Shkoi një vit, e na erdh tjetri!

Koha është një krijesë nga krijesat e Zotit.
Bile Zoti i Madhëruar e ka veçuar atë duke u betuar në të.

Me emrin e Allahu, Mëshiruesit, Mëshirëplotit
Pasha kohën!
Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt.
Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.

Shumë është e rëndësishme mënyra se si jetohet jeta dhe si kalohet koha, e nuk është sukses të kalohet një periudhë kohore, vetëm sa për t’u kaluar !
Për këtë arsye asnjë njeri i suksesshëm, hero, shkencëtar, apo çka do tjetër nuk është përjetësuar thjeshtë me kohën që e ka kaluar, por si e ka kaluar dhe çfarë në atë kohë ka vepruar !
Pra çështja e parë dhe kryesore është ta kemi të qartë se kohen e ka krijuar Zoti dhe nëse nuk e jetojmë jetën nga ky parim jemi vetëm statistika apo numra të një pjese të një kohe dhe asgjë më shumë.
Ne e llogarisim kohën, bile deri në detaje më të imëta, duke filluar nga:
Sekondi, minuta, ora, dita, java, muaji, viti, dekada, shekull, e deri në milenium !
Këto ndarje e llogaritje, a thua vallë i bëjmë vetëm sa për t’i ndarë, a po për t’ i dalluar me punë, suksese e të mira ?!

E paçim një vit me punë të mira, suksese e mbarësi, e jo një vit vetëm me 12 muaj!

Nga: Sadik Avdiu