Shkëndija e Tetovës beson te kualifikimi në grupet e Ligës së Europës

Shkëndija e Tetovës beson se mund të kualifikohet për në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Trajneri Osmani mendon përmbysjen pavarësisht humbjes së pësuar në Norvegji.

Në Norvegji nuk shkuan për pushimet e verës.

Futbollistët e Shkëndisë së Tetovës dhe drejtuesit e tyre teknikë, në vendin skandinav ishin për të pretenduar vazhdimësinë në Ligën e Europës, jo si turistët e radhës. Gjithsesi, ajo që ndodhi në stadiumin e Rozenborgut, në sfidën e parë të play off-it, nuk ishte pikërisht ajo që prisnin kampionët e Maqedonisë.

Një humbje aspak e lehtë për t’u kapërcyer, me shifrat 1-3, dhe ndaj një ekipi me mjaft përvojë në kompeticionet kontinentale. Shkëndija sidomos e pati shumë të vështirë fillimin e ndeshjes, dukshëm jo plotësisht e gatshme për t’u përballur, dhe norvegjezët shënuan dy herë në 15 minuta.

Xhebali dhe veterani Bentner ishin ndëshkuesit, ndërsa kur Xhonatan Levi realizoi edhe golin e tretë të vendasve, u mendua për një katastrofë. Fatmirësisht, të besuarit e trajnerit Qatip Osmani, arritën të reagonin.

I bënë thirrje krenarisë së kampionit dhe në pjesën e dytë u paraqitën krejtëisht ndryshe. Shpresa u rrit me rrjetën e shënuar nga sulmuesi brazilian, Stenjo Zhunior në minutën e 76-të.

A mund t’ia dalë Shkëndija?

Trajneri Osmani u shpreh me besim pas ndeshjes, duke thënë se pavarësisht humbjes, shpresa është e plotë se do të ketë përmbysje në Tetovë. Nëse do t’ia dilte, do të ishte hera e parë që Shkëndija e Tetovës do të kualifikohej për në fazën e grupeve të Ligës së Europës.

Tani mbetet vetëm të punohet fort në stërvitje për t’ia arritur./abcnews.al