave të veta më të dobëta, i shkatërroi. Ai ua lëshoi disa shpendë që vinin tufë-tufë e që mbanin gurë në sqepat dhe kthetrat e tyre, gurë që shponin më fort se plumbi dhe i shkatërronin: “Dhe Ai kundër tyre lëshoi shpendë që vinin tufë-tufë! Dhe i gjuanin ata me gurë nga balta e gurëzuar!”
Quhet: “Sure El-Fil” – kaptina e elefantit, sepse ajo ushtri ishte quajtur ushtria e elefantit, kështu që edhe ngjarja në histori u shënua me këtë emër.(11)
Pejgamberi a.s. nuk e ka parë ngjarjen e ushtrisë së Ebrehesë. Ai ka lindur po në atë vit, por pas ngjarjes, sikurse kemi përmendur më lart. Zoti nuk i thotë Muhamedit a.s. a ke dëgjuar për të, por i thotë: “A nuk e ke parë…”,sepse tregimi nga ana e Zotit është aq i sigurt dhe i bindshëm, sa sikur ta kishte parë vetë Muhamedi a.s. me sytë e tij, madje i bindur më tepër sesa ta kishte parë.
Ndodhia e pronarëve të elefantit ishte e ditur për arabët, e njohur për ta dhe për ata që e panë me sytë e tyre. Madje, ata e bënë atë një shenjë dalluese me të cilën do t’i shënonin ngjarjet sipas saj, prandaj thoshin: Kjo ngjarje ndodhi në vitin e elefantit, dhe kjo ndodhi dy vjet para vitit të elefantit, dhe kjo ndodhi pesë vjet pas vitit të elefantit, e kështu me radhë.(12)
Folja “A nuk e ke parë…” erdhi në kohën e tashme për të treguar vazhdimësi dhe përsëritje. Kushdo që i shtyp dhe i dhunon të tjerët, dënimi dhe fati i tij do të jetë i njëjtë me fatin e Ebrahasë dhe ushtrisë së tij.
Është për ta lexuar me vëmendje thënien e Zotit: “…se ç’bëri Zoti yt me poseduesit e elefantit?” Shkatërrimi i tyre nuk do të ishte aq i çuditshëm sikur Allahu t’u jepte fuqi kurejshitëve që të luftonin dhe t’i zhduknin, por është e çuditshme mënyra se si Ai i zhduku. Ai i shkatërroi me anën e shpendëve, që vinin grupe-grupe dhe mbanin në sqep e në kthetra nga një gur me të cilët e gjuanin ushtrinë dhe ai gur i shponte si plumbi. I asgjësoi deri në atë masë, saqë ata i përngjanin gjethes së grisur e të copëtuar nga era, ose të përtypur e të shkelur prej shtazëve: Dhe i gjuanin ata me gurë nga balta e gurëzuar! Dhe ata i bëri si gjeth i grimcuar (i përtypur)!”(13)
Shkatërrimi i abisinive me gurë nga balta e gurëzuar ishte një mrekulli, mbrojtje dhe përkujdesje hyjnore ndaj Qabesë, prandaj shkatërrimi nuk përfshiu edhe njerëzit e tjerë përreth.
Ngjarja e elefantit është një ngjarje e rëndësishme në historinë e arabëve dhe është një favor nga Allahu për ta. Prandaj në suren Kurejsh, e cila pason suren El-Fil, Allahu i kujton kurejshëve këtë mirësi: “Pra, le ta adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie, i cili i ushqeu pas urisë dhe i siguroi prej çdo frike!” (Kurejsh, 3-4).
Ata, nëse për asgjë tjetër, do të duhej të falënderonin dhe ta madhëronin Zotin, i Cili e mbrojti shtëpinë e Vet, Qabenë, prej Ebrehesë, që pati si qëllim ta rrënojë dhe u siguroi kurejshitëve begati e furnizim.
Ibën Is’haku ka thënë: “Allahu i Madhërishëm, kur e dërgoi Muhamedin a.s., përmendi njërën nga begatitë dhe mirësitë e Tij ndaj kurejshëve, që ishte dëbimi i abisinasve dhe kështu ua zgjati jetën.”(14)
Surja El-Fil iu shpall Pejgamberit tonë në vitin e pestë të shpalljes në Mekë. Mes ngjarjes dhe zbritjes së kësaj sure kishte 45 vjet. Pra, kishte njerëz të gjallë në Mekë që ishin në moshën gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë e tetëdhjetëvjeçare kur zbriti kjo sure. Kishte nga ata që e kishin përjetuar dhe e kishin parë me sytë e tyre këtë ngjarje.(15)
Pse nuk e përgënjeshtruan dhe nuk i thanë: “Ku janë ata zogjtë ebabil për të cilët po flet?” A nuk ishin idhujtarët e Mekës kundërshtuesit më të mëdhenj të Muhamedit a.s.?!
Prandaj, sikur të mos ishte ashtu si përshkruhej ngjarja e posedueseve të elefantit në Kuran, idhujtarët mekas do të reagonin, do të mohonin, por nuk ndodhi ashtu. Përkundrazi, ata mburreshin me atë mrekulli, që Zoti u dhuroi atyre duke mbrojtur Qabenë.
Madje, asnjëri nga ata idhujtarë që e kishin përjetuar atë ngjarje nuk mori guximin ta përgënjeshtronte përshkrimin e ngjarjes! Kjo ngjarje dhe përshkrimi i saj është dëshmi e profetësisë së Muhamedit a.s..

1. Abdul Aziz bnu Abdullah El Suvejdan, Hadithetul fil, shih: https://khutabaa.com
2. Biografia e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, Sira nga Ibn Hisham, Sira Prishtinë, 2021, f. 26.
3. Po aty, f. 26. 4. Po aty, f. 26-8
5. Po aty, f. 29-30. 6. Po aty, f. 29-30.
7. Hadithetul fil, pa autor, shih: ttps://www.islamweb.net/ar/article/13362/?fbclid=IwAR2NmwPTA1cZsfQUBpJapdO4baRaGAK7 opoTf9xsXf-KIdy7ypFSZkYC7zQ
8. Abdul Aziz bnu Abdullah El Suvejdan, op. cit. 9. Hadithetul fil, op. cit.
10. Abdul Aziz bnu Abdullah El Suvejdan, op. cit.
11. Kurani, përkthim me komentim në gjuhën shqipe, H. Sherif Ahmeti, shih komentin në f. 721.
12. Abdul Aziz bnu Abdullah El Suvejdan, op. cit.
13. Kurani, përkthim me komentim në gjuhën shqipe, H. Sherif Ahmeti, shih komentin në f. 722.
14. Biografia e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, op. cit., f. 30.
15. Kurani, përkthim me komentim në gjuhën shqipe. H. Sherif Ahmeti, shih komentin në f. 733.  /islamgjakova