Shkup, protesta kundër propozimit francez që synon heqjen e vetos bullgare

Para qeverisë së Maqedonisë së Veriut në Shkup është mbajtur protestë kombëtare kundër propozimit francez për heqjen e vetos bullgare dhe për fillimin e negociatave të vendit me Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

“Nuk i duam gjërat e të tjerëve, tonat nuk i japim”, “Jo BE-së”, “Ultimatum, jo faleminderit”… ishin disa nga parullat me të cilat pjesëmarrësit e protestës kërkuan nga qeveria që të mos pranohet propozimi francez, sepse ata besojnë se e ardhmja nuk ndryshon në të mirë duke nënshkruar një “nënshkrim kapitullant”.

Lideri i opozitës maqedonase VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, duke iu drejtuar të pranishmëve tha se Maqedonia e Veriut nuk ka nevojë për Evropën nëse populli i saj duhet të asimilohet.

“Më intereson mesazhi i këtyre mijëra njerëzve këtu. Dhe kjo është jo për propozimin e fundit. Do të presim nëse Evropa nuk është e gatshme të na presë neve, maqedonasit e qytetëruar në mënyrë të civilizuar dhe dinjitoze aty ku e kemi vendin, pra në Evropë. Do të presim kur të vijnë njerëz që kuptojnë atë që duam ta themi sot dhe kjo është Maqedonia para dhe mbi të gjitha, identiteti maqedonas para dhe mbi të gjitha”, tha Mickoski.

Në ditët e kaluara, Mickoski theksoi se propozimi francez është i njëjti me atë të mëparshmin, të cilin qeveria e Maqedonisë së Veriut e refuzoi. Sipas tij, propozimi përmban “të gjitha kërkesat bullgare në aspektin e gjuhës, historisë dhe identitetit”, pas së cilës ai bëri thirrje për protesta para qeverisë së vendit.

Njëri nga pjesëmarrësit e protestës, Toni Stojanovski, në fjalën e tij tha se qytetarët janë mbledhur për të dërguar mesazhin se “Maqedonia nuk ka qenë dhe asnjëherë nuk do të jetë në shitje”.

“Maqedonia e mi, jemi këtu për të inkurajuar ata që janë në shtëpi dhe mendojnë si ne, si dhe për t’i paralajmëruar tanët nga udhëheqja shtetërore, ata që tashmë kanë stilolapsin në duar për të nënshkruar kushtet me të cilat nuk pajtohemi. Boja mund ta errësojë letrën, por shpirti ynë maqedonas do të mbetet i pastër”, tha Stojanovski.

Më 30 qershor, në qeverinë e Maqedonisë së Veriut përmes ministrisë së Punëve të Jashtme mbërriti një propozim i ri nga presidenca franceze, pas së cilës filloi një proces konsulltimi, fillimisht në qeveri me partnerët e koalicionit dhe më pas me presidentin e shtetit, parlamentin dhe opozitën, si dhe me sektorin civil.

Dje, në një konferencë për media, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, deklaroi se propozimi i ri përfshin vërejtjet dhe qëndrimet e konstruktuara qartë të palës maqedonase, parasheh pranimin e qartë të gjuhës maqedonase, si dhe faktin se protokolli me Bullgarinë nuk do të jetë pjesë e kornizës së negociatave.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenca e të cilët hartoi propozimin, beson se është gjetur një zgjidhje kompromisi me propozimin për të dyja palët.

Propozimi francez është një dokument që duhet të çojë në heqjen e vetos së Bullgarisë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE që në vitin 2005, por për shkak të kundërshtimit të Greqisë që vendi të pranohet me emrin kushtetues u vonua procesi i integrimit të vendit në BE. Pas arritjes së Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, me çka vendi ndryshoi emrin kushtetues, Maqedonia e Veriut mbeti peng edhe nga fqinji i saj lindor, Bullgaria, me të cilën mbetet i pazgjidhur kontesti mbi historinë e përbashkët të dy vendeve, pasi Bullgaria nuk e miratoi kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në, duke u arsyetuar se ajo nuk pasqyron kërkesat bullgare për gjuhën maqedonase dhe pakicën bullgare.

Në mars të vitit 2020, vendet anëtare të BE-së ranë dakord për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Më vonë, në nëntor të vitit 2020, Bullgaria vuri veto ndaj negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, pasi sipas një dokumenti të dorëzuar nga qeveria e atëhershme bullgare qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet të përmbushë kushtet.